Mehdi Kraja ishte vetëm 5 vjeç kur kishte udhëtuar nga Shkodra në Tiranë për të njohur të atin.

Hafiz Ali Kraja, hoxha i Shkodrës, ishte i burgosur në burgun e Tiranës në vitin 1946.

Ne nje rrefim per Tema, Mehdiu rrefen se si u njoh me babin përmes hekurave të burgut.

Ja rrefimi i tij:

“Ishte një ditë e diel kur nana më veshi me tesha të mira e më tha se do të niseshim për udhëtim. Isha afër 5 vjeç. Më tha do të shkojmë në Tiranë për të takuar babën.

Nuk kam për ta harru kurrë atë çast gëzimin që më përshkroi edhe kuriozitetin për të parë se cili ishte babai im.

Unë nuk e njihja babain sepse kur linda unë ai ishte në internim më pas nëpër burgje e kështu nuk pata mundësi ta kem pranë. Mbërritëm në Tiranë dhe mbaj mënd kur shkuam te godina e burgut.

Dera ishte me hekura. Unë isha i vogël e më dukej gjigande ajo derë. Bashkë me nënë e me xhaxhain po prisnim te dera kur u shfaq para nesh ai burrë me mjekër.

U hutova kur e pashë që kishte mjekër dhe e pyeta nanën time pse ishte ashtu.. erdhi e më përqafoi por nuk e di pse atë ditë unë nuk i thirra dot baba…. I thirra babë kur u bëra burrë, kur ai u lirua nga burgu”.

Hafiz Ali Kraja ishte Hoxhë, ishte një ndër mendjet e ndritura të intelektualëve të Shkodrës, një ndër klerikët më në zë shqiptar, filozof, atdhetar i shquar, ishte ndër të parët që mbajti fjalime paralajmëruese për çfarë do të sillte komunizmi në Shqipëri.

Dhe tamam për këtë, ai u persekutua për gjithë jetën bashkë me familjen e tij. Hafiz Ali Kraja i shpëtoi dënimit me vdekje dhe më pas u dënua me 25 vjet burg.

Për shkak të disa faljeve në moment të ndryshme të historisë së regjimit, Hafiz Ali Kraja doli nga burgu në vitin 1965 pasi vuajti 19 vjet nëpër burgjet komuniste.