Dhjetëra mijëra vizitorë vijnë çdo vit nga gjithë bota për të vizituar Alpet Shqiptare, e askush nuk largohet pa u ndalur në Theth. Qendra e vizitorëve u përurua dje pikërisht për të pritur miqtë e për t’ju rrëfyer atyre bukuritë natyrore, traditat e kulturën e këtyre anëve ndër shekuj. Vetëm Thethi ka 4 monumente kulture dhe 13 monumente natyre.

Park Kombëtar i Thethit, njëkohësisht edhe Qendër Historike inaguroi dje qendrën e vizitorëve. Organizata mbi Planifikimin e Qëndrueshëm Urban ‘GO2’ ideoi e realizoi interierin e qendrës duke sjellë përmes kreativitetit traditën e fshatit të parë turistik në

Alpet Shqiptare, i cili që nga 1936 ka hapur rrugën automobilistike. Kompania Bashkimi sh.p.k. realizoi eksterierin përmes ndërtimit të çatisë (mbloja më dërrasa, siç i thonë banorët e zonës) sipas standardeve e traditës.

Forma moderne e objektit të qendrës është përshtatur në maksimum me ndërtimet në zonë, falë çatisë së veshur me dërrasa pishe. Falë mbështetjes së GIZ dhe AKZM qendra tashmë është gati për të pritur vizitorët shqiptarë e të huaj, që nuk mungojnë edhe gjaë ditëve të para të Nëntorit.

Qendra është konceptuar në dy linja: për të dhënë informacion, si dhe për të shërbyer si hapësirë multifunksionale për ndërveprim mes të gjithë aktorëve. Panelet e shumta informative përmbajnë material të pasur mbi trashëgiminë natyrore dhe atë

kulturore (të prekshme e shpirtërore). Aty gjenden gjëra mjaft interesante, si detaje të florës, faunës, resurseve të pasura ujore e tokësore, arkitekturës tradicionale e traditave kulturore, e madje edhe pë Kanunin e Lekë Dukagjinit etj. Informacioni është dygjuhësh, shqip dhe anglisht.

Bërthama kryesore mbetet harta e detajuar e fshatit Theth dhe maketi i zonës, të cilët të ofrojnë perceptimin mbi zonën aq të larmishme në format e terrenit. Oxhaku si vatra rreth së cilës mblidhej familja, e ku janë vendosur stola tradicionalë druri me tre këmbë, që shërbejnë për vend takimesh e prezantimesh.

Një kënd mjaft tërheqës është zona e fëmijëve ku mbizotëron triptiku i Eposit të Kreshnikëve, i punuar me dorë nga Saida Hasaj, me copa në formë kolazhi e qëndisje.

Në ceremoninë e djeshme morën pjesë përfaqësues të qeverisë, të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të Bashkëpunimit Gjerman GIZ,

punonjës të AdZM së Qarkut Shkodër, banorë të zonës, vizitorë vendas e të huaj etj.