Tregu i kafshëve të gjalla në Milot, përkeqësohet çdo ditë, ndërkohë që veç vendit të shitjes, është shndërruar dhe në një vend therje, duke sfiduar hapur institucionet shtetërore.

Duke i ngjarë më shumë një xhungle, ku ligjin e bën më i forti, tregu i Milotit duket se është shndëeruar në një ishull të pacenueshëm.

Administratorët nuk pyesin për bashkinë e Kurbinit, kjo e fundit nuk pyet për Ministrinë e Bujqësisë, Këshillin e Ministrave e as për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. E në gjithë këtë situatë mospërfilljeje, konsumatorët shqiptare janë në rrezik.

Qindra kafshë tregtohen çdo të diel në Milot, treg që funksionon si i tillë që prej vitit 1920, ndërkohë që situata është e njëjtë si para një shekulli. Kafshët janë të pamatrikuluara, veterineri i bashkisë nuk ekziston.

 

Mes baltës, pluhurit e qindra kafshëve pa origjinë e certifikata veterinare, tregu i Milotit shndërrohet ditëve të diela edhe në një thertore.

 

Ndërkohë që Bashkia e Kurbinit, nuk ka marrë asnjë masë, as për të detyruar kontraktorët që janë edhe pronarët e tokës, për të përmirësuar kushtet, as për të lënë veterinerin zyrtar që të zbatojë ligjin.

Ndërkohë që Drejtoria e Bujqësisë në Lezhë, që e ka në varësi, është e pafuqishme të ndërhyjë.

 

Në këto kushte, ky treg është i shndërruar në një “krater vullkani” për përhapjen e sëmundjeve, nga ferma në fermë dhe më e rëndësishmja, nga kafshët te njeriu. Ndërkohë që dhjetëra kafshë theren dhe konsumatorëve iu serviret mish i pasigurt.

E njëjta situatë u denoncuar edhe në mars 2018, por që askush nuk mori asnjë masë. Ekspertët e tregjeve të kafshëve të gjalla dhe te veterinarisë,

Edi Fero dhe Agim Rrapaj lëshojnë alarmin, duke thënë se, “një treg i tillë nuk duhet dhe nuk mund të funksionojë në këto kushte, pasi shndërrohet në vrastar i njerëzve”.

Sipas tyre, pushteti vendor e ka për detyrë plotësimin e kushteve, ndërkohë që nuk përfill as urdhrin e kryeministrit Rama të vitit 2016, për ndryshimin e këtyre tregjeve.