Në Shkodër, dikur mburreshin me lumin Buna, liqenin e Shkodrës dhe me bukuritë përreth tyre, por sot, nëse pyesim shkodranet, ata e kanë të vështirë të flasin për të.

Shkak është bërë ndotja në nivele alarmante, aq sa ekspertët mjedisor paralajmerojnë qytetarët që të qëndrojnë larg lumit të Bunës.

Mbeturinat e shumta urbane, ujrat e zeza të qytetit dhe mungesa e kujdesit rrezikojnë që brenda pak vitesh ta kthejnë lumin në një moçal.

Pa lënë pas mbetjet kimike të Kombinatit të Aluminit ne Mal të Zi, që po shkatërrojnë biodiversitetin e liqenit të Shkodrës duke dhënë po të njëjtin efekt sikurse tek lumi Buna.

Të apasionuarit e peshkimit, me keqardhje thonë, se brenda pak vitesh, në Bunë nuk do të ketë më peshk:

“Dikur, në Bunë kishte rreth 30 lloje peshqish, ndersa sot unë kam 2 vite, që nuk kam parë me sy as edhe nje gjucë. Peshku më i mirë dhe më i shijshëm për ne shkodranët, gjuca, është zhdukur.

Me gjithë këto mbeturina dhe ujra të zeza nuk është çudi. Në komunizëm, lumi pastrohej çdo 6 muaj, me anije dhe makineri të veçanta. Ku kishte shanse, në ato kohë, të peshkohej me gjenerator apo me tritol si sot ?!” – tregon një peshkatar.

Institucionet përgjegjëse janë në përgjumje totale në Shkodër. Në një ping-pong pasimi përgjegjësish mes pushtetit vendor dhe atij qëndror, vit pas viti gjendja nuk po ndryshon përkundrazi niveli i ndotjes është rritur.