Cuf Shkreli, kryeashiku i ahengut të vjetër shkodran

Më ka rastisë të shoh nëpër ahengjet shkodrane njerëz të apasionuar pas këngës dhe këngetarëve që kalojnë në ekstazë, përhumbën pas vijës melodike si sonmambulë në ëndërra. Dhe shpeshherë kam pyetur vehten, mos vallë kënga shkodrane ka magjinë e saj sa i bën disa njerëz si të elektrizuar pas saj, lëvizin qetësisht sipas riteve të saj. Një miku im thotë se nuk mund ta duash ahengun e vjetër shkodranë pa dashtë Shkodrën. Më duket se ka të drejtë. Se nuk thojnë kot që Shkodra është dashnorja e shekujve.

Një personazh të tillë që njoha në Shkodër ishte edhe Cuf Shkreli. Nuk e teproj po ta cilësoj; Kryeashik të ahengut të vjetër shkodran. Lindi në vitin 1919. Baba i tij, Alushi ishte i biri i Kasem Shkrelit, vëllait të Dasho Shkrelit. Familja e Cufit është me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, e cila zbriti në Shkodër, në lagjen Dudas nga mesi i shekullit 18-të. Në këtë lagje jetojnë edhe sot e kësaj dite. Një familje shumë patriote dhe trime. Nga të gjithë meshkujt e kësaj familje, vetëm Cufi vdiq nga një sëmundje natyrale, sepse të katër vëllezërit para-ardhës të kësaj shtëpije, mbetën të vrarë në luftra . Ata janë Dasho, Cafo, Sefo dhe Kasem Shkreli që dhanë jetën për këtë Shkodër. Dasho Shkreli është një nga luftëtarët dëshmorë shkodranë të gjysmës së parë të shekullit të XIX-të, një nga kreshnikët që luftoi qoftë kundër malazezve në mbrojtje të atdheut, qoftë kundër osmanlinjëve më rastin e kryengritjes së Hamz Kazazit e që qe kurorëzuar me sukses. Dasho Shkrelit, populli i Shkodrës, i thuri që në atë kohë këngë lavdie e trimërie, duke e bërë emrin e tij të pavedkshëm.

Dasho Shkreli, qe i biri i Hasan Shkrelit. Të parët e tij qenë të ulur që me kohë të vjetra nga Shkrelli i Malësisë së Mbishkodrës. Dashoja (emri i vërtetë është Mustafa) kishte edhe tre vëllezër: Kasemin, Cafin e Sefon. Ndër këta vetëm Kasemi la pasardhës, që vazhdojnë me qenë edhe sot. Dasho Shkrelit me vëllezër i doli zëri me rastin e kryengritjes së Hamz Kazazit në vitin 1813, siç këndohet në këngën homonime nga e cila po riprodhojmë një fragment:

Hafis Pasha si iblisi,
Trim qenka Haxhi Idrizi,
Trim qenka he e gjetët belanë,
Lufton Dashoja me të vllanë.

Sikurse dihet historikisht, mbas mbarimit të sundimit të Bushatllijve në Shkodër në vitin 1831, luftimet kufitare në mes të malazezve dhe të forcave turko-shqiptare nuk kanë pushuar për vite me radhë. Ndër këto lufta kufitare është derdhur shumë gjak shqiptarësh, janë djegur e plaçkitur banorët e atyre viseve. Dasho Shkreli ashtu si kurdoherë, sapo u dha kushtrimi për mbrojtjen e trojeve tona, nuk u kursye të bënte fli edhe jetën e vet dhe të vëllezërve. Ndër të parët Dasho Shkreli bashkë me të vëllanë, Selon, iu përgjigjën kushtrimit për të shkuar në Luftën e Shpuzës, ku dhanë edhe jetën. Shpuza është një fshat shqiptar që më vonë, pikërisht në vitin 1913, i mbeti Malit të Zi. Më pas, në luftë e Koplikut me 1920 edhe Alushi, nipi i Dasho Shkrelit dhe babai i Cufit u plagos në fushëbetejë me sërbet dhe mbas dy javësh vdiq, duke e lënë Cufin kërthi, vetëm gjashtë muajsh. Sa shumë gjak i ka dhënë kjo familje Shkodrës. Cufi, tashmë i mbetur jetim, u rrit me dy nëna, pasi me gruan e parë Alushi nuk kishte fëmijë. Ai trashëgoi një pasuri të madhe nga babai i tij dhe nga katër xhaxhallarët e tij të vrarë edhe ata në luftë, sepse Cufi ishte trashigimtar i vetëm. Cufi pati fat se një kushëri i tij, Muho Shkreli u përkujdes për mirërritjen e tij. Muhoja ishte mezin tek xhamia e Dudasit dhe kishte një zë të jashtzakonshëm. Si i tillë kushëriri këndonte edhe nëpër dasma e shqyqyre, jo vetëm në Dudas por në tërë Shkodrën. Ahengjet ishin i vetmi dëfrim i shkodranëve të asaj periudhe. Cufi duke ndejtë me kushëririn gjithmonë dhe duke i shkuar nga pas kudo, që në moshe fare fëminore zuri merak me këngën shkodrane dhe ahengun shkodran.Shpejt u bë një pasionant i jashzakonshëm duke mos lënë asnjë aheng në Shkodër pa e dëgjuar dhe parë. U bë i njohur në Shkodër. Këtu fillon historia e dashamirësit dhe ashikut më të madh që njeh Shkodra, për ahengun popullor.

