Fjalët që gjyshja kurrë s’i tha

Une nuk kam emën. Ma kan ngjitë nja sa me m’thirrë e me m’urdhnue, ama emën temin nuk m’lanë kurrë me ba. Historia jeme asht e trishtë, asht e dhimbshme: zor që don kush me ngue, zor që don kush me dijtë.

Asht veç nja prej historive pa za e t’zakonshme. Asht ni histori jete që sot nuk e kam ma. Nuk muj me e qitë as me e hekë asni shkronjë, se koha jeme ka shku, bashkë me andrrat e mija t’vajznisë.

 

Jam le n’nandorin e 1938-s. Ditën s’e kam dijtë kurrë. Kurrkun s’a shkrue, as në kujtesën e nanës tem.

 

Ditën që unë jam le, ish kanë ditë e zezë për te tanë në shpi. Bile i tanë katuni ia kish rrehë krahët me keqardhje babës e i kishin pas thanë, herën tjetër djalë ishalla.

Qëkaq. Asni fjalë me e urue për ni jetë t’re që ka ardhë në tokë. Te tanë ulë kryet tuj dalë prej odës, e baba i turpnuem që s’mujti me gju pushkë për me i kallxue te tanëve që i asht shtu ni pushkë n’shpi.

 

Nana e shkretë m’ka dashtë gjithë, po as ajo kurrë çikë s’ka dashtë me pasë, ki me hekë çika jeme kish pas thanë nën vajin e dhimtve që e kishin dërrmu.

 

Historia e nanës asht e njejtë si e jemja, veç se nana ish pajtu, e une kurrë s’kam mujtë.

Çka m’kan thanë po ju tham. Nuk jam kanë kurrë n’shkollë e as knim e lexim nuk m’kan msu, e gjithë kam dashtë me dijtë çka kan ato librat e vllaut t’vogël, qysh me dijtë me knue si ai, kurrë s’kam msue, e gjithë kam dashtë.

 

Kam pasë ba be, që çika jem ka me pasë fatin tjetër prej temit.

 

Jam rritë tuj m’thanë je dera e huej, m’kanë msu mirë me shujtë, mos me qitë za, me e ngue çdokan e veten me e mytë. Ni ditë m’a vnunë kanën, m’thanë që m’kan dhanë për dikan, m’kan dhanë si ni teshë që ma s’iu vynë e i jepet dikujt tjetër.

 

Mu kurrkush s’më veti, çka du une, çka du me thanë une, a due me shku a jo.

 

Jau dhanë ni plum si dhuratë t’funit. Nëse kisha refuzue me shku te ai që shpija ma ka zgjedhë, me t’njejtin plum ai ka mujt mem vra, e gjaku jem ish kanë i hupt. Jeta jeme e pavleftë.

 

S’e kam njoftë kurrë, s’e kam dijtë kush asht.

E friksueme, kam dashtë me kanë n’dhomën tem t’vorfën e t’ftoftë, po jeta jeme kish marrë tjetër kahje, e unë s’kisha ma fuqi me luftue kundër, veç me e pranue ni fat t’mallkuem e t’njetë si t’shoqeve t’mia.

Jam derrmu shumë here, po kush zanin s’ma ka ni, kush s’më ka vetë najhere a jam lodhë? A kam nevojë për najçka?

Kam pasë shpesh nevojë me nejtë vetë, me pushue shpirtin e molisun, me flejt ma shumë, e m’i dhanë pak jetë vetit. Nuk e maj men ni ditë veç temen. Gjithçka a kanë për tjertë. Unë jam kanë për tjertë.

 

Kam dashtë shpeshhere me ngajtë e lirë ledinave t’blerta, me u shtri veç pak e me lujtë sikur ditët e fminisë. Gjithë kam jetue me mallin e qatyne ditëve kur s’kam ditë gja për jetën — hera e vetme kur kam rrnue qysh kam dashtë.

 

Kam dashtë shum here me folë, me britë, me kajtë, me iu thanë atyne që jam njeri, po kush s’më kish ngu, m’kishin thirrë emna, m’kishin keshë ditë e natë, se qashtu kan ba me ato t’rrallat që kan guxue me britë, që s’kan mujtë me rrnue qashtu.

Jam kanë gjithë dera e huej, pa emën, pa t’drejta, pa za.

 

S’kam gjetë kurrë dikush me m’kuptue, me m’i fshi lotë e syve, e me m’i shnoshë plagtë e shpirtit. Rrallë kam keshë. M’patën msu se asht mëkat edhe kjo.

 

Kam pas ba be e rrfe që fati i çikës tem ka me kanë ndryshe. Që çika jem ka me pasë emën, andrra, e t’drejta, njejt si djemt e mi.

 

Une gati shkova, qatje ku ma nuk ka kthim. Nuk dij shum për atje. A thu a kam me pasë atje emën? A kam me kanë edhe atje ni derë e huej?

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...