Mbrojtësi rumun Dan Gelu Ignat i është bashkuar këtë verë Vllaznisë dhe me përvojën e tij po kontribuon për arritjen e objektivit të saj,
ngjitjen në Superligë. Ai është i bindur se skuadra do të arrijë këtë

objektiv. E ka shprehur sot këtë gjë në një prononcim të dhënë për faqen zyrtare të klubit. I pyetur në lidhje me ecurinë e ekipit në fazën e parë të kampionatit, Ignat shprehet: “Patjetër që ky objektiv do të arrihet, nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë gjë”.

Për më tepër, lexoni të plotë më poshtë intervistën e dhënë:
-Ka përfunduar tashmë faza e parë e kampionatit. Jeni i kënaqur me
mënyrën si kanë shkuar gjërat për Vllazninë, apo prisnit më shumë?
Po, jam i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar gjërat, kemi një ekip me
lojtarë të mirë,

por jam i kënaqur edhe me faktin se jam pjesë e këtij klubi të madh në Shqipëri, me një histori të madhe, paçka se tani luan në kategorinë e parë. Jam i bindur se do të kthehemi sërish aty ku duhet të jemi, në Superligë.

-Vetëm tre gola të pësuar nga Vllaznia në këto ndeshje. Për ju si
mbrojtës, janë shumë apo pak?

Nuk janë shumë gola të pësuar, por për mendimin tim se duke qenë edhe
mbrojtës, për mua dëshira ime është që të mos pësonim asnjëherë gol, megjithatë ne përpiqemi të pësojmë sa më pak sepse kështu ka sukses edhe skuadra.

-Katër pikë diferenca me skuadrën e vendit të dytë. I frikësoheni kundërshtarëve, apo Vllaznia sheh vetëm veten e saj?

Nuk ka asnjë frikë për kundërshtarët. Ne bëjmë lojën tonë, e rëndësishme është që të marrim sugjerimet e trajnerit dhe të bëjmë punën tonë sepse jemi të gjithë profesionistë dhe kemi dëshirën e madhe për të dalë në Superligë.

-Do të jetë Vllaznia në Superligë në fund të sezonit?
Sigurisht. Me 100 për qind vitin tjetër ne do të jemi duke luajtur aty.

-Hera e parë që vini në Shqipëri, cilat janë përshtypjet tuaja për këtë vend, për Shkodrën e për futbollin shqiptar?
Po është hera ime e parë që vij në Shqipëri dhe jam duke e gjetur veten shumë mirë në Shkodër.

Të them të drejtën jam surprizuar. Njerëzit këtu janë shumë të mirë, stadiumi është i mrekullueshëm dhe shpresa e qëllimi i vetëm është ngjitja në Superligë sepse aty është futbolli i vërtetë.

-Një mendim për futbollin shqiptar ngaqë në karrierën tuaj keni luajtur në shumë vende të Botës?

Unë nuk e di si është niveli

në Superligë, por në kategorinë e parë futbolli është pak agresiv. Luhet me forcë dhe përplasje dhe nuk bëhet shumë futboll teknik e taktik.

-Faleminderit
© vllaznia.al