Hapja e Shqipërisë me partneritetin publik-privat ka bërë që vlera e pasurive kombëtare të dhëna me koncesion është 807 miliardë lekë ose e thënë ndryshe 6.3 miliardë euro sipas të dhënave zyrtare të azhurnuara në projektbuxhetin e vitit 2019-të.

Sipas të dhënave vitin që vjen vlera e koncesioneve do të kapë vlerën nominale 1.7 trilion lekë (afro 12 miliardë euro).

Përafërsisht gjysm e kësaj vlere koncesionare, 391mld lekë, i përket sektorit të energjisë dhe nuk janë në ngarkesë të shtetit, pasi pasuritë kombëtare i janë dhënë tërësisht privatit për shfrytëzim, ku kryesisht ndërtohen HEC-e.

Pak rëndësi ka për shtetin që kjo ndikon negativisht ne mjedis duke qenë se shumica e HEC-eve po ndërtohen në zona të mbrojtura çka ndikon në shkatërrimin e turizmit.
Monitor shkruan se më shumë se 22 miliardë lekë është vlera e kontratave të dhëna në sektorin e shëndetësisë dhe 28 miliardë lekë është vlera e kontratave koncensionare të dhëna në sektorin tatimor dhe doganor.

Vlera më e madhe i përket kontratave me PPP të dhënave tre vitet e fundit të cilat financohen tërësisht nga buxheti i shtetit dhe kapin një vlerë mbi 260 miliardë lekësh, ku koston më të madhe e ka ndërtimi i 6 akseve rrugore me koncesion. Ndërsa 74 miliardë lekë llogariten si kontrata shërbimesh, ku spikasin ajo për Aeroportin Nënë Tereza, dhe koncesioni për mirëmbajtjen e autostradës Durrës- Kukës.

Për periudhën 9 mujore të këtij viti buxheti i shtetit financoi 6.3 miliardë lek për koncesionet PPP. Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2018, me destinacion mbështetjen nga buxheti për kontratat koncesionare/PPP, janë në total 7.37 miliardë lekë. Nga këto, 2.85 miliardë lekë janë investime dhe 4.5 miliardë lekë shpenzime korente.

Kundrejt faktit të vitit 2017 që kapi vlerën 6.5 miliardë lekë, plani 2018 rezulton rreth 13.2% më i lartë ose 858.7 milionë lekë më shumë. Pagesat faktike në total për 9-mujorin 2018, rezultojnë 6.4 miliardë lekë ose 79.3% e planit vjetor 2018. Nivelin më të lartë të pagesave e ka shënuar muaji Mars me 1.85 miliardë lekë disbursim, nga të cilat 1.35 miliardë lekë është pagesa “one-time” e kontratës konçesionare të HEC-it mbi lumin Devoll.

Bazuar në parashikimin e ecurisë së pagesave për periudhën e mbetur të vitit 2018 (tetor-dhjetor), fondi i planifikuar për t’u shpenzuar është 1.24 miliardë lekë, nivel ky që do të përmbushte 100% planin vjetor të miratuar për vitin 2018.