Dhimbja ende nuk ka zënë cipë për aktorin e njohur të humorit dhe estradës, artistin e merituar Fadil Hasa, aq të dashur falë roleve të tij, në ç’do stinë të jetës tonë, një ndjesi si ajo e pushimeve apo e çastit kur të qesh fytyra e mezi pret të udhëtosh drejt së bukurës.

Mundësisht me në sfond “pak dajre e pak plonc” si në skeçet e paharruara.

Mandej, të merr malli të dëgjosh edhe një herë thirrjen e njohur: Vathe…Vathe mi dreq!

Ishte në klasë të katërt, në qytetin e lindjes, në Krujë ku profesori i letërsisë do të shquante talentin e tij, çuditërisht përgjatë një drame.

Kështu Fadili vetëm dhjetë vjeç e pa veten protagonist në një rol kryesor që e ngjiti për herë të parë në skenën e shkollës 8 vjeçare.

Më pas fiton bursën për të kryer gjimnazin në Shkodër ku njeh nga afër humorin e qytetit pa e ditur se fillesat në atë djep kulture do ta çonin në një tjetër qytet, në Durrës, vendin ku jetoi e të cilin deshi aq shumë.

Shumëkush nuk e di që Fadil Hasa prej aty do të shkonte të studionte për marinë luftarake në Shën Petërburg dhe me prishjen e marrëdhënieve diplomatike në fillim të viteve 60-të do të kthehej pas tre vjetësh duke mos i përfunduar studimet pesëvjeçare.

Për këtë arsye Hasa detyrohet që në Durrës të nisë punën në port e cila në të vërtetë nuk i pëlqente shumë.

“Deti është i bukur kur e sheh nga larg jo kur je në mes të tij me vapor sepse përgjegjësitë janë të mëdha” shprehej shpesh ai.

Por fati shpejt do t’i buzëqeshë ëndrrës së Fadilit. Në port ka një grup artistik amator që jep shfaqje dhe është pikërisht Ramazan Njala që e fton t’i bashkohet trupës. Fadil Hasa nuk do ta harrojë kurrë atë premierë të parë që do të bëhet pikënisja e një rrugëtimi të gjatë në gjininë e humorit.

“Isha i papërballueshëm në atë rol – kujton vite më vonë Hasa. “Bëja përkthyesin e shumë gjuhëve të huaja. Natyrisht, ia fusja kot, por nuk do ta harroj kurrë sallën në këmbë teksa duartrokiste duke qeshur”.

Dhe çmimi si “Aktori më i mirë” nuk do të vonojë qysh në premierën e tretë të këtij festivali në port.
Paskësaj, më 1997 rrëmben trofeun si:

“Aktori më i mirë i Estradës” në Tiranë ku janë pjesëmarrëse të gjitha estradat profesioniste të vendit, mandej çmimin “Artisti i Merituar” ndërsa shpallet katër herë fitues i çmimit “Aktori më i mirë i humorit”.

Krahas roleve të panumërta në estradë dhe teatër, Fadil Hasa merr pjesë edhe në produksione kinematografike. Në vitin 1987 luan rolin e Shabanit në filmin “Zëvendësi i grave”. E shohim tek “Mao Ce Dun” më 2007 ku të gjithë kemi të skalitur në mendje si Hekuran Romalini dhe në 2009-ën tek “Kronikë Provinciale”.

Vetëm një aktor brilant si ai na ngjall dëshirën të marrim dajren dhe ta kujtojmë sa herë na zë nostalgjia.

E ka zënë a jo parja?

Tani nuk ka më rëndësi!