Zyliha Miloti, ikona e humorit shqiptar

Zyliha Miloti lindi më 11 janar 1946, në Shkodër. Mbaron liceun artistik Jordan Misja në vitin 1965 për aktore dhe që nga viti 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret më të suksesshme të Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Mban titullin “Artiste e Merituar”.

Mëngjeset e bukura me diell, gjallërohen çdo ditë në qytetin e Shkodrës, nga lëvizja sa tradicionale edhe bashkëkohore, të mjeteve që nuk nxjerrin tym dhe që nuk bëjnë zhurmë. Këto janë biçikletat.

E në një nga këto biçikleta, në lagjen e vjetër Perash, çdo ditë mund të shikosh një personazh të njohur,

që përshëndetjet e banorëve e shoqërojnë deri tek tempulli i teatrit “Migjeni” ku ajo hyri shumë e re dhe jetoj si të ishte shtëpia saj e dytë. Kjo është aktorja e madhe e humorit shkodran dhe atij shqiptar: Zyliha Miloti.

Pa i mbushur 14 vjet, kur ishte në klasën e 7-të, ajo u paraqit për herë të parë para publikut si një këngëtare e vogël shumë e talentuar.

Rolet e para kanë qenë dramatike dhe si aktore e humorit ajo i filloj në moshën 20 vjeçare në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës pranë teatrit “Migjeni”.

Shkodra është quajtur dhe e quajnë ende “Djep i kulturës dhe i qytetërimit”, ky djep ka përkundur kaq e kaq emra kolosësh. Një ndër këto emra është edhe aktorja e mirënjohur e humorit, Zyliha Miloti.

E paarritshme në skenë, gjithmonë e respektuar dhe modeste. Me qindra role në karrierën e saj të shkëlqyer.

Galeria e personazheve që krijoi dhe eksperienca e saj, bënë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar.

Zyli është sinonim i estradës, aktorja e të gjitha planeve, një grua fisnike, plot elegancë dhe mjaft komunikuese.

Fjala e mirë është në fillesën e çdo fjalie të saj. Ajo gjithmonë u paraqit denjësisht, ashtu si e kanë njohur në vite shqiptarët në skenë, ekran, radio, intervista, apo krijimtari: e thjeshtë, elegante, krenare, e sinqertë, pa teprime, një grua e vërtetë shqiptare, me të cilën Shkodra krenohet.

Një gjysëm shekulli karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 250 premiera shfaqjeje.

Në çdo premierë rolet e saj kanë spikatur për interpretim të shkëlqyer dhe kanë qenë të arritura. Përveç këtyre ajo ka marrë pjesë në teatrin e dramës dhe në një numër të madh filmash të kinostudios “Shqipëria e re” dhe të atyre pas viteve ’90.

Gjithë jetën e saj pa u larguar asnjë ditë nga kjo estradë e që prej vitit 1967 ajo ka interpretuar plot gjallëri në shfaqet e planifikuara të asaj kohe në fshat, malësi si dhe në të gjithë Shqipërinë.

Edhe pse ndodhen ndryshimet, eksodi, lëvizje demografike, ajo nuk u largua nga Shkodra për asnjë ditë. Një jetë të mbushur me role dhe ngjarje nga më të bukurat, me role të plota, asnjëherë nuk është lënë në prapavijë.

Zyliha Miloti është një artiste me botë të pasur shpirtërore, në interpretimin e së cilës rrjedh natyrshëm humori shkodran. Një aktore e mrekullueshme me një intuitë improvizuese.

Ajo është produkt i një vokacioni hyjnor për t’u ndjerë në skenë si në shtëpinë e vet. Zyliha Miloti është shikuar gjithmonë me admirim për energjinë dhe fisnikërinë që përcjell kjo artiste e madhe me vlera të rralla dhe me një karrirë të përsosur.

Një artiste e jashtëzakonshme dhe e pazëvendësueshme, e sinqertë, e qeshur, plot optimizëm dhe unike, ajo la gjurmë me jetën e saj artistike, në historinë e teatrit dhe filmit shqiptar.

Zyliha Miloti ka pasur fatin e madh që ka punuar me një plejadë artistësh të mëdhenj, regjisor e shkrimtarë në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës pranë teatrit “Migjeni”. Ajo gjeti një grup aktorësh të paarritshëm.

Ka qenë regjisor i ndjeri Paulin Sekuj i cili ka punuar për një kohë të gjatë me Zylin, pastaj kanë vazhduar të tjerë regjisor të mëdhenj si:

Serafin Fanko, Etmond Mhilli, Stefan Çapaliku, Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, Fatbardh Smaja, Bruno Shllaku etj, si dhe shkrimtarët Fadil Kraja, Kolec Pepa, Paulin Selimi e të tjerë, që kohët e fundit janë përfaqësuar denjësisht me Zylin.

Puna me këto artistë të mëdhenj ka qenë për Zylin një akademi e madhe arti, duke qenë vazhdimisht në krah të tyre, ajo arriti që me talentin e saj të rrallë, me përkushtim e

pasion të arrijë majat e profesionalizmit dhe sot respektohet nga të gjithë, duke i dhuruar asaj duartrokitje dhe mirënjohje.

Nuk harrohet dyshja e humorit Tano Banushi – Zyliha Miloti, për 25 vite me radhë dhe më vonë me aktorin Paulin Preka që janë padyshim maja e estradës shqiptare.

Qindra role ka interpretuar Zyli edhe me aktorë të tjerë, duke pasur materiale letrare të jashtëzakonshëm, me të vërtetë secili më i mirë se tjetri.

Nuk harrohet kurrë autori i pashtershëm i burimit të këtij materiali letrar shkrimtari humorist, i ndjeri Paulin Selimi, cikli i parodive me Gjosho Vasinë, apo kupletet dhe paroditë e spikatura me aktorin, humoristin e shquar Zef Deda.

Në plejadën e mrekullueshme të aktorëve ka qenë edhe i paharrueshmi Hasan Smaja (Artist i merituar), Bik Pepa, si dhe aktorët e një brezi më të ri, Zef Deda, Besnik Çinari, Jolanda Shala, Katrina Biga,

Drande Xhaj, Gëzim Kruja, Smajl Alia, Sandër Ruçi, Anton Krosaj, Muhamet Çekini etj. Talenti dhe aftësia profesionale e Zylit, sigurisht që ka bërë të jetë e përshtatshme për këta aktor, duke punuar me një dëshirë e pasion të madh me të cilët sukseset kanë qenë gjithmonë të garantuar.

Zyliha Miloti ka qenë gjithmonë shumë energjike në rolet që ajo ka interpretuar me kaq siguri dhe madhështi, jo vetëm në estradë por edhe në dramë e komedi, pa harruar pjesëmarrjen e saj në filma, opereta etj.

Ajo vazhdon të jetë aktive edhe sot në veprimtaritë artistike të teatrit “Migjeni”, duke sjellë gjithmonë një zë të veçantë, një aktore shumë cilësore, me një jetë artistike të mbushur me suksese pas suksesesh, me rregulla dhe kërkesa të larta, sidomos përsa i përket përmbajtjes së skeçeve.

Gjithçka kalon në vrimë të gjilpërës, shumë bukur dhe me fjalë inteligjente, humor të zgjedhur dhe një dialog plot finesë. Ajo është specialiste e skenës dhe i ka dhënë shumë artit shqiptar.

Estrada e Shkodrës gjithmonë i ka paraprirë humorit shqiptar. Pa kontributin e estradës së Shkodrës, nata e vitit të ri as nuk është menduar të realizohet në RTSH.

Në estradën e Tiranës ka pas një thënje që kur do të vërtetosh se sa humor ka shfaqja, shko në Shkodër dhe po të vlerësuan aty shfaqja është në rregull. Ky është treguesi më i saktë sepse barometri matës është vetë publiku shkodran.

Zyliha Miloti ka interpretuar në shfaqjet e saj edhe jashtë kufijve të atdheut, në trevat shqiptare dhe në diasporë,

ku është pritur jashtëzakonisht mirë, duke pasur në krah aktorin e madh, artistin e merituar Paulin Preka dhe më pas me aktorin e talentuar Besnik Çinari dhe me një grup nga Shqipëria,

aktorët e estradës së qytetit të Durrësit Muharrem Hoxha dhe Roland Koçi, në Toronto (Kanada), ku patën një sukses të jashtëzakonshëm. Po ashtu disa herë ka qenë edhe në SH.B.A. ku edhe atje është pritur jashtëzakonisht mirë dhe me emocione shumë të mëdha.

Në vazhdën e disa komedive veçohet “Surpriza” e shkrimtarit dhe dramaturgut të famshëm, Fadil Kraja, si dhe “O vajzën, o komunën”, “Vëllai nga babai”, të shkrimtarit Qazim Çela.

Është pasioni dhe dëshira e madhe, dashuria që Zyli ka për vendin dhe qytetin e Shkodrës që sot interpreton me aq freski dhe me një humor që jo vetëm buron nga shpirti i saj, por ky humor është një pus i thellë që nuk shteron për asnjë stinë të vitit.

Ajo vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë aktive edhe sot e kësaj dite me aktorët e mëdhenj, Zef Deda e Besnik Çinari, dhe me një brez më të ri që Shkodrës nuk i mungon kurrë.

Ky bashkëpunim solli edhe suksesin e shfaqjes “Big brother 1″ të shkruar nga regjisori Arjan Çuliqi në të cilën ishte regjisor edhe Fatbardh Smaja si dhe “Big brother 2″ po me regjisorin Arian Çuliqi, të shkruar me bashkautorin Besnik Çinari, që teatrit “Migjeni” i kthyen kohët e bukura, kur ishte vështirë të gjeje një biletë.

Zyliha Miloti ka luajtur në shumë shfaqje teatrale, por disa kanë mbetur si një identitet i saj, duke e thirrur me emrat e roleve siç janë: Hana, Rabija, Zade, Luli, dhe Lokja me të cilën ajo përfaqsohet për herë të dytë duke realizuar një tjetër figurë të Lokes:

një nënë kosovare e cila në luftën për çlirimin e Kosovës, pasi përcjellë për në U.Ç.K. 9 djemtë e saj së bashku me vajzën e vetme, duke iu dhënë bekimin e saj si nënë, mbas pak çastesh i rrethohet kulla me ushtarë serb.

Momente të vështira për një plakë të vetme por trimëreshë që nuk mposhtet para tyre. Emocione të mëdha, përlotje në përcjellje të fëmijëve dhe barbari nga ana e serbëve deri në qorrim të syve.

Megjithatë Lokja ndihet e lumtur që nuk i shikon më këta barbarë. Këtë figurë ajo e realizoi me shumë vërtetësi në videoklipin e një kënge kushtuar heroizmit të nënave kosovare gjatë kësaj lufte.

Ajo mishëron artistikisht atë që ka krijuar në tekstin e këngës autori i saj Gjovalin Dushaj, i njohur si një autor me vlera në planin artistik e patriotik, si dhe interpretimin e shkëlqyer të këngëtarit të talentuar Pëllumb Vrinca.

Këto ditë ka filluar punën për të vënë në skenë një komedi të shkrimtarit Fadil Kraja “Fejesë me internet”, me regjisor Bruno Shllaku, ku rolin kryesorë si gjithmonë e interpreton Zyli, në rolin e “Anës ”

Në bisedat me Zylin, duke shijuar një kafe, duke diskutuar për tema të ndryshme, por në mënyrë të veçantë për jetën artistike, ajo shpesh kthehet prapa në kujtime dhe përmend

me nostalgji kohën kur ajo interpretonte në skenën e teatrit me aktorët e paharruar Tano Banushi, Hasan Smaja, Bik Pepa, Jolanda Shala etj.

Shkrimtari dhe dramaturgu i madh Prof. Fadil Kraja thotë për Zyliha Milotin: “Në çdo teatër të shkojnë dhe vijnë shumë aktor, regjisor autor apo skenograf, shumica dërmuese e tyre, me kalimin e kohës harrohen, fshihen nga kujtesa, sepse nuk lënë gjurmë.

Të pakët, shumë të pakët janë ata që kujtohen dhe i qëndrojnë kohës dhe ndërtojnë, apo shkruajnë historinë e çdo teatri, kudo që interpretojnë.

Në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, Zyliha Miloti është një aktore e tillë, pjesë e rëndësishme në historinë e këtij teatri gjurmëlënës.

Aktore potente, me një patos të lakmueshëm, me individualitet, me sharm…jo vetëm në shtratin e humorit e të satirës ku shkëlqen gjithashtu, mjeshtërisht.

Talentë të tillë si Zyli janë fat për një teatër, sepse vinë rrallë. Ata nuk kanë moshë. Në kujtesen e spektatorit ata mbeten të rinj e të freskët përjetësisht”.

Në një bisedë me artistin e mirënjohur regjisorin dhe karikaturistin Bujar Kapexhiu morëm këto vlerësime: “Zyliha Miloti mendoj se është ndër aktoret më të mira të humorit shqiptar në përgjithësi,

jo vetëm në interpretimin e karaktereve, por njëkohësisht në improvizimin dhe theksin e batutës humoristike me një plastikë të përsosur dhe mbi të gjitha me një lirshmëri në lëvizjet në skenë.

Kam pasur fatin që ajo ka interpretuar në filmin tim “Dy herë mat” duke i shtuar vlerat e autorit dhe regjisorit. Janë talente që rrallë i vijnë skenës dhe filmit shqiptar”.

Besnik Çinari, një ndër partnerët më të spikatur të Zylit, pa dyshim vlerësimet e t’ia i shpreh me ngjyra humori: “Zyliha Miloti është një ndër aktoret e shquara në të gjitha kohërat në Shqipëri.

Është fat i madh për mua me interpretu në skenë krah saj, këtu e 32 vjet më parë, e fat më i madh që rreth 20 vjet të jesh si një partner”.

Regjisori i teatrit “Migjeni” Fatbardh Smaja rrëfen me respekt për Zylin: “Është një aktore e kompletuar.

Ajo interpreton në mënyrë të jashtëzakonshme. Gjithmonë ka pasur diçka të veçantë në ndërtimin e figurave artistike në botën e personazhit. Gjithmonë përpiqet të shpërndaj mirësi në grup. Dëgjon me shumë vëmendje dhe përpikmëri kërkesat e regjisorit”.

Ja çfarë thotë Mjeshtri për Mjeshtren: “Bujar Qamili e vlerëson Zylin si një nga aktoret e humorit dhe komedisë që rrallë mund t’i vij teatrit “Migjeni”. Një emër shumë i madh që është e pëlqyeshme në çdo shtëpi shkodrane dhe shqiptare.

Emri i Zyliha Milotit është sinonim i teatrit “Migjeni”, pa Zylin nuk mund të bëhet humor në skenë. Zyli me madhështinë e saj vazhdon të ecë me biçikletë nëpër Shkodër dhe shpesh qytetarët kur e shikojnë thonë (Si s’po din m’u plakë Zyli).

Zyli është dhe do të mbetet ikonë e humorit shqiptar. Është kënaqësi e madhe për këdo kur është ballë për ballë, sidomos kur pin një kafe me Zylin”.

Zyli është vlerësuar me disa çmime, tituj dhe shpërblime. Artiste e Merituar, “Gruaja e vitit 2000-2001″ nga Instituti i Biografive në Kembrixh të Anglisë, duke u zgjedhur mes 2000 personaliteteve botërore..

Ka marrë çmime në “Ditët e humorit”, pastaj çmimin “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin “Për kontribut të shquar në artin skenik dhe interpretim me nivel të lartë në gjininë e humorit”: “Mjeshtre e madhe e skenës”, dekoruar nga Presidenti i Republikës, si dhe me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë ju akordua çmimi “Ambasadore e paqes”.

Arritjet dhe suksesin e saj Zyli ja dedikon familjes, e në mënyrë të veçantë, burrit të saj, Fuatit i cili ka qënë një shok dhe frymëzues për te. Ai ka qënë muzikant në estradë si dhe piktor.

Sot Zyliha Miloti ndihet e lumtur, ka një vajzë Aidën në Gjermani, dhe ajo që ja freskon më tepër jetën është mbesa e vogël Lulebora që e don shumë dhe shpreson që të ketë talent edhe ajo pasi po mëson baterinë, si gjyshi i saj i ndjeri Fuat Miloti.

Freskinë dhe lumturinë e jetës Zylit ja shton edhe nipi i saj Driloni, i cili edhe ai premton shumë për një vokal të bukur, e pse jo, kot nuk thonë dardha bie nën dardhë.

Një peng që ka mbetur në karrierën e saj artistike të suksesshme është reduktimi në identifikimin e roleve dramatike, aftësi e cila nuk është shfrytëzuar sa duhet nga regjisorët e teatrit të dramës.

Kjo aftësi u demonstrua edhe në teatrin “Apollonia”, në festivalin mbarë kombëtar me teatrin kombëtar, e cila shkëlqej dhe u quajt befasi e festivalit, duke mahnitur publikun dhe duke u vlerësuar si aktorja më e mirë e këtij festivali.

Zyli rrëfen për Shkodrën duke thënë se ajo e do shumë qytetin e saj të lindjes dhe se kur largohet dëshiron të kthehet shpejt. Ajo tregon se kur shikon kalanë i mbushen sytë me lot nga malli.

Ajo është optimiste se Shkodra është dhe do të mbetet Shkodra, djep arsimi, kulture e sporti, ashtu siç e kanë ndërtuar të parët tanë e siç do ta ruajnë e çojnë më tej, brezat që do të vijnë.

Ky fakt, thotë ajo më freskon dhe rinon. Dhe kjo batutë e (thënë) hedhur me humor, siç është vetë natyra dhe karakteri i saj mos t’u duket çudi: Ajo e nget biçikletën nëpër Shkodër si një vajzë e re.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...