Shkodra është unike,
Nuk i ndryshon genet,
Edhe pse vit pas vitit,
Mbytet nga liqenet!

Shkodra është unike,
S’ndryshon asnjëherë,
Dhe pse brenda vitit,
Mbytet dy-tre herë!

O moj Shkodra loce,
Në legjenda mbete,
Jep dritë për të tjerët,
Po mbytesh për vete!

Kur do ta kuptojnë,
Njerëzit e pushtetshëm,
Se është jeta jote,
Një ankth i përjetshëm!

Çfarë bëri për ju,
Pushteti i Saliut,
Ju la tetë vite,
Në mëshirë të shiut!

Se dreq diktatorët,
Që me dru i zbuan,
Vetëm për pesë vjet,
Liqenet ndërtuan!

Vetëm për pesë vite,
Bënë hidrocentralet,
Nga Kukësi në Shkodër,
I bashkuan malet!

Po këto tetë vite,
Krejt për lesh kanë ikur,
Për këto përmbytje,
Një gjë duhej shpikur!

Unë nuk e di shpikjen,
Se s’jam shkencëtar,
Po zgjidhjen e kishte,
Sistemi i parë!

Kishte hidrovorë,
Ujërat për t’i pritur,
Dhe Shkodër e Lezhë,
Kurrë s’ishin përmbytur!

Kurrë s’ishin përmbytur,
Si po ndodh tani,
Dhe në komunizëm,
Binte goxha shi!

Dhe pse e përmbytur,
Shkodra s’e ha fjalën,
Sa kullojnë ujërat,
Nis këndon për Salën!

Nis këndon për Salën,
Edhe për Topallin,
Që tetë vjet të tëra,
Shkodrën po e tallin!

Mbase ia fus kot,
Kot poeti cytet,
Ndofta Shkodra vetë,
Ka dëshirë të mbytet!

Sepse nga liqeni,
Meqë erdhi fjala,
Shpie ujë në Shkodër,
Mijëra peshq e ngjala!

Shpie ujë në Shkodër,
Mijëra peshq e ngjala,
Shkodranët hanë… peshkun,
Votën e merr Sala!