Nga Kujtim Xhaja

E enjte… ora 17:00…

Një nga rrugët më të populluara të Tiranës, e ashtuquajtura pedonale, “gumëzhinte” nga një turmë njerëzish, të cilët ishin vendosur në rradhë dhe po prisnin me padurim përballë kinemasë premierën e filmit-dokumentar “Azizi”.

Bëhej fjalë për projektin 90-minutësh me skenar të gazetares Luljeta Progni dhe me regji te Gentian Kurtit.

Filmi kish në qendër historinë e Aziz Ndreut, njeriut që i mbijetoi tre kampeve të internimit…ishte historia e tij dhe e te tjerëve si ai…

Gazetarja kish punuar tre vjet dhe kishte mbledhur rrëfime dhe histori nga të mbijetuarit e këtyre kampeve… Të gjitha ato copëza ishin “qepur” dhe kishin sjellë këtë film-dokumentar.

…Kurrsesi nuk duhej të më shpëtonte pa parë ky film! E kisha bërë plan një javë më parë…

Bashkë me një miken time shkuam, zumë një vend diku nga fundi i rradhëve, aty ku ulëset nuk ishin të rezervuara.

Ish thënë se diku nga ora 17: 15 do të shfaqej filmi…

Salla e kinemasë u mbush plot, mes të ftuarëve të gazetares më zunë sytë njerëz të politikës, medias, madje edhe dy-tre pedagogë të mitë.

Dritat u fikën…Mbizotëroi heshtja…

Nga portat e hapura të kinemasë dëgjoja ende ecejaket e lehta të disa të rinjve, të cilët në pamundësi të një vendi bosh u mbështetën fill pas murit të kinemasë për të soditur filmin në këmbë.

Kërshëria ishte e madhe…Filmi filloi!

Viti 1948- Azizit, djalit malësor, çapkën, 14-vjeçar i digjet shtëpia…i ati është arratisur…

Disa nëpunës të Sigurimit të Shtetit marrin me dhunë motrat dhe nënën e tij dhe i degdisin në kampin e Kuçovës.

Filmi ishte sjellë i gjithi bardh e zi. Ky efekt i shtonte atij edhe më shumë ftohtësinë dhe dramën e asaj kohe…

Skamja, lufta për mbijetesë, i bën miq në kohë të vështirë tre djelmosha të rinj. Në kufijtë e mizorisë dhe makabritetit, dy çapa bukë mjaftojnë për të pushuar lotët e një të miture në kampin famëkeq. Tortura të njëpasnjëshme dy të rinjve, të cilët zihen mat tek vjedhin ca patate, për të shuar urinë…Lidhja e dy vogëlushëve me litar rreth një peme dhe mbajtja ashtu ditë e natë, vetëm se u zunë pritë duke mbushur ujë në “burimin e ndaluar”, këto ishin disa nga vuajtjet pa fund, brengat pa kufi të këtyre njerëzve…

Pas kampit të Kuçovës, rradhën e kish kampi famëkeq i Beratit…

Të njëjtët njerëz, të njëjtët emra transportoheshin sa në një kamion në tjetrin, si të ishin gjedhë të imët.

Dizanteria ish ulur këmbëkryq në atë gërmadhë, që as kamp nuk quhej!

Trupa të dobët, pa jetë, pa shpresë…

Vdekje foshnjash të sapolindura, vajtime grash mirditore, ulërima, çjerrje, fytyra e shpirtra të pikëlluar.

Lot e ngashërim në sallë…

Një zonjë në të majtën time ja bëhu të qarës me dënesë…mes lotëve diçka thosh nëpër dhëmbë: “Mizorë, makabritet…ajo kohë mos ardhtë më kurrë!”…

Në të djathtën time shihja sytë e zgurdulluar mes habisë dhe tronditjes të mikes sime…Të gjithë mbetëm të shokuar!

Po e përjetonim aq shumë atë film, e gjithë salla ish bërë një me vuajtjen e tyre, dëgjonim britmat e tyre dhe koha kish

ndalur aty…

Ai realitet i shfaqur në bardh e zi më dukej gati-gati absurd, i pabesueshëm. Logjika, mendja ime e kish vështirë ta besonte…

Ngjarja vazhdon më tej…

Nga Berati, në Turan…një fije shprese për heroin tonë, Azizin, nga një dëmtim në këmbën e tij, arrijnë ta emërojnë si ndihmësinfermier.

Një djalë i ri, i cili s’kish asnjë njohuri nga kjo fushë, i dhurohet një libër i “Mjekësisë së Përgjithshme” dhe i thuhet: “Merre, do ta lexosh të gjithin”…në vijim…betimi i Hipokratit…

Azizi, tanimë, nga një antihero i sistemit, kthehet në heroin e të gjithëve…Ai kujdeset për çdo të sëmurë, për çdo të dobët e të pamundur.

Dhe në çdo fund udhëtimi ka gjithmonë një fije shprese…

Filmi-dokumentar mbyllet me lindjen e djalit të parë të Azizit në një barakë të kampit.

Dritat ndizen…ovacionet e publikut në sallë më rikthejnë sërish në realitet…

Ky ishte filmi “Azizi”, filmi i mbijetesës, dhimbjes, absurdit të asaj kohe të errët. Ish një film, i cili i fliste edhe një herë ndërgjegjes, ndjenjave njerëzore dhe tregonte, mësonte sesi

në një kohë të mbrapshtë fati i njeriut, vlerat humane të tij mund t’mos kenë asnjëfarë rëndësie, kurrfarë vlere.

Ndaj, janë kaq të rëndësishëm, risjellja në kujtesën kolektive e personazheve të tilla si Azizi, jo vetëm për ngjarjen,

mesazhin që ata japin, por edhe për botëkuptimin, përqasjen e re që ata përcjellin në brezat e rinj, pasardhës