ga Gjergj Meta

Sapo kisha mbaruar meshën e mbrëmjes gjatë javës. Motër Virxhinia më afrohet me një copë letër në dorë ku ishte i mështjellë një 200 lekësh letre. Hapa letrën dhe lexova: një meshë për pulat.

 

Një grua e moshuar kishte ardhur të shkruante një meshë për pulat e saj. Ndoshta i kishte të sëmura, ose ndoshta i kishin vjedhur ndonjërën, apo kishte rënë nusjalalës në to. Nuk e di. Buzëqeshëm pak me motrën, por sapo u ndava prej saj fillova të reflektoj me veten time.

 

Jeta reale e shumë njerëzve është aq e thjeshtë, aq e drejtëpërdrejtë, aq konkrete sa shpesh të lë pa fjalë. Të mësuar nganjëherë me koncepte të larta të teologjisë, filozofisë apo mendimit në përgjithësi, ose me zhurmat mbi trafiqet dhe korrupsionin e madh, me lajme që trondisin rendin botëror,

 

përballë kërkesave të tilla si ajo e asaj gruaje mbetesh i shtangur. Unë që vij nga kultura fshatare e kuptoj mjaft mirë se çfarë do të thotë kjo gjë. Shpesh pulat, lopët, dhitë apo delet janë aq të shtrenjta e të rëndësishme,

 

sa vetë jeta. Shumë njerëz e kanë jetën në dorë të mbarëvajtjes së gjëve të gjalla dhe të prodhimeve të tokës. Janë aq të rëndësishme saqë, nëse u ndodh ndonjë gjë e keqe atyre, është vetë jeta e prekur prej tyre, dhe një familje gjendet në hall të madh. Jeta është aq e fuqishme saqë shpesh kapet edhe për këto gjëra, që në pamje të jashtme duken të thjeshta apo banale, madje edhe për disa pula.

 

Në dioqezën tonë të Rrëshenit shumë njerëz jetojnë me këto gjëra dhe të thuash një meshë për gjënë e gjallë është një gjë shumë e rëndësishme, sepse shpesh prej tyre varet jeta dhe cilësia e saj. Madje, ka familje që nëpërmjet prodhimeve të tokës dhe të gjësë së gjallë çojnë fëmijët në shkollë, u blejnë librat dhe çantat ose paguajnë qeranë kur janë në universitet. I shoh çdo ditë në trotuaret e qytetit të Rrëshenit duke shitur pak vezë, ndonjë pagure qumësht, pak prodhime të tokës, ndonjë tufë perimesh të freskëta, për të nxjerrë një ditë pune e jo më shumë. Prandaj që një meshë për vreshtën, për patatet, për gjënë e gjallë, për prodhimet në përgjithësi, është një lutje për jetën.

 

Sa bukur dhe thjeshtë hyn jeta në kremtimet tona liturgjike, nëpërmjet këtyre gjërave “të vogla” dhe “të imëta”, madje falë tyre lutja merr më shumë frymë dhe jetë. Do ta them me gjithë zemër meshën sipas kërkesës së zonjës së moshuar, pikërisht sepse është një shërbim për jetën, për jetën e saj. Ndoshta pulat do të ecin mbarë ose jo, do të japin shumë vezë apo thjesht do t’i shesë për mish, por në fund ajo mund të thotë që ka bërë gjithçka për pulat e saj, madje ka thënë edhe një meshë.

 

Dhe unë si bari, duke kremtuar një meshë e duke u lutur për pulat e asaj gruaje, i kam shërbyer jetës së saj dhe të familjes së saj. Dhe për mua është një mësim se si ta harrosh jetën, apo ta ngërthesh atë si në një mburojë plumbi me teori apo nuk e di se me çafrë doktrinash, e zvogëlon jetën dhe i merr asaj frymën.

 

E kam ruajtur atë copë fletë dhe e kam para syve në laptop-in tim kur punoj, në mënyrë që, ndërsa kompjuteri më çon në një botë virtuale, nganjëherë tjetërsuese dhe frustruese, ajo copë letër e shkruar në një shqipe të ëmbël, ku mungon një “ë”, më ndhmon të zbres në jetën konkrete dhe më kujton që i përkas tokës.