Nga Luljeta Çipi/

Historia e Xhisiela Malokut mbajti mbërthyer për ditë me rradhe median dhe politikën në vend, ku vajza nga fshati Nikël u portretizua fillimisht si viktima e një përdhunimi.
Gjatë gjithë kësaj kohe, deklarata të njëpasnjëshme kanë pasuar njëra tjetrën, por pavarësisht se çfarë është pohuar, nga vajza vetë apo nga familja e të akuzuarit, një shije të hidhur në këtë histori, të lënë qëndrimet publike mbi Xhisielën, të atyre që janë marrë gjatë me të.

 

Për ditë me rradhë Xhisiela u trajtua nga media si një viktimë e dhunës, si një viktime e familjes së së deputeti Rraja, si viktimë e pushtetit, ndërsa mbrëmjen e djeshme në një studio televizive,

 

pasi kuptuan që i gjithë skenari i ngritur në media po rrëzohej si i pavërtetë, gazetarët vrapuan për ta gjykuar, sulmuar e etiketuar vajzën si mashtruese.
Të gjithë iu vërsulën vajzës me pretendimin se e vetmja e vërtetë është përdhunimi i Xhisielës.

 

Se cila është e vërteta, kjo mbetet për tu zbuluar nga organet përgjegjëse, por çfarë dje u duk me zë dhe figurë ishte dhuna e ushtruar publikisht në studio mbi Xhisielën. Ky ngulmim dhe ky imponim i njerëzve të medias për versionin e tyre, të lë të kuptosh se realisht nuk janë të shqetësuar për Xhisielën dhe fatin e saj, por për fatin e historisë që media e politika riprodhuan.

 

A është dhuna mbi Xhisielën mbrëmjen e djeshme, shenjë se askush nuk do të mendojë për vajzën? Me sa duket për median, Xhisiela ishte karremi për më shumë klikime e audience, herë si “viktima”, e herë si “mashtruesja”.

 

E gjitha i ngjan një skene kur një lukuni qensh vërsulen për të mos e lënë viktimën e tyre të largohet, por ndërkohë që skenaret politiko-mediatikë do të vazhdojnë, çështja duhet sqaruar njëherë e mirë nga institucionet përgjegjëse!

PUBLICITET