Jep dorëheqjen ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale i cili njofton se ka pranuar dorëheqjen e Xhafajt.

Kreu i qeverisë njofton gjithashtu edhe emrin e ministrit të ri të Brendshëm. Ai do jetë Gjeneral Sandër Lleshi, që aktualisht mban detyrën e këshilltarit për sigurinë pranë kryeministrit.

Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.

Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.

Nuk dihej ende arsyet e dorëheqjes së Xhafajt, por ai ka qenë në qendër të akuzave të opozitës për çështjen e vëllait të tij për dosjen “Babalja”.

Fatmir Xhafaj u emërua në detyrën e ministrit të Brendshëm në mars 2017, pas shkarkimit të Saimir Tahirit, i vënë gjithashtu në qendër të akuzave dhe sulmeve të opozitës për bashkëpunim në trafik droge me grupin e Habilajve.

Detyrë të cilën Xhafaj do ta linte në maj 2017, pas paktit të 17 majit Rama-Basha dhe do të emërohej ministri teknik Dritan Demiraj. Por pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga PS, Xhafaj u rikthye në të njëjtën detyrë në kabinetin “Rama 2”.

Dorëheqja e Xhafajt vjen e papritur në një kohë kur si ish-ministri, por edhe kryeministri Edi Rama, krenoheshin për punën e policisë së shtetit, në betejën me krimin e organizuar.

Vetëm një javë më më parë, “Forca e Ligjit” organizoi një megaoperacion të koduar “VOL-VO 4” në 12 qytete të vendit duke çuar në pranga 34 persona, mes tyre dy ish deputetët e PS, Arben Ndoka dhe Abren Çuko si dhe të tjerët të skeduar si koka të trafikut të drogës dhe organizatorët e laboratorit të heroinës në Has.

Ndërsa në një dalje të përbashkët për mediat me kreun e policisë gjermane, Xhafaj njoftoi se do ketë zhvillime interesante, të cilat nuk vonuan, por njëherazi edhe suprizuan opinionin publik kur kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të shtune njoftoi se ka pranuar dorëheqjen e ministrit.