Shqiptarët janë grupimi më i madh i të punësuarve të huaj në Itali dhe këtë e thonë të dhënat. Shqiptarët që punojnë në Itali janë 167.478, ose 15.2% të totalit të të huajve që punojnë në vend. Më pas ndjekin kinezët dhe marokenët.

Pra, shqiptarët janë të parët në klasifikimin e ekstrakomunitarëve. Norma e papunësisë ndër shqiptarët e Italisë fiksohet në 17.5%, relativisht e lartë në krahasim me mesataren kombëtare,

që fiksohet në 9.7%, pra thuajse dy herë më e lartë, apo edhe me normat e të huajve të tjerë që jetojnë në vend. Te femrat shqiptare që jetojnë në Itali norma e papunësisë ngjitet në 24%.

Të dhënat i takojnë fundit të vitit 2017 dhe tregojnë fakte mjaft interesante edhe për sektorë të caktuar.

Rreth 167 mijë të punësuarit shqiptarë në Itali ndahen kështu: 30% e tyre, ose 48 mijë në sektorin bujqësor, 16%, ose 26 mijë në sektorin e ndërtimit, 11 mijë ose 7% në industri, 4.5% ose 7000 në sektorin e tregtisë dhe riparimeve,

ndërsa 43.4%, ose 72 mijë në sektorin e shërbimeve, që në pjesën dërrmuese përfshijnë bare dhe restorante. Në disa prej tyre, shqiptarët janë të parët.

P.sh, 25% e të gjithë artizanëve të huaj në Itali janë shqiptarë. Në bujqësi janë të tretët në listë, dhe në ndërtim të dytët. Sa i përket komunave ndërkohë, të dhënat e raportit të publikuar

pak kohë më parë për të huajt në tregun e punës në Itali tregojnë se, në vend të parë qëndron Komuna e Milanos me rreth 9000 shqiptarë të punësuar, më pas ndjek komuna e Romës,

Firenzes, Riminit dhe Genovas. Të dhënat flasin gjithashtu për rreth 31 mijë shqiptarë të cilët janë sipërmarrës në Itali.