Ja si është rritur në varfëri ekstreme “Artistja e Popullit” Margarita Xhepa!

“Ahh, sa të mirë e ke atë djathin more Bledi, sa i shijshëm që është. U them të gjithëve të vijnë ta blejnë tek ty.” – i thotë ajo shitësit të një dyqani djathi, poshtë shtëpisë së saj.

Aktorja Margarita Xhepa, tashmë 82 vjeç, dashurinë për artin mesa duket e ka shpalosur edhe në një tjetër skenë, ku ajo është regjisore dhe aktorë janë ushqimet.

“Më pëlqen shumë kuzhina dhe gatimi, por nuk pretendoj të jem amvisë shumë e mirë. Triumfi më i madh i imi në gatim është kur atë e pëlqejnë djemtë e mi”. – tregon me modesti aktorja.

Ndërkohë që gjerb kapuçinon e saj të preferuar me qumësht dhe pak sheqer, aktorja na rrëfen eksperiencën e saj 73 vjeçare në kuzhinë.

Po, po. Plot 73 vjet që ajo rend nga shfaqja në kuzhinë, nga shesh xhirimi tek supa dhe byreku, nga provat tek radha e qumështit dhe gjella me mish.

“Gjithë jetën këtë punë kam patur. Në atë kohë se nuk kishim mundësi, kurse sot, sepse jam shumë meraklie dhe dua t’i zgjedh mirë ushqimet”. – tregon aktorja.

Sa vjeç ke qenë kur ke gatuar për herë të parë?

Kam lindur në Lushnjë në një varfëri të tejskajshme, por pata edhe një varfëri shpirtërore sepse nëna vdiq kur unë isha vetëm 9 vjeç. Pa e parë sesi ajo gatuante, pa më diktuar sesi ta bëja apo të mos e bëja diçka. Ne ishim 4 fëmijë.

Unë isha vajza më e madhe dhe fillova të gatuaja nga e keqja. Me ndihmën e hallës dhe me ato që kisha parë për pak kohë nga nëna ime, mësova të gatuaj mirë.

Edhe në këtë moshë që jam më pëlqen, por dhe më lodh shumë gatimi. Gjithësesi mundohem të tregoj kujdes sepse dua të kënaq të tjerët dhe kam përgjegjësi për tavolinën që do të shtroj.

Ju jeni nga Lushnja. Ka një pjatë tradicionale të zonës tuaj, që e keni ruajtur dhe e gatuani ende?

Gatimi në Myzeqe nuk pretendoj se ka qenë i shumëllojshëm. Qytete të tjera të Shqipërisë kanë më shumë pasuri në gatim.

Përshembull, si e bën një byrek Korça nuk e bëjmë ne. Por unë kam patur fatin të xhiroj në shumë fshatra dhe rrethe të Shqipërisë dhe kam mësuar shumë gatime, të cilat shkoja dhe i bëja në shtëpi.

Jeni besnike e gatimeve të njëjta çdo javë apo ju pëlqen ta thyeni monotoninë?

Çdo ditë përgatis tre gjëra për të ngrënë: gjellën, supën dhe sallatën. Një herë në javë bëj mish, një herë bëj grosh, një herë gatuaj peshk. Zarzavatet i përdor shumë. Bëj çdo ditë supë. Madje djemtë më thonë: “Supën e bën më të mirë se Sheratoni”.

Cila është pjata e parë që i keni gatuar bashkëshortit tuaj

Pjatën e parë e bëra myzeqarshe. Mish me lëng. Skuqa dy lugë miell sa mori ngjyrën e floririt. Ia hodha lëngut të mishit mbasi mishi kishte zier, i shtova dhe arra të shtypura,

që atij t’i dukej më interesante. I hodha gjalpë dhe limon. Doli me sukses, pasi im shoq atëherë e pëlqeu shumë.

Cili ishte ushqimi që i gatuaje më shpesh Ndriçimit kur ishte i vogël? Bënte naze në ushqim?

Çimi ka qenë fëmijë modest, çfarë t’i jepje e pëlqente dhe e hante. Kur nuk i pëlqente nuk e hante të tërën, por në përgjithësi ka qenë fëmijë i urtë, i qetë.

Nuk bënte naze. Atij i pëlqente muhalebia. Ia bëja me dy ngjyra, një pjesë ngjyrë të verdhë (e përgatisja me vezë) dhe gjysmën tjetër ngjyrë kafe, se i dukej si më e pasur.

Cili është ushqimi i tij i preferuar që edhe sot e ha me shumë dëshirë kur ia përgatisni?
Peshku i pëlqen shumë, e konsumon shpesh. Edhe byrekun me spinaq e do. Ëmbëlsirat nuk i ha shumë.

Gatuani shpesh për nipërit dhe mbesat tuaja? Çfarë ju pëlqen atyre të hanë më tepër nga duart e nëna Ritës?

Unë kam një mbesë dhe dy nipër. Mundohem të gatuaj gjëra të shijshme që t’i kënaq ata. Byrekun dhe kekun e pëlqejnë shumë. Sa vijnë në shtëpi pyesin: “hë nëna, ça ke bërë”?

Si reagon nëna Rita kur i sheh ata me ushqime jo të shëndetshëm nëpër duar?

Oh,më shqetësojnë shumë kur hanë patatina apo ato kekët e vegjël që blejnë në supermarket.

Gjithmonë u them të hanë ushqime të freskëta,të pijnë gotën e qumështit në mëngjes, të hanë djathin e freskët apo edhe reçelin. Ne gjyshërit i llastojmë shumë, por edhe i edukojmë shumë mirë për disa gjëra.

Cila është pjata që e gatuan më shpesh dhe krenohesh me të?

Gjelin e detit me përshesh e bëj shumë të mirë. Për Vit të Ri, gjithmonë në datën dy i mbledh fëmijët dhe u gatuaj përshesh me gjel deti.

Ata e pëlqejnë shumë. Në Tiranë e bëjnë edhe me patate ose me oriz. Unë bëj dy lloje, me kulaç dhe me oriz, në mënyrë që secili të hajë çfarë t’i pëlqejë.

Edhe byrekun me qumësht me petë të pjekura (petët i përgatis vetë, pasi jamë shumë meraklie, plus që duhet të jenë pak më të trasha se ato që shiten) e bëj shumë të shijshëm. Sekreti i tij është që mos të bëhet qull, por të jetë i shkrifët.

Cila ka qenë gjella, që nuk ta kanë pëlqyer fëmijët dhe të kanë mërzitur?

Gjellën me miell dhe me lëng që ia gatova tim shoqi në fillim, e praktikova njëherë edhe me djemtë e mi. E vendosa gjellën në tavolinë dhe të tre çunat e panë si me përçmim.

”Si e ka emrin kjo gjella, se kshu kur e shikon të tremb”. – më pyeti djali. “Mish me lëng”.- u thashë. “Po provojeni njëherë, pastaj më thoni”. E provoi i pari Çimi: ”Ouu, vëllaçko, qenka e mirë kjo”. -tha. Pasi e hëngrën thanë:

“E mire, e mirë qenka, por mos na e bëj më”. Mirëpo, mbasi kaluan dy muaj më kërkuan prapë t’ua gatuaja.

Çfarë ushqimi nuk të pëlqen të hash?

Makaronat me borzilok, siç hanë italianët, nuk më pëlqejnë. Makaronat me fruta deti apo rizotot nuk i dua,nuk i ha. E dua pilafin të thjeshtë, jo të ngatërruar me erën e peshkut.

Cilat janë ushqimet që nuk mungojnë asnjëherë në frigoriferin tuaj?

Bulmeti nuk mungon asnjëherë. Sapo hap frigoriferin shikon gjithmonë djathin,kosin,qumështin, gjalpin e freskët, kur arrij ta gjej.

Mishin e lë, por bulmetin jo. Babai na ka rritur me qypa kosi kur ishim të vegjël. Unë mendoj se ky bulmet më ka mbajtur deri në këtë moshë, ndoshta e kam edhe gabim.

Ushqimet që mundohesh t’i shmangësh nga kuzhina?

Jam kundër yndyrnave të tepërta. Qoftë edhe vajin e ullirit e përdor me masë. Ëmbëlsirat nuk i përdor shumë, as kripën.

Ju kujtohet ndonjë pjatë nga gjyshja juaj?

Nga gjyshja më kujtohen dy gatime. Qeshqeku, i cili përgatitëj me lëngun e mishit të qafës së viçit, me grurë të shtypur, me copa mishi dhe në fund e përvëloje me gjalp. Një tjetër gjellë që më kujtohet është kabunia.

Sipas recetës së gjyshes, orizi fërgohet pak me vaj, i hedh ujë dhe e zien në zjarr jo shumë të fortë. Pastaj i hedh sheqerin dhe fruta të thata, sipas dëshirës.

Ka patur ndonjë ushqim apo pije, që e përdorje gjithmonë para shfaqjeve për të larguar emocionet?

Skena është e shenjtë. E kam respektuar gjithmonë regjimin tim. Përpara shfaqjes kurrë nuk kam vënë në gojë alkool apo ushqim të tepërt.

Cigaren nuk e kam pirë kurrë, madje nuk di as ta mbaj. Përpara shfaqjes mundohem të qetësohem në kabinën time dhe të përqëndrohem në atë që do i jap publikut.

Kafe turke apo makiato?

Më pëlqen kafja turke, por vonë kam mësuar ta bëj, sepse në atë kohë mezi e gjenim. Më kujtohet që nëna ime ruante pak kafe, vetëm për miqtë që na vinin.

Tani më pëlqen ta pi, por më shumë më pëlqen kapuçino me qumësht. Më pëlqen shumë edhe çaji i malit me mjaltë.

Gatuani shpesh për mikeshat tuaja?

Me mikeshat e mia mblidhemi shpesh dhe dalim jashtë për të ngrënë, por në shtëpi gatuaj vetëm për fëmijët. Sa herë bëj byrek ua shpërndaj të gjithëve nga pak, pasi ne jetojmë të gjithë në një shkallë.

Lëkura juaj duket kaq mirë pavarësisht viteve që kanë kaluar. Kujdeseni për të?

Më përpara përdorja një krem që quhej “Krem Bukuria”. Ma sillte gjithmonë im shoq për 8 Marsin. Më vonë, shumicën m’i bënin dhuratë.

Por gjithmonë kam përdorur vetëm një krem, jo më shumë. Fytyrën e laj gjithmonë me ujë të ftohtë. Por ushqimi i mirë dhe pastërtia ka të bëjë shumë.

Kështu e mbyll tregimin e saj prej amvise aktorja e dashur duke na zbuluar sekretet e kësaj bukurie te pashtershme, e duke na njohur edhe me anën tjetër të saj.

Pas kësaj interviste edhe njëherë tjetër merr jetë shprehja, një shpirt i bukur reflektohet edhe në fytyrë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...