Shaban Rrjolli, emri i fundit që përfaqëson traditën e bejtes shkodrane

– Nga Xhahid Bushati

Çiftin Rrjolli, Shabanin 87 vjeç e Hasijen 80 vjeçe, i takova një pasdite prilli të vitit 2000. Shtëpia ku banonin ishte njëkatëshe dhe e vjetër. Errësira kishte hise më shumë se drita.

E kujtoj edhe tani atë pasdite prilli shkodran. Dielli bëhej gati për të perënduar. Udhët lageshin nga një shi i lehtë i një prilli çapkën. Gjatë gjithë udhës ndjeja freskinë e stinës e duhmën e pluhurit, që dalëngadalë po humbiste ngjyrën e athët që lëshonte përreth. Gjelbërimi më shfaqej aty-këtu, shpesh befasues e me copëza lirizmi, të cilat m’i falte shiu shkodran, kësaj here si një mrekulli, ku shfaq pak si rrallë butësinë e tij nazike.

Si shtëpia, ashtu edhe të zotët e saj, numëronin ditët e pleqërisë. Brenda kufijve të kësaj pleqërie, kujtesa e Shabanit dhe e Hasijes ndjehej e paplakur. I gjallëronte rituali proverbial i traditës së bejtexhinjve shkodranë: “Qit e prit…”. Dhe për këtë çift pleqsh, mosha e të cilëve udhëtonte drejt një shekulli, rituali hokatar, thumbues e ngacmues: “Qit e prit…”, ishte e vetmja relike e përbashkët dialogu, që u kishte mbetur nga koha e magjishme dhe ëndërrimtare e rinisë. Ky “Qit e prit…” nëpër këto vite, kishte nisur “të rrudhosej”. Sepse, tani heshtja, dhembja e vetmia kishin pushtet më të madh.

Gjatë bisedës mësova se, në kujtesën e çiftit Rrjolli, çdo ditë regjistroheshin vargje të pafund të improvizuara. Në këtë pafundësi vargjesh shkëlqenin thërrmijëza humori, të cilat kishin vlerën e një batute, të një situate, të një dëshire, të një … Dhe ajo kujtesë që shpesh merrte formën e shpirtit të çiftit Rrjolli, “jetonte”, buronte e rridhte pa pushim humori shkodran. Por… ndodh shpesh (fatkeqësisht shpesh) që vargjet…”Qit e prit…” aty, në atë dhomë me pak dritë e shumë errësirë, lindin, jetojnë, humbasin… Ndodh që kthen kokën pas për t’i kujtuar e përsëritur, dhe padashur kupton se janë shndërruar në hireoglife të pakuptueshme, të cilat i ka rrëmbyer një mjegullnajë të trishtueshme, që udhëton e mbulon copëzën e qiellit të fantazisë e të dhembjes së krijimit. Megjithatë… dhembja e krijimit nuk vdes. Për të portat e kujtesës rrinë hapur… Ndonëse teksti i krijimit “mbërrin tek ne si kujtesë dhe si pakujtesë”.

Trishtimin që herë pas here e mbulon këtë dhomë dhe fytyrën e këtyre dy njerëzve, e largon e qeshura e këtij çifti pleqsh (si në një baladë dashurie). Kjo e qeshur, si një ujvarë, është një refren i përditshëm.

Kjo shtëpi e ka një magji. E dritëson humori shkodran, pavarësisht se varfëria, këtu, është një jetesë të dukshme, me siguri disa vjeçare.

Shaban Rrjolli tregon:

“Jam i ditëlindjes 1915. Kam lindur në Shkodër, te xhamia Begas. Për një periudhë të shkurtër kam jetuar në lagjen “Kiras”, për t’u vendosur përfundimisht në lagjen “Rus”.

Afërsisht në moshën 17-vjeçare kam krijuar një grup ahengu shkodranë. Këngëtar kishim Muharrem Drishtin. Unë i kam rënë pak violës. Met Sula i ka rënë dajres. Met Rrapushi i ka rënë mandolit. Si grup ahengu kemi shkuar në fejesa e martesa të shumta të familjeve shkodrane.

Gjatë jetës sime kam ndenjur edhe me ahengxhi të vjetër, si me mjeshtrin humorist Kolë Tivari, me këngëtarët Shuk Prifti [2], Sadik Spahia [3] e Muho Shkreli që kanë kënduar “me të pasë lezet shpirti”. Bile, ky i fundit, pa pyetur fare se ishte hafiz, e këndonte bukur këngën: “Aman medet!”

Për një periudhë kohe kam punuar në Fabrikën e Cigareve. Gjithashtu kam qenë aktor teatri në Shoqërinë “Malet tona”. Këtu njoha dhe kujtoj me nderim Ndoc Mëshkallën, Gjergj Delinë, Shaban Cenin. Kujtoj gjithashtu që Ndoci kishte gjithmonë rol të parë. Regjisor kemi pasë Luigj Kakarriqin. Si natyrë ishte i dobët dhe vinte i hajm. Ky ka qenë mësuesi ynë.

Si bejtexhi, kam njohur edhe Hamdi Bejtjen, nipin e Sheh Ahmedit. Ishte i shkathët, i shpejtë. Kam njohur edhe një kafexhi në Parrucë. Ymer, Ymer katundari [4] i thoshin. Bejtet e tij ishin me fjalë banale.

Në të shumtën e herës, bejtet i kemi qitë te shtëpia e Ymer Manit në Tepe. Por kjo nuk i përjashtonte edhe shtëpitë e tjera. Ne i kemi ndenjur besnik traditës së bejtes shkodrane”.

Bejte nga Shaban Rrjolli
Këto copëza bejtesh që do të paraqes më poshtë i kishin mbetur të fshehura në kujtesë Shabanit atë ditë prilli, kur u takova për herë të parë e të fundit me të. I recitonte me gjithë shpirt, ndonëse zemra e tij ishte e lodhur, e sfilitur dhe e plakur.

Në vargjet që m’i dhuronte nuk mungonin herë pas here edhe ngjyrimet apo nuancat humoristike, të cilat i krijonte me lehtësi Shabani, teksa vizatonte situata të këndshme, që në shumicën e rasteve ishin të improvizuara.

I ruaj këto copëza bejtesh si gurë të çmuar shumëngjyrësh (pjesë e mozaikut të krijimtarisë së bejtarit), të regjistruar vite më parë në magnetofonin tim. Aty jetojnë, në atë tapi!

Duke vërejtur me kujdes bejtet në fjalë, e kupton që Shabani ruan me fanatizëm veçoritë e traditës së bejtes shkodrane. Dhe këto ndikime të kësaj tradite i shohim te koncepti i dhënies së mesazhit, te modelet e gatshme e skemat e njohura që përdor në ndërtimin dhe arketipin e bejtes, në mënyrën e krahasimit me objekte të njohura, në përdorimin e fjalëve parazitare: me kuptim dhe pa kuptim, në spontanitetin e formulimit të motivit, në vibracionet e tij, në krijimin e dimensionit real, humoristik, grotesk apo sarkastik e evidentues të realitetit si dukuri, fenomen apo gjendje që ekziston realisht, etj. etj.

1.

Po ju baj t’gjithëve nderim,
e si shok ju paraqitem,
disa bejte me kuptim
m’i mbajt n’mend datën e ditën.

2.

Unë kaher jam tuj mendue,
disa bejte i rreshtova,
me më fal n’paça gabue
