Në ndërtesën ku ndodhet sot Muzeu Kombetar i Arsimit shqiptar, ndërtesë Monument Kulture 150-vjeçare, është hapur Shkolla e Parë në gjuhën shqipe, ose siç thirrej atëhere, “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”.

 

 

Kjo shkollë u hap më 7 Mars 1887, me leje nga Perandoria Osmane. Ndërtesa ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo i cili e dhuroi këtë banesë për shkollën shqipe.
Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908.

 

 

Në këtë Muze pasqyrohet historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (evetari, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi (Veqilharxhi).
Ndërtesa e muzeut ka tetë mjedise ekspozimi.

 

 

Historiku

1. MËSONJËTORJA NË KORÇË

2. • Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë e gjuhës shqipe. Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në shtëpinë të ofruar nga Diamant Terpo. • Kjo ndërtesë sot është Muzeu kombëtar i arsimit. • Hapja e shkollës ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare.

 

3. • Mësues dhe drejtor i par ishte Pandeli Sotiri. Ai ishte një ndër rilindësit shqiptarë që kontribuan në përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. Vitet e fundit të jetës, i kaloi i internuar në Selanik. Ai e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia,gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.

 

4. • Motrat Qiriazi (Sevasti Qiriazi, 1871-1949 dhe Parashqevi Qiriazi, 1880-1970) u lindën dhe u rritën në qytetin e Manastirit, ku familja e tyre ishte zhvendosur nga Kolonja prej kohësh. Studimet e larta të dy motrat i kryen në Kolegjin Universitar Amerikan të Stambollit. Veprimtaria arsimore e motrave Qiriazi u shtri në një hapësirë kohore të gjatë, nga viti 1891 deri në vitin 1933, dhe u kurorëzua me hapjen e së parës shkollë të mesme për vajza “Instituti Kyriaz” (Qiriaz) në vitin 1922, që diplomoi një numër të madh mësuesesh me përgatitje profesionale të nivelit bashkëkohor, mësuese që shërbyen në të gjitha shollat e vendit.

 

5. • Sevastia u shqua në kolegj si studente e përparuar, por edhe si patriote e zjarrtë. Ajo shpejt ra në kontakt me Lëvizjen e Rilindësave të Stambollit dhe u vu në shërbim të çështjes kombëtare. Është i njohur një episod i fillimeve të veprimtarisë së kësaj vajze të brishtë, 20-vjeçare, që ngjason me një përrallë: e guximshme e mendjemprehtë, siç është, e veshur si djalë, ajo arriti t’i shkëpusë një leje drejtorit të burgut famëkeq të Turqisë “Jedi Kule”, për të hyrë në qelitë e errëta, ku nuk lejohej të hynte askush dhe të takojë mësuesin, rilindësin e shquar, Koto Hoxhi, që dergjej aty prej kohësh. Vajza i transmetoi atij mesazhin e Rilindasve të Stambollit, për durim e shpresë për të ardhmen e Shqipërisë.

 

6. • Në mbarim të studimeve Sevastia pati rastin fatlum të takojë Rilindasin e madh, Naim Frashëri, porositë e të cilit i lanë mbresa të pashlyeshme, që i njohim dhe po i shënojmë sipas kujtimeve të saj: “Motër, punë më të mirë e më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë, se sa keni vendosur të bëni bashkë me vëllanë për përparimin e grave të vendit tonë të shkretë. Detyrat tënde fillojnë tani dhe, po të jesh besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme, do të arrish të kryesh vepra të mëdha për kombin. Padyshim, me raste do të ndeshesh në pengesa, që mund të të duken të pakapërcyeshme, po bëhu trime, shqiptare e vërtetë, dhe do t’i mposhtësh të gjitha…”.

 

7. • Me këto porosi e me këtë frymëzim, Sevastia bashkë me Gjerasimin u kthyen në Manastir, ku vëllai kishte filluar përgatitjet për hapjen e një shkolle për vajzat. Pas “Mësonjëtores së Parë të Korçës”, që u hap më 7 mars të vitit 1887, “Shkolla e vashave”, që hapën Gjerasim e Sevasti Qiriazi katër vjet më pas, në tetor të vitit 1891, përbën një ngjarje të rëndësishme në gjithë historinë e arsimit tonë kombëtar.

 

8. • Në Kongresin e Manastirit Parashqevia ishte pjesëmarrëse si anëtare e delegacionit të Korçës, ndërsa Sevastia u përfaqësua në Kongresin e Elbasanit të vitit 1909, që vendosi hapjen e së parës shkollë të mesuese të Normales së Elbasanit.