Një ri nga Shkodra, Kristian Arra, ka hyrë për të vjedhur para në Kishën Kishën Françeskane në Shkodër. Por, ndërsa thyente drynat, është ndeshur me përgjegjësin e Kishës, Aleksandër Tanushin.

Tanushi në një rrëfim për Gazetën Shqiptare ka treguar se ndodhi ngjarja dhe se për çfarë po lutet ai tani:

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të 29 tetorit. Unë dua të jap një mesazh për opinionin, për besimtarët dhe të gjithë ata që janë shqetësuar për këtë ngjarje.

Nuk është bërë një dëm i madh, por gjithsesi ka qenë një person, i cili ka tentuar që të plaçkisë kishën, por nuk ka mundur që t’ia arrijë qëllimit, ashtu siç e ka planifikuar, sepse unë jam ndeshur me personin dhe ai më iku nga duart.

Hajdutit me sa duket nuk i kanë interesuar pjesët sakreale që janë pikturat apo të tjera si këto, por gjatë kësaj tentative, disa trupore të Shna Ndout dhe tek truporja e Krishtit dhe Shën Françeskut me sa është parë ka tentuar që t’i hapë me mjete të forta, por ka kuptuar se arka e lëmoshës ku hedhin para bamirësit ka qenë nën trupore.

Ka prishur drynin dhe i ka hapur, por s’ka gjetur asgjë, sepse ne i kemi marrë më përpara, sepse nuk i lëmë shumë aty.

Roja i parkingut përballë kishës më telefonoi dhe më tha se diçka nuk shkon në kishë dhe se dyshonte se ishte dikush brenda. Unë erdha dhe hapa dyert e kishës dhe e gjeta brenda.

Erdhi tek unë menjëherë dhe më kërkoi mëshirë dhe nga biseda shumë e shkurtër me të m’u prezantua me emrin Kristian.

Normalisht që fillimisht pata një lloj frike, sepse nuk e dija se kush mund të ishte tjetër me të apo nëse kishte mjete të forta apo edhe armë.

Nga biseda që pata, ai më tha ‘të lutem mos e thirr policinë’ dhe kur unë nxora telefonin për të njoftuar policinë ai më iku nga duart sepse unë e kisha kapur.

Personin nuk e kam parë asnjëherë në Kishën e tonë, por ka mbetur si figurë në mendjen time. Shpresoj që ta shoh sërish në kishë, por këtë radhë si besimtar që lutet.

Kisha gjithmonë i fal njerëzit dhe patjetër që e kam falur dhe sot jam lutur në mënyrë të veçantë për të dhe për të gjithë personat që mendojnë të bëjnë një veprim të tillë në kisha apo xhamia apo edhe në prona familjare që të mos ndodhin gjëra të tilla”.

Policia arriti ta identifikojë dhe ta arrestojë shpejt autorin e vjedhjes, ndërsa sipas burimeve, ai në momentin e arrestimit ndodhej në një lokal në qytetin e Shkodrës duke pirë.