Problemi nuk është biznesi, problemi është shteti

Nga Ervis Iljazaj

Denoncimi publik që Partia Demokratike iu ka bërë disa bizneseve të mëdha, për shkak të disa koncesioneve apo tenderëve publikë të presupozuar korruptivë, ka rihapur një temë debati të rëndësishëm, dhe për këtë ka padyshim meritë.

Falë këtij denoncimi, ka dalë në sipërfaqe klientelizmi politik dhe shpenzimi i parave të qytetarëve pa garë, duke cenuar parimin kapitalist të lirisë ekonomike. Në këtë kuptim, është një debat politik që meriton të gjithë vëmendjen e duhur.

Mirëpo, qasja është totalisht e gabuar dhe madje e rrezikshme. Rrezikojmë të krijohet ideja se, problemi më i madh i shoqërisë shqiptare është biznesi.

Ndërkohë që, e kundërta është vërtet. Problemi më madh Shqipërisë, është ekspansioni shtetëror dhe funksionimi i tij.

Prandaj, Partia Demokratike, duhet ta fillonte zgjidhjen e problematikës nga e kundërta, nga hallkat shtetërore, duke propozuar zgjidhje politike strukturore dhe afatgjatë.

Në radhë të parë, akuzat ndaj një biznesi mund të bëhen vetëm nëse ato kanë shkelur ligjet dhe jo sepse kërkojnë të fitojnë para.

Qëllimi i vetëm i një biznesi është pikërisht ky, të zgjerojë aktivitetin ekonomik të tij. Prandaj, llogari duhet të kërkojmë ndaj atyre që kemi zgjedhur, për ato që votojmë.

I vetmi raport që bazohet të llogaridhënia është raporti midis politikës dhe qytetarëve. Kështu që, nëse ka një subjekt për të cilin duhet t’i kërkojmë llogari ajo është politika.

Në radhë të dytë, me këtë klimë që po krijohet, për shkak të keqqeverisjes apo korrupsionit, rrezikohet që biznesi privat apo ekonomia e tregut të shihet si armik i shoqërisë, ndërkohë që, ekonomia e tregut është e vetmja mënyrë që shoqëria shqiptare të zhvillohet.

Mënyra tjetër është ekonomia shtetërore, me taksa të larta, me paratë tona që i menaxhon një administratë e paaftë dhe një klasë politike e papërgjegjshme dhe e korruptuar, e cila nuk do të mund asnjëherë të ofrojë shërbime cilësore dhe për të gjithë.

Sepse, ajo që po ndodh në këto momente, është ngatërresa midis privatizimeve dhe koncesioneve korruptive, dhe privatizimeve si instrument ekonomik zhvillimi.

Janë dy gjëra totalisht të kundërta, dhe nëse nuk arrijmë të kuptojmë këtë gjë, rrezikojmë seriozisht të futemi në një fazë regresive të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare.

Në fakt, oligarkët e vërtetë të Shqipërisë janë liderët politikë, të cilët kanë më shumë se 20 vite që janë në skenën politike, duke kontrolluar çdo vendimmarrje politike dhe shoqërore, madje dhe vetë biznesin.

Prandaj, biznesi shqiptar meriton çdo respekt të opinionit publik për iniciativën e lirisë individuale, që vetëm i ka sjellë të mira vendit.

Saje tyre, me gjithë vështirësitë që hasin çdo ditë, në një shtet ku efikasiteti është minimal dhe korrupsioni galopant, ia kanë dalë të krijojnë vende pune dhe të zhvillojnë ekonominë.

Biznesmeni shqiptar ka meritë jo vetëm në aspektin ekonomik, por dhe në atë shoqëror.

Falë iniciativës së individëve që rrezikojnë me kapitalin e tyre, shoqëria shqiptare ka arritur të emancipohet dhe të krijojë ura ndërlidhëse edhe me perëndimin, që nga vitet e para të ndryshimit të regjimit politik e deri më sot.

Është absurde të shtrosh diskutimin e oligarkisë shqiptare, ndërkohë që është totalisht e kundërta. Biznesi është “ viktimë” e politikës, dhe jo politika “viktimë” e biznesit.

Për të gjitha këto arsye, në opinionin publik i duhet dhënë fund marrëzisë së akuzave që drejtohen kundrejt biznesit si e keqja më e madhe që ndikon negativisht në vendimmarrjet politike.

Kjo është një mendësi, e cila kërkon më shumë shtet dhe më pak iniciativë të lirë ekonomike, duke krijuar në këtë mënyrë, edhe më shumë pushtet për politikën dhe automatikisht, më shumë abuzim me të dhe tendencë korruptive.

Kjo është mendësia që e kemi të trashëguar nga e kaluara, e cila ka krijuar liderë politikë, që janë oligarkët e vërtetë.

Sepse nëse krijojmë një frymë të tillë agresive kundër biznesit, nuk bëjmë gjë tjetër veçse shtojmë edhe më shumë peshën e pushtetit politik.

Ndërkohë që duhet të shtojmë “presionin” ndaj politikës për të krijuar kushte sa më të favorshme për iniciativën e lirë ekonomike dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike.

Vetëm liria ekonomike, mund të ndërtojë liri politike dhe një demokraci që funksionon. Çdo tendencë tjetër është e rrezikshme për të gjithë

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...