I kërkoj ndjesë lexuesit se u zgjata pak me origjinën e familjes së Cufit, por e theksova të shkuarën e largët për të vertetuar atë që thashë më sipër, lidhur me ata që kanë dashninë më superiore për Shkodrën, kanë edhe dashninë për ahengun e vjetër shkodran. Shtoj se nga kjo lagje, Dudas, e kam origjinën edhe unë që po shkruaj. Shkodra është e njohur tradicionalisht për ahengun e saj brilant, këngëtarët e pa përsëritshëm dhe grupacionet e njohura muzikore. Shkodra ndër shekuj njihet për sofrat dhe rendet muzikore të cilat brez pas brezi nga ky qytet dalin grupe dhe individë, këngetarë dhe grupe. Kënga qytetare shkodrane, me dimensionin e saj shekullor, eshtë regjistruar në tërë linearitetin e saj në shpirtin e popullit që pa dyshim është shiriti më gjigand dhe më i pavdekshëm. E kush më mirë për atë periudhë e njohu dhe e këndoi këngën qytetare shkodrane, që vinte nga përtej shekujve, se sa Sait Hoxha, i cili ishte një disk i gjallë i kësaj kënge, ishte një memorie dixhitale. Siç duket genet e këtij këngetari të vjetër e plot pathos janë trashëguar tek këngëtari i njohur dhe disi i veçantë i ditëve tona, Sherif Merdani, nëna e të cilit eshtë e bija e Sait Hoxhes. Sait Hoxha ishte një thesar i kënges shkodrane. Po kështu ishin edhe Hila i Files, Lan Kalaja, Salo Shkreli, Lush Gurashi, Dash Kasemi, Nel Kadria, Jonuz Zeneli, Dul Haxhija, Nel Maha e shumë të tjerë. Të gjithë kishin nga një ndodhi në jetën e tyre. Dash Kasemi ishte robaqepës i talentuar dhe famoz dhe kishte qepë rrobat e nusërisë së Mbretreshës Geraldinë. Imagjinojeni se çfarë gustoje kishte Dash Kasemi për atë kohë.

Pikërisht këngëtari legjendë Sait Hoxha u bë idhulli i Cufit. Sait Hoxha mund të quhej pa frikë se e teprojmë si “Sundimtar i këngëtarëve shkodranë” të asaj kohe. Nuk fillonte ahengu pa ardhë Saiti. Shtëpia e Sait Hoxhës ndodhej në lagjen Rus-Maxharr, aty ku sot ndodhet shkolla “10 Korriku”, ndërtesë e madhe dhe shtëpi më e pasur e asaj lagje. Oborr i rrethuar dhe me hije erëmira. Sait Hoxha dispononte për atë kohë një fabrikë mëndafshit që i siguronte atij të ardhura të konsiderueshme. Këtu uleshin për të bërë aheng grupi i muziktarëve që fillojshin pasdrekeve dhe mbaronte kur zbardhte dita. Duhet thënë për hir të së vërtetës se falë trashigimisë së njohur Cufi ishte në gjendje të kamur ekonomike duke poseduar në pronësi pesë shtëpija dhe tërë atë sipërfaqe tokë dhe të gjitha i shiti e i harxhoi mbas ahengut. Kishte bahçe shumë të madhe dhe tetë punëtor për të kryer shërbimet e drurëve frutor. Ishte tip kavalier dhe nuk i dhimbsej gjë për shokët e tij. Dhe shpesherë ahengjet bëheshin edhe në shtëpinë e Cufit ku shtronte darka dhe dreka tepër të shtrejta me gjithfarë mezesh e pijesh, taman për ashikë. Cufi tashmë i rritur kryente rolin e udhëheqësit muzikor, ose më mirë me thënë të kritikut muzikor. Kishte karrike në vehte dhe bënte rënditjen e këngëve sipas kohëve të muzikës. Kjo ndodhte në periudhat kur nuk kishte dasma dhe synetllëqe. Tregojnë se kur erdhi këngetarja e njohur turke Xhemile Hanëmi, që e sollën tregtarët e Shkodrës pë të dhanë koncert në Milet-Bahçe, Cufi ndejti dy javë pa ardhë në shtëpi. Shkodra nuk e lëshonte këngëtaren turke, ndaj erdhi për dy ditë dhe qëndroi dy jave mes mrekullisë shkodrane. Kur u largua e përmalluar tha se nuk kishte parë si ky qytet në asnjë vend të Lindjes së Mesme.

Shokët e Cufit tregojnë një ngjarje të vërtete që e plotëson tërësisht portetin e tij të ashikut pasionant. Kur u martua Cufi, të nesërmen pas dasmës, kur të gjithë rrinin në shtëpi me nusen e re, ai pa i treguar askujt shkoi në një synetllek duke ndejtë gjithë ditën me ahengxhijtë. Në vitin 1950 divi i këngës shkodranë Sait Hoxha vdiq duke pikëlluar një qytet të tërë. Por Cufi nuk iu nda këngës popullore, sepse në Shkodër të gjithë ishin këngëtarë. Lagjja Dudas kishte grupin e vet të ahengut siç ishin Hasan Preza, Muho Cani, Halit Velija, Nut Baci dhe këngëtarin zë brilant Isa Hebovija. Nut Baci kishte mësuar kanarinën e vet që të këndonte hymnin e ahengut shkodran. Ndërkohë kujtojmë se Cufi shkonte shpesh në Elbasan për të dëgjuar Isuf Myzyrin, tek njerëzit e shtëpisë linte fjalë se do të shkonte për kurim në llixha. Disa herë shkoi në Sarajevë për të dëgjuar aheng nga këngëtarë boshnjakë.

Aty nga viti 1956 fillon të dëgjohet në Bahçallëk të Shkodrës një zë tejet i veçantë dhe i ëmbel. Ishte zëri i Shyqyri Alushit që më vonë do të bëhej legjenda e këngës qytetare shkodrane. Realisht Shyqyriu bëhet këngëtar nëpër ambjentet muzikore të shtëpive dhe lagjeve të Shkodrës duke dëgjuar drejtpërsëdrejti ose nga pllakat e gramafonit mjeshtra të ahengut si Shuk Prifti, Sadik Spahija, Marku i Kranjanes, Sait Hoxha, Hasan Prezën, Hasan Bushatin, Shyqyri Hajdarin, etj. Në moshën 10 vjeçare këndon me shokët e lagjes dhe më 1956 këndon këngët e para popullore në koncertin me rastin e inagurimit të “Kinema Republika” në Shkodër.

Për një kohë të gjatë këndon si këngëtar nëpër dasma në Shkodër dhe në të gjithë fshatrat e Nënshkodrës, në lulishte, lokale të ndryshme si dhe në shtëpinë e oficerëve. Kudo ku këndonte Shyqyri Alushi ishte i pranishën edhe Cuf Shkreli, ky njohës i mire i ahengut shkodran. Prezenca e tij ishte e pa diskutueshme. Në lulishten “1 Maji” dhe kudo ku shkonte, Shyqyriu shoqërohej nga orkestra që përbëhej nga Deto Haxhi, Karlo Pali, Rexhep Zaganjori, Kol Vjerdha, Sheuqet Kruja dhe Lan Kalaja. Në vitet 1974-1986 këndon si këngëtar profesionist pranë Estradës së Shkodrës deri sa doli në pension. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe koncertet e organizuara në Shkodër si dhe në të gjitha përfaqësimet e folklorit muzikor shkodran në festivalet folklorike kombëtare dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë, gjithashtu, edhe në shumë turne ndërkombëtare si në Rumani, Portugali, Turqi, Francë, Gjermani, Mali i Zi etj. Shyqyri Alushi mbahet si këngëtari i fundit i ahengut shkodran.

Nga të gjithë këngëtarët që kishte areali shkodran Cufi pëlqentë më shumë Shyqyri Alushin të cilin për 30 vjet radhazi nuk la vend pa e ndjekur, në çdo vend qe këndonte Shyqi, ajo familje që kishte shyqyrin rezervonte një karrige të veçantë për Cufin. Njerëzit e quanin “karrigia e Cufit”. Dhe kishin të drejtë, se aty ku ishte Cufi ahengu bëhej më i bukur dhe më i këndshëm. Ishte mezja e ahegut. Ai kishte një temperament dashamirës të një ashiku në shpirtë. I donte të gjithë njerëzit dhe pothuaj nuk kishte armiq. Ishte bonsens… Ai kishte cilësitë e një kavalieri të jashtëzakonshëm dhe të pa parë e mund të quhet pa frikë “kryekavaljer i ahengut të vjetër shkodran”.

Njëherë shokët e pyetën se a kishte Shkodra këngëtar si Shyqyri Alushi dhe Cufi u përgjigj me gjuhën lakonike të Ezopit: “kafaza janë shumë, por bilbila janë pak”.

Shokët e Cufit tregojnë një ndodhi tepër të dhimbëshme. Pasuria e Cufit shkonte duke u shkrirë ditë për ditë duke shtruar bankete për ahengjet pothuaj çdo javë në shtëpinë e tij. Cufi pandehte se pasuria nuk do t’i mbarohej kurr. Por shtoji kësaj edhe represionet ekonomike të regjimit komunist erdhi një ditë që ai u katandis duke shitur karrocat me kumbulla pranë magazinave të tregtisë. Për hir të vërtetës duhet të pranojmë se Cufi ishte personi i fundit që iu shpronësua toka nga rregjimi diktatorial, falë mikpritjes së tij të pa shoqe. I kishte mbetë vetëm shtëpia që kanë sot të bijtë e tij dhe asgjë më shumë.

Një ditë të ftohtë dimri Cufi po i ankohej Lulash Dedës, shokut të tij që punonte në tregti, se nuk kishte shporet në shtëpi për t’u ngrohë me familjen. Lulashi ia rregullon që të merrte një shporet dhe lekët t’i paguante në pranverë kur të shiste kumbullat. Ja ngarkon shporetin në karro dhe Cufi niset për të shkuar në shtëpi. Rrugës takon një njeri që i thotë: të lumtë, ti i paske siguru fmitë për dimër, po ata pesë fmitë e mi si da ta kalojnë?.
Cufi e pyet se prej nga është, të panjohurin, dhe kur merr vesh se ai është prej Dobraçit kthen karrocën në rrugë e bashkë me të panjohurin niset për Dobraç. Kur arrin tek shtëpia e të panjohurit atij i del perpara gruaja me një tufë kalamaj. “Të qoftë falë!” – i thotë Cufi – dhe i falë dobraçasit të panjohur shporetin e ri të prodhuar në Pogradec e që kushtonte 920 lek, afërsisht sa rroga mujore e një drejtori… Zemra e Cufit ishte e madhe sa Taraboshi. Ishte shumë i ndjeshëm ndaj fukarenjëve dhe pranonte t’i bëj mirë tjetrit duke dëmtuar vehten.

Ai gjithnjë shkonte në Kafen e Madhe, duke pasë gjithmonë tavolinën e rezervuar. Cufi kishte ëmbëlsinë e bisedave të tavolinës, ku spikatnin batutat shumë të lezetshme e plot kripë të tij, të cilat edhe sot e kësaj dite i përmendin bashkëqytetarët e tij. Kur vinte ndonjeri që nuk i kishte besimin, përdorte shprehjen “Kosi i bardhë, qymyri i zi”, me të cilën donte të thonte se vetëm ato i besoj atij person. Kur i vinin letra apo telegrame në ato shkruhej adresa: “Cuf Shkreli, Kafja e Madhe”, kjo ishte adresa më e sigurtë e tij pasi lagjja Dudas ishte larg.

Para se të vdiste pyeti fëmijët se sa kushtonte një varr. Fëmijët i thanë se bën 1 milion lek. Ai iu la amanet fëmijvet që varrin të ma bëni të thjeshtë e me pak shpenzime dhe lekët e tjera të ja çonin azilit të pleqvet dhe të ju ndajnë atyre të gjithë paratë. Dhe djemtë e tij të mirë, Dashoja dhe Muharremi, ashtu vepruan. Cufi krijoi edhe një këngë shumë të bukur, “Tash sa dit uzdaja me borri”, autorësinë e së cilës e mbajti shumë sekret për vite të tëra dhe vetëm pak ditë para se të ndërronte jetë u tha djemvet se ajo këngë ishte krijim i tij.

Në vitin 1999 Cuf Shkrelit, kryeashikut të ahengut të vjetër shkodran, i pushoi së rrahuri zemra përgjithnjë në moshën 80-vjeçare, pasi dëgjoi 70 vite aheng të pandërprerë.

Jeta e tij kishte qenë kënga shkodrane

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...