Histori/ Normat fizike si torturë e një brezi të tërë, ja hilet që bënin sportistët

NGA UVIL ZAJMI

Çfarë ishin normat fizike dhe si zhvilloheshin ato? Testi i kolonelit dhe mjekut të aviacionit amerikan, që u bë tmerr për të gjithë, nga legjenda Pano te “shigjeta” Braho, sulmuesi Dibra dhe portierët.

Futja e detyruar e mjekut në klube dhe si e kujtojnë sot Miço Papadhopulli dhe mjeku Profit Cani praktikimin e tyre për herë të parë në Shqipëri dhe “kompromiset” e këtij komisioni për të mos “djegur” veteranët.

 

Deri kur ato u bënë të detyruara, disa nga skuadrat zhvillonin testime sporadike. Klubet nuk kishin përgatitësin atletik, vetëm çfarë transmetonin trajnerët thjesht nga eksperienca vetjake.

 

Viti 1974 është ai i ndryshimit, aplikimit zyrtar të tyre në Shqipëri me futbollistët. Organizmi nga FSHF me Komisionin e saj, dhe praktikimi erdhi pas udhëzimit të prerë nga FIFA e UEFA: Testime fizike dhe kontroll i detyruar shëndetësor!

 

Të ishe i përgatitur fizikisht dhe i siguruar në aspektin shëndetësor, u kthye në një domosdoshmëri për çdo futbollist. Kjo, si pasojë edhe të ndryshimeve radikale e në progres të futbollit, duke përfshirë lojtarët shqiptarë në klube dhe në kombëtare. Deri në ato vite vihej nga një fazë mediokre stërvitjeje e trashëguar sidomos në aspektin fizik.

 

Metodat ishin larg performancave dhe trajtimeve bashkëkohore. Duhej ndryshim në formë, mënyrë dhe mentalitet. Nevojitej koncept i ri për të përballuar futbollin që po shpërthente. Jo më përgatitje fizike e pakontrolluar, por e organizuar.

 

Në këtë drejtim, kuptohet që ne ishim mbrapa. Kur u vendos që të aplikoheshin, u ndie një erë tjetër që po frynte. Organizmi dhe zhvillimi i tyre ka qenë shumë rigoroz, për të cilin angazhoheshin njerëz, persona si nga FSHF, Mjekësia Sportive, por edhe nga vetë klubet.

 

Një komision qendror që përbëhej nga Miço Papadhopulli, Astrit Zhorda, përfaqësues zyrtarë të FSHF-së, si dhe mjeku Profit Cani, që sipas një grafiku testonin futbollistët e çdo klubi.

Kjo bëhej gjithmonë në prani të drejtuesve të tyre, por edhe tifozëve tejet kuriozë. Ato zhvilloheshin para fillimit të kampionatit, në mes dy fazave, detyrimisht në stadiumet ku kishte pistë atletike.

 

Testet ishin tre: 4x10m, 30m dhe 12 minuta vrapim pa u ndalur, i quajtur Testi “Cooper”. Me mosrealizimin e njërit prej tyre, ndonëse dy të tjerat mund të kishe me rezultate të larta, testi konsiderohej i papërfunduar dhe sportisti, sipas kritereve për normat fizike vënë nga FSHF, ishte i detyruar t’u nënshtrohej edhe një herë të tri testeve në një datë të dytë që caktonte FSHF.

 

Prova e dytë bëhej në një stadium ku mblidheshin të gjithë të “mbeturit”. Fillimisht ishte futbolli që i praktikoi bashkë me arbitrat. Kjo praktikë u përhap më pas edhe te sportistët e lojërave me dorë, arbitrat e tyre, por me ndryshime e të hartuara posaçërisht për këto specialitete. 1968,

 

“Testi Cooper” edhe për sportin U quajt kështu, nga ai që e krijoi, Kennet H. Cooper, me gradën kolonel, mjek në NASA (National Aeronautics and Space Administration), që në vitin 1968 botoi librin e parë.

 

Testi ishte për përgatitjen fizike të pilotëve ushtarakëve, por në pak kohë u përhap e u përdor edhe në aktivitete sportive, si ato profesioniste dhe amatore.

 

Në formën origjinale, ky test parashikon një vrapim për 12 minuta duke marrë largësinë maksimale të mundshme dhe ka si qëllim të masë rezistencën e sportistit, bërë me një vrapim konstant, rezultatet e të cilit japin një informacion për kondicionin fizik të tij dhe kapacitetin VO2 Max. Mundësitë dhe vlerësimet e testit janë:

 

Shumë mirë, Mirë, Normale, Mjaftueshëm dhe Keq, të cilat bazohen në distancën e vrapuar gjatë 12 minutave. Kjo, në varësi të moshës dhe seksit.

 

Testi “Cooper” teston e zhvillon aftësitë kryesisht të rezistencës, të arritura këto nga stërvitja e kryer e që pasqyrohen gjatë garës. Ai filloi të aplikohej edhe në shkolla të mesme e ato universitare. Testi “Cooper” për futbollistët ishte 3200 metra në 12 minuta, distancë e “mjaftueshme për të kaluar klasën”.

 

Shkëndija, skuadra moderne e viteve 70-të

Nga klubet e Kategorisë së Parë, pak ndryshim bënte Shkëndija e Shkollës së Mjeshtërisë Sportive, në testimet fizike, që nuk ishin problem për lojtarët. Duke qenë se programi mësimor kishte shumë orë me lëndën e atletikës, futbollistët ishin të detyruar t’i nënshtroheshin përgatitjes edhe në këtë lëndë mësimore.

 

Edhe kontrolli mjekësor ka qenë i detyruar në shkollë. Ishte pikërisht Shkëndija, me trajner Zyber Konçin, që në vitet ’70 u shfaq një skuadër solide duke shkëlqyer falë një prezantimi modern, kryesisht me një përgatitje të lartë fizike, ku të gjithë vraponin. Kanë qenë fillimet e vitit 1970, sapo kishte filluar të shfaqej edhe futbolli total i Ajaksit…

Vështirësia për “veteranët”

Testet fizike, kryesisht distanca e gjatë apo testi “Cooper”, ka qenë një periudhë e tensionuar për shumë futbollistë, përfshirë titullarët apo lojtarët kryesorë.

 

Të papërgatitur psikologjikisht, normat nuk pëlqeheshin prej tyre dhe afrimi i datës krijonte ankth, pasi testimeve fizike nuk mundej t’u shmangej askush.

Ishin disa kategori që kishin probleme: – Të dalluar për në garat e shpejtësive, por që “vuanin” në “Cooper”; – Futbollistët-studentë, të angazhuar me impenjime shkollore; – Sportistët me strukturë fizike disi më ndryshe; – “Veteranët”, ata të brezit ’60 që kapën edhe sezonet e ’70-ës.

 

Truket e lojtarëve dhe kompromisi i Komisionit

Vështirësi kanë pasur të gjithë, nga legjenda Pano, natyrisht në vitet e fundit të karrierës, por edhe nga të tjerë kolosë në fushë si “shigjeta” Braho, i pakapshëm në garat e shpejtësisë, por e “mbante” frymën te “Cooperi”.

Ish-bomberi Dibra, një qindmetrist i lindur me start të paparë, por haste vështirësi në testin 12-minutësh. Por, më shumë nga të gjithë ishin portierët që vuanin.

 

Të gjitha këto vështirësi dhe frikëra prodhuan më pas edhe hile e truke të ndryshme për të shpëtuar karrierën. Lojtarët nisën të përdornin marifete nga më të çuditshmet për të kaluar testin “Cooper”.

Mjaftonte të bëje pushim një xhiro për të rikuperuar. Vetëm një çast mosvëmendje, që dikush ta shfrytëzonte duke qëndruar pas një shtylle porte, apo diku tjetër, për t’u ribashkuar me grupin në xhiron tjetër…. Braho kujton:

 

“Ishte një garë më shumë psikologjike për mua. Ideja që do të bëja 8 xhiro pa ndalur më lodhte pa e nisur. Pastaj vapë, kushte jo optimale, nga shtëpia në garë. Në fund ishim aq të sfilitur sa që shtriheshim në fushë”, tregon asi gjirokastrit për “Panorama Sport”. Për të tillë futbollistë, anëtarët komisionit ishin të “detyruar” të bënin tolerime.

Por, kishte lojtarë që realizonin mbi 3800 metra në 12 minuta. Testet ishin shumë popullore, ndiqeshin masivisht, kishte interes e diskutoheshin nga të gjithë tifozët dhe trajnerët. Këta të fundit ishin të interesuar më shumë për testet duke i futur në seancat stërvitore vjetore si një proces i detyruar.

 

Në testim edhe lojtarët e kombëtares

Kaq të rëndësishme u bënë testimet fizike, sa edhe për lojtarët që do të grumbulloheshin me ekipin kombëtar ishin të detyruar t’u nënshtroheshin normave.

Madje, njoftimin zyrtar e bëri vetë gazeta “Sporti”, kur informonte se: “Korrespondenti ynë mësoi në Federatën Shqiptare të Futbollit se në kuadrin e takimeve, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit botëror të futbollit, ekipi ynë përfaqësues grumbullimin e tij të parë do ta bëjë me 5 mars.

 

Gjatë dy ditëve të ardhshme, me 6 dhe 7 mars, kandidatët që do të veshin fanellën e skuadrës kombëtare, do t’i nënshtrohen dhënies së normave të pranimit në Stadiumin ‘Dinamo’…”

Edhe arbitrat, të gjithë në norma…

Bashkë me futbollistët, normat fizike u bënë të detyruara edhe për arbitrat. Ishin të edukuar, por jo të përgatitur si duhet dhe ia dilnin vetëm me stërvitje vetjake. Gjendja fizike e tyre ishte pa përgatitësin e mirëfilltë dhe pa një kontroll mjekësor.

 

Më pas të gjitha u vënë të detyruara, madje para fillimit të kampionatit ata shkonin tek okulisti, kardiologu dhe bënin edhe analizat e gjakut. Më pas direkt në testin “Cooper”. Testimet fizike për sportistë dhe gjyqtarë ishin të programuara dy herë: shtator dhe janar.

Kishte një ndryshim vetëm për arbitrat: testi 12 minuta, ku distanca minimale për “kalim klase” ishte 2800 m dhe jo 3200 si futbollistët. Testimi bëhej me grumbullim kryesisht në Tiranë, nën kontrollin e FSHFsë, për ato të elitës, ndërsa asistentët i kishin më të kufizuara se kryesorët.

 

Ai që nuk i realizonte, nuk arbitronte deri në një testim të dytë. Gjithçka ndryshoi pas viteve 90-të, kur u projektua një përgatitës atletik dhe i pari ka qenë trajneri i njohur Petrit Qëndro, instruktori zyrtar i caktuar nga FSHF.

Edhe sot janë vetëm arbitrat e futbollit që janë të detyruar t’u nënshtrohen testimeve në mënyrë sistematike, para dhe gjatë kampionatit, madje të gjitha kategoritë, si kryesorët dhe asistentët.

Gjithmonë nën kontrollin e FSHF-së. Ndërkaq, FIFA mbështet federatat me programe dhe instruktorët e saj vijnë në Shqipëri për t’i ndjekur si aplikohen.

 

Sot nuk ka teste “Cooper”, ka mbetur si relikë

Deri kur ato u praktikuan, që i takon periudhës së fundviteve ’80, kanë kaluar shumë vite. Nuk ka asnjë gjurmë të tyre, janë harruar dhe vetëm kujtimi apo ndonjë detaj i veçantë ka mbetur për futbollistët, ishdrejtuesit, anëtarët e komisionit, mjekët. Nuk zhvillohen më testet “Cooper”, ato tradicionalet pra, pasi të tjera testime aplikohen sot.

 

Ndonëse kohët ndryshojnë, teste që shkojnë e vijnë, për të shumë breza të futbollistëve shqiptarë, testi më i famshëm do të mbetet vetëm një: Testi “Cooper”.

 

Kjo provë fizike, të cilin mjeku ushtarak, nga Uashington Distrct of Columbia në SHBA, 50 vite më parë e krijoi me idenë për një popullsi të shëndetshme, të përgatitur fizikisht, duke hapur “Cooper Aerobics Center” dhe nga ajo kohë ka publikuar 18 libra me një shitje deri në 30 milionë kopje, të përkthyera në 41 gjuhë./panorama-sport/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...