Në total janë rreth 1.000 pacientë, të cilëve veshkat u kanë dalë përkohësisht ose përgjithmonë nga funksioni, te të cilët është e nevojshme kryerja e hemodializës tri herë në javë.
Fatmir Muçi, prej 3 vitesh merr këtë shërbim, por rrugëtimi që ndjek për marrjen e ilaçeve ia ndërlikon edhe më shumë gjendjen shëndetësore.
“Ne jemi të pamundur tani të shkojmë te mjeku i familjes, të mbajmë radhë, po do shkojmë te specialisti me planifikim, po do shkojmë te konsulta, pastaj tek ISKSH-ja… e vërdallë e vërdallë.
Është një rrugë e gjatë, që mendoj se shteti mund të na i sigurojë këtu ku bëjmë dializën”, tha Fatmir Muçi, pacient.
Veç shmangies së sorollatjeve në marrjen e ilaçeve të rimbursuara, 55-vjeçari kërkon që ilaçi – që ul nivelin e hormonit “parathormon”, që ka predispozitën të rritet gjatë procesit të dializës, norma e të cilët është 100, – të jetë pjesë e listës së ilaçeve të rimbursuara.
“Për mua është një problem shqetësues se po shkon ‘parathormoni’ rreth 2.000 tani, e s’e marr dot, nuk mund ta marr. Pesë tableta kushtojnë rreth 6.000 lekë. Duhet ta marr derisa të rregullohet analiza, norma është 100 e ca.
Nga 8.000 lekë që marr unë pension, as për bukë s’më dalin. Nëqoftëse kanë mundësi ta çojnë me rimbursim, që të na ndihmojnë sadopak, se na kanë filluar kyçet e sjellin pasoja të tjera pastaj”, tha më tej pacienti Fatmir Muçi.
Nëse ky ilaç që ul nivelet e “parathormonit” nuk merret, në varësi të vlerave të tij shkakton dhimbje të forta të kockave, të kruajtura të shpeshta, madje mund të ndodhin edhe thyerje të kockave, pasi ato bëhen delikate.