Ka ndërruar jetë në moshën 23-vjeçare Leutrim Gjini, studenti i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Ai ka pësuar atak kardiak pak minuta përpara se të hynte në provimin e lëndës së Gjinekologjisë. Ka qenë Myrvete Paçarada, drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ajo që ka konfirmuar lajmin e rëndë.

Për studentin nga Suhareka, Paçarada është shprehur:

Tërë pasditen ka qëndru në repartin e Kardiologjisë, ata kanë punu rreth 10 orë pasi ka ardhur deri te pëlcitja e aortës abdominale”.

Nga ana tjetër, për këtë humbje të rëndë ka folur edhe kardiokirurgu Leonard Bytyqi, i cili tregon se mjekët kanë luftuar për mbi 10 orë për ta mbajtur në jetë të riun, për të bërë të pamundurën të mundur, por nuk ia kanë dalë dot.

Në një publikim në rrjetet sociale, Bytyqi shkruan:

10 orë përpjekje, 10 orë operim, 10 orë luftë , një ushtri e madhe e Kardiokirurgjisë dhe jo vetëm, kundër natyrës, për ta kthyer sërish atë zemër të re në jetë. Kësaj radhe, e pamundura s’u bë dot e mundur.

Për ne është humbje shumë e madhe, e dhimbshme, për mu është kujdestaria më e mërzitshme, deri më sot.

Ngushëllime për familjarët dhe të gjithë tjerët, zoti e mëshiroftë, këtë engjull, që fati ia ktheu shpinën”.