Një profil i pazakontë për një legjendë të humorit shkodran

1.Tefa… Polifotoja e komikëve të qytetit tim është e pafund… Polifoto me emra të nderuar, që u ngjajnë yjeve. Nga ata yje që Dritësojnë parreshtur e të Mrekullojnë!..

Në këtë kolanë, kësaj here këto rreshta i kam për karikaturistin e talentuar dhe të njohur Shtjefën Palushi (TEFA), jeta artistike e të cilit, krahas botimit të karikaturave me Siglën: Tefa, në gazeta e revista,

në kopertina librash (Kujtoni: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të D. Agollit), të ilustrimeve të vjershave,

tregimeve e përrallave në revistat për fëmijë; ka lidhje edhe me teatrin e qytetit tim, veçanërisht me skenën e estradës, ku ishte skenograf i dekoreve të shumë shfaqjeve.

Kam edhe një arsye tjetër të flas dhe ta kujtoj… Krahas talentit të pashembullt si karikaturist, me batutën brilante e fantastike “qit e prit”, humori i tij ishte i jashtëzakonshëm.

Si i tillë, prurjet e tij në zhanrin e karikaturës, flasin se TEFA ishte vazhdues i denjë, i papërsëritshëm i humorit shkodran, i traditës shumëvjeçare i këtij thesari të vyer..

Kjo ishte edhe ura lidhëse me komikët e breznive të mëparshme, ku e qeshura kësaj here ishte e stampuar në karikaturë.

Kam edhe një arsye tjetër, përsëri, të flas dhe ta kujtoj… TEFËN e njoha së afërmi. Ishim miq, sepse për dy vite zyra ku punoja unë, ishte pranë studios së tij, ku e e vizitoja çdo ditë, dhe nuk dija se si orët iknin pakuptuar…

Ishte një studio ku e qeshura ishte kthyer në personazh… Nuk mund të shkruhet e të peshohet humori që mbartëte e “shpikte” ai Njeri… Intiligjencia dhe intuita e tij rrinin fshehur në karikaturën e tij.

Nuk e mësova kurrë burimin e këtij humori, por gjithësesi mendoja që ky Njeri duhej të kishte lindur në një vend, ku e qeshura shpërthen si ujëvarë.

Ngaqë e njoha mirë TEFËN, një figurë që duhet të studiohet më në thellësi për artin e tij, le të jetë rrëfimi im si një tufëz yjesh që përpiqet të ndriçojë sadopak njohjen e mëtejshme të tij në qiellin e karikaturës shqiptare…

Si tipologji krijuesi, përmes “rrëfimit” të karikaturës, ai mbeti një krijues që diti me anë të kësaj gjinie të lëvronte të përditshmet e realitetit, problemet, hallet, dukuritë dhe fenomenet. Këto ishin temat e preferuara, ato në rrafshin social.

Në diçiturat e tij, krahas kontrastit me karikaturat, ai pohonte fuqishëm vizionet e së nesërmes. Ai, po aq besim sa kishte te karikatura, po aq besim kishte te e nesërmja e jetës. E jetoi jetën përmes karikaturës…

2.Kujtimi kurrë nuk është i vonuar…

Kujtimi kurrë nuk është i vonuar… Ai hedh një dritë të re, realizon një ëndërr të kahershme, bën që brenga të mos mbetet brengë, në fund të fundit të qetëson shpirtin. Kujtimi kurrë nuk është i vonuar…

Sepse ngjarja nuk vjetërohet. Sepse ngjarja nuk është e vjetëruar nëpër vite. Ndoshta mund të ketë drithërima… Por ti me anën e kujtimeve edhe këto drithërima i kthen në petale lulesh.

Kujtimi kurrë nuk është i vonuar… E sjellë në kohë, sepse koha e do. E ke larguar nga muzgu i vetmisë. E ke plotësuar me shumë rreze drite e shprese portretin e njeriut për të cilin shkruan. Sepse… ja edhe që ndodh…

Sa ishte gjallë, koha dhe njerëzit i mbetën borxh. Me kalimin e viteve krijuan një zbrazëtirë të thekshme. Për këtë nuk ka shfajsim. I thashë të gjitha këto, sepse Tefa i meritonte të respektohej. Ai ishte fenomen artistik.

Tefa, nga natyra, ecte ngadalë. Në studio mund të gjeje, shpesh, paradite, por domosdoshmërisht pasdite.

Me studion, kishte një lidhje të pazgjidhshme. Aty, në atë mjedis, frymëzimi bënte realitet talentin e tij. Aty hidheshin shumë ëndrra. Por… edhe shumë ëndrra zverdheshin e nuk çelnin.

Tek ajo dhomë-studio, TEFA rrëfehej… Tek ajo dhomë-studio, shpirti i TEFËS ofshante, pikëllohej, mërzitej, ëndërronte… Tek ajo dhomë-studio, TEFA derdhte frymëzimin… Merrte jetë arti i tij i magjishëm.

Me orë të tëra, ashtu i ngulitur, i kërrusur mbi atë tavolinën e vjetër, mbi fletën e bardhë hidhej mendimi artistik në mënyrë sintetike.

Hidhej me ngjyrat e humorit shkodran përmes turrës së flamastrave shumëngjyrëshe a të penelave… Kujtoni sadopak diçiturat, sa të befta aq të gjetura, për të kuptuar humorin karakteristik e fin të TEFËS.

Me një vullnet të jashtëzakonshëm, të papërkulshëm, pa u mërzitur, me atë cigare që e ndizte papushim, Tefa, ku gjente prehje e qetësi, punonte e ripunonte disa herë të njëjtën karikaturë.

Ishte kërkues ndaj vetes. I gjithë qëllimi i karikaturës (krijimit) ishte që të arrinte vlerat e vërteta artistike, ashtu siç donte TEFA, ashtu siç na i falte arti i mrekullueshëm i Artistit TEFË PALUSHI.

3.Një ditë, si çdo ditë… Një ditë, si çdo ditë Tefën do ta gjeje në studion e tij. Studioja ishte fatlume që kishte Mik të përhershëm një Artist si TEFË Palushi.

Në të vërtetë, ajo, nuk ishte një studio prej së vërteti artisti. Ajo ishte një dhomë e madhe, me hapësirë e dritë. Kishte shumë dritare, dhe të mëdha. E pamobiluar me orendi të domosdoshme.

Në të vërtetë ishte një dhomë… si për t’i larë një borxh atij Artisti të talentuar. Në fund të fundit për t’i mos “shqetësuar” ata, që çuditërisht buzëqeshnin, tundnin kokat teksa shihnin karikaturat e tij të botuara në gazeta e revista.

Pastaj… ata… thonin: “… ku i ka shkuar mendja!” Pastaj, ata, në mjedise të ndryshme tregonin qyfyre e barcoleta në emër të tij. Qeshnin dhe gajaseshin. U shkonte e qeshur, si i thonë një fjale, vesh më vesh.

Por, ata harronin, se kur vinte dimri, ajo dhomë-studio pushtohej nga mbretëria e të ftohtit. Mjafton të qëndroje pak minuta në këmbë, e fillonte “vallja” e çmendur e kërcitjeve të vazhdueshme të dhëmbëve.

Ajo “valle”, aty… përmes xhamave jo pak të thyer, ku frynte lirshëm thëllimi i erës vjeshtore e thëllimi idhnak dimëror.

E, megjithatë, duke i bërë sfidë asaj tragjedie migjeniane, asaj “Bukurie që të vret”, Artisti Palushi i kërrusur, duke iu dridhur dora me lapsin që nuk e largonte asnjëherë, vazhdonte të punonte pa bërë asnjë “mungesë” në studion e tij.

Po, ashtu i kërrusur gjente rastin t’u jepte edhe ndonjë buzëqeshje krijimeve të tij, ndonëse rrallë, sepse siç e përmendëm, nga natyra ishte mjaft kërkues.

Ajo studio, që siç thonte Mjeda të bënte të këndoje vargun “Struku, struku i shkreti plak”, është dëshmitare e heshtur dhe e vetme e artit të tij të mrekullueshëm dhe mahnitës, që e krijoi me talentin e tij dhe e la pas si një thesar i vyer karikaturisti TEFË Palushi.

Mbase edhe ndokujt mund t’i kujtohet kjo që po them… Shpesh dëgjonim barcoleta. Dikush thonte: “E ka thënë Tefa!..” Shpesh dëgjonim dialogë humoristikë. Përsëri thonin: “E ka thënë Tefa!..” Shpesh përsëritnin batutat e mrekullueshme “Qit e prit”.

E përsëri thonin: “I ka krijuar Tefa! I ka thënë Tefa!” I gjithë humori mbante emrin e Tefës. E, ka pasur vite që ky humor shëtiste në Shkodër me thënien proverbiale: “E ka thënë Tefa!..” Po, po, “E ka thënë TEFA!..”

Dhe TEFA mbeti kaq popullor, dhe mbeti i tillë, sepse edhe sot do të dëgjosh njerëz që thonë duke buzëqeshur: “E ka thënë TEFA!..” Mbase kjo shprehje, ky çast është dëshmia më e mirë e mosharrimit e atij njeriu që batutën humoristike e kishte gati si përgjigje… Me këtë batutë TEFA bëri art, krijoi epokë dhe lavdi.

4.Tefa…

Ai u nda nga gjiri i artdashësve dhe artistëve në moshën 42-vjeçare, kur ishte në kulmin e krijimtarisë së tij të frytshme. Një kujtim i paharruar mbetet për Tefën mbetet edhe gazeta e Shkodrës “Jeta e re”, ku qe bashkëpunëtor i ngushtë i saj.

Tre ditë pas vdekjes, në faqet e saj “Jeta e re” (e shtunë, 20 korrik 1985) shkruan: “Tefa! Një emër i dashur dhe i respektuar për të gjithë lexuesit e shtypit e veçanërisht të gazetës “Jeta e re”.

Që në numrin e parë të saj ai ishte ndër bashkëpunëtorët e parë, në atë këndin e vogël të humorit, ku ai gjithmonë trajtonte problem të mëdha nëpërmjet gjinisë së karikaturës.

Sa herë vinte në redaksi me një dosje nën sqetull, me hapin e qetë e të ngadalshëm, na sillte gëzim e humor. …

Cilësitë më të mira të humorit të tij i gjen jo vetëm në 214 karikaturat e botuara në gazetën “Jeta e re”, por edhe me qindar të tjera të botuara në “Zërin e popullit”, “Hosteni”, “Ylli”, “Drita”, “Fatosi”, në ilustrime librash e në organe të tjera të shtypit tonë.

Shtjefën Palushi, i njohur me firmën “Tefa”, qe fitues i çmimemeve të para në disa ekspozita e konkurse kombëtare, hapi edhe disa ekspozita vetjake, të cilat ishin një pasurim i mëtejshëm i fondit të artit grafik kombëtar. …

Talenti i tij prej artisti la gjurmë të paharruara edhe në frontin e prodhimit. Si piktor në fabrikën e pëlhurave të qytetit tonë, për vite me radhë ai krijoi modele të reja,

me frymë kombëtare popullore, me motive nga flora e fauna e pasur e vendit tonë. E kush i ka parë bluzat e stamposura për fëmijë e për të rritur dhe nuk ka thënë: “Sa të bukura!”.

5.Dy kujtime nga Miqtë e TEFËS

Paulin Selimi, shkrimtar humorist

“Natyra qe treguar dorështrënguar me Tefën përsa i përket shëndetit dhe forcës fizike, por në të njëjtën kohë ia kishte kompensuar këtë me karakterin, talentin, zgjuarsinë dhe shpirtin e tij fisnik e qelibar.

Kishte aftësi të jashtëzakonshme si karikaturist, por edhe si humorist me batutat e tij të befta, të zgjuara e me një humor plot finesë. Mendja e tij e pazakontë bënte me mijëra fluturime e prodhonte mijëra ide, të cilat i shprehte pastaj me anë të penelit apo me barcoletat e çastit.

Firmën e tij e mbajnë qindra e mijëra karikatura të botuara në “Hosteni” e në organet e tjera të shtypit, ilustrime librash (mes të cilëve edhe Zylon e mirënjohur të shkrimtarit

Dritëro Agolli, pa harruar edhe librat e mi: “Gati, orkestra!..” e “Një skeç për veten”), dekore estradash, modele të larmishme tekstilesh për fëmijë dhe për të rritur… Ishte një piktor i lindur dhe modern. Ai ishte gjithnjë në kërkim të formave e ideve të reja.”

Kolec Pepa, shkrimtar humorist

“Për Tefën ka respekt një Shkodër. Por edhe në të gjithë vendin ky emër është bërë i njohur. Po them një ngjarje të vërtetë, që më ka mbetur në kujtesë. Ishim në hotel “Peza” para 15 vjetëve, po merrnim çmimet vjetore të revistës “Hosteni”.

Bile më kujtohet mirë, unë mora çmimin e tretë (që më shoqëronte vazhdimisht), ndërsa Tefa të parin.

Arritëm vonë në Tiranë, se kështu ishte orari i trenit. Kur shkuam në hotel ku na kishin prenotuar vendet, sportelisti na tha se nuk kishte vende, meqë erdhëm vonë ai i kishte zënë.

Tefa insistoi të gjendej dhoma e hotelit. Pastaj shkoi e u ul në një karrike rrogoze që ishte aty në hyrje. Unë i thashë sportelistit se nuk kemi mundur të vijmë në orar se Tefa ecën ngadalë.

Atëherë sportelisti më tha: “Po ju jap një dhomë me shtrat fëmijësh, se nuk kam tjetër. Tefa nga vendi, hazërxhevap, iu përgjigj: “Mos të ketë fëmijë, se nuk kena cicë me i dhanë me pi…” Sportelisti qeshi, sapo e njohu që ishte Tefa, – dhe…”

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...