“Më martuan 13-vjeç”, drama e martesave të hershme në Shqipëri Pëlqej0

Martesat e hershme konsiderohen nga të gjitha konventat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, dhunë me bazë gjinore dhe shkelje e të drejtave të tyre. Por kjo nuk i ka penguar aspak disa vende të ndryshme, përfshirë dhe Shqipërinë, ta lejojnë atë me vendim gjykate, nën moshën 18 vjeç. Gazetarja Mimoza Picari përgatiti për Zërin e Amerikës një material me këtë temë:

Përfaqësues të sistemit gjyqësor rekomandojnë forcim të kritereve për lejimin e martasave të hershme dhe monitorim të tyre nga strukturat vendore. Organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, në ndryshim nga zyrtarët e qeverisë, mendojnë se shifrat e martesave të hershme janë shqetësuese. Ndërsa Parlamenti Europian në rezolutën e miratuar në korrik të këtij viti, rekomandon prerë ndalimin e këtyre martesave.

Martesat nën moshën 18 vjeç, konsiderohen nga të gjitha konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, shkelje e të drejtave të tyre dhe dhunë me bazë gjinore. Të dhënat e Instat për vitin 2017 vënë në dukje se në 16.9% të martesave , bashkëshortja ishte nën 18 vjeç, dhe në vetëm 0.5% ka qenë bashkëshorti nën këtë moshë.

Elma Tërshana e “Observatorit për të drejtat e fëmijëve”, thotë se momentalisht kjo organizatë gjykon mbi bazë rastesh. “Nga vëzhgimet tona, 80-90% në shkollat e mesme të një qyteti janë të fejuara tashmë. Këto janë realitete të copëzuara sjellin një panoramë tronditëse”- sqaron zonja Tërshana.

Martesat e hershme në 31% të rasteve, sipas statisikave të organizateve joqeveritare, ndodhin brenda komuniteteve egjiptiane dhe rome.

Orkide Driza, pjestare e komunitetit egjiptian, duke rrëfyer historinë e saj për Zërin e Amerikës, tregon se si mamaja e martoi 13 vjeç e 7 muaj për të shëruar motrën, pasi prindërit e bashkëshortit të saj të ardhshëm kishin njohje me disa mjekë në Durrës. Motra vuante nga një sëmundje në veshka dhe ajo sot thotë se e pranoi këtë martesë, për ta shëruar atë.

Pas 15 viteve martesë, Orkideja, nënë e 4 fëmijëve, i jep fund martesës, merr vetëm vajzën e vogël dhe largohet nga Kavaja për në Tiranë. Kur vajza Bleona mbushi 11 vjeç, ajo merr një vendim, për të cilin sot është penduar.

Orkide Driza: “Me vajti vajza 11 vjeç, s’kisha ekonomi të mirë dhe e fejova Bleonën. Kur shkoi 13 vjeç e gjysmë u martua. Jam penduar që e kam martuar të vogël, por isha e detyruar nga rrethanat”.

Ndërsa vajza, Bleona, shprehet për Zërin e Amerikës, se në momentin që e jëma i ka thënë se do ta martojë, nuk e ka kuptuar se çfarë do të ndodhë me të. “Isha e re, e vogel s’dija gjë. Por ja që u martova”- thotë ajo.

Ajo mendon se nuk do të lejojë që e njëjta gjë të ndodhë me vajzën e saj.

Bleona Bukri: “ E bëra unë atë gabim, të mos përsëritet me fëmijën tim”- shprehet ajo.

Sot Belona është 18 vjeç, ka dy fëmijë dhe pret një të tretë.

Legjislacioni shqiptar parashikon martesa nën moshën 18 vjeç për raste të veçanta, me vendim gjykate, duke ja lënë gjykatësit të çmojë se cili është rast i veçantë.

Emona Muçi, Kryetare e Gjykatës se Pogradecit: “Shumica e rasteve që janë prezentuar, kanë qenë për shkak të shtatzanisë, apo për shkak se ka ardhur në jetë një fëmijë. Patjetër për shkaqe emigracioni, por edhe për arsye ekonomike. Prindi i saj ka menduar se vajza mund të jetojë më mirë diku tjetër, në familjen e bashkëshortit, që mund t’i sigurojë asaj një jetë më të mirë”, – thotë ajo.

Elsona Agolli, specialiste në UNFPA: “Gjyqtarët edhe në këtë paqartësi ligjore kanë mundësi t’i ndalojnë martesat e hershme, duke marrë parasysh përkufizimin e tyre në konventat ndërkombëtare”, – thotë ajo.

Emira Shkurti, specialiste për të miturit në UNICEF: “Studimet kanë treguar, se gjyqtarët në pjesën më të madhe të rasteve, pa bërë një ekzaminim të interesit më të lartë të fëmijës, e japin lehtësisht këtët lloj autorizimi për t’u martuar”.

Ligji përcakton vetëm një raport të psikologut në prosesin e marrjes së vendimit për lejimin e martesave të hershme, ndërsa përfaqësues të sistemit gjyqësor, propozojnë edhe raport nga mjeku, që verteton pjekurinë seksuale, si dhe nëse është abuzuar me fëmijën, apo dhe përcaktimin e moshës minimale për martesë. Kodi penal parashikon dënime për kryerjen e marrëdhineve seksuale, qoftë dhe me dëshirë, nën moshën 14 vjeç.

Emona Muçi Kryetare e Gjykatës së Pogradecit: “ Duke mbajtur në vëmendje këtë fakt, legjislatori duhet të parashikojë në Kodin e Familjes moshën minimale të lejimit të martesës, që për mendimin tim duhet të jetë 15 vjeç.” – shprehet zonja Muçi.

Etleva Sheshi, përgjegjëse për barazinë gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe çështjeve sociale, duke marrë në konsideratë propozimet që vijnë nga sistemi gjyqësor, thotë se këto do të kërkojnë ndryshime të Kodit Penal dhe të Kodit të Familjes. “Ne jemi në ndjekje, dhe nuk kemi të dhëna shqetësuese për martesat e hershme”, – sqaron zonja Sheshi.

Përfaqësues të komunitetit të gjyqtarëve sugjerojnë gjithashtu monitorim të martesës së hershme, pas vendimit të gjykatës.

Gjyqtarja Emona Muçi propozon që Bashkitë ku lejohet të ndodhë martesa e hershme, të marrin masa për monitorimin, punësimin dhe arsimimin e vajzave të martuara nën moshën 18 vjeç.

Etleva Sheshi, përgjegjëse për barazinë gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë, sqaron se nuk ka struktura të veçanta për këtë qëllim dhe shton se po punohet në këtë drejtim. Fëmijët, sqaron ajo, duhet të ndihmohen nga shërbimet sociale dhe zyra për mbrojtjen e fëmijëve.

Ky monitorim merr një rëndësi të posaçme pas këtij konstatimi të hidhur.

Elma Tërshana, “Observatori për të drjtat e fëmijëve”: “ Ne hymë dhe pamë vendimet e 9 gjykatave. Rreth 60% e këtyre vajzave që kanë hyrë në martesë të hershme, brenda 5 viteve janë divorcuar”, – pohon ajo.

Protagonistë të shoqërisë civile dhe autoritetet zyrtare rendisin shkaqet e divorceve dhe problemet që lidhen me arsimimin, punësimin dhe të ardhmen e vajzave që martohen nën 18 vjeç. Ata mendojnë se në zbutjen e fenomenit të martesave nën moshë, do të ndikojë arsimimi i tyre.

Fenomeni i martesave të hershme ka vënë në lëvizje së fundi edhe parlamentin europian.

Rezoluta e Paramentit Europian e korrikut të ketij viti, kërkon nga Shtetet Anëtare të BE-së, si edhe për vendet me të cilat bashkëpunojnë, të ndalojnë me ligj martesat e fëmijëve, martesat e hershme dhe ato të detyruara.

Rezoluta nënvizon se konsiderohen mangësi ligjore në ato raste, kur martesa e fëmijëve lejohet, kur përdhunuesve, abuzuesve të fëmijëve, atyre që i rrëmbejnë, i trafikojnë, apo i skllavërojnë, u krijohet mundësia që t’i shpëtojnë dënimit, në qoftë se martohen me viktimën e tyre.

Thirrja e hapur nga Parlamenti Europian për të ndaluar martesat e hershme, pritet të shmangë dramën e përsëritur, kur një fëmijë nuk është as grua, dhe as fëmijë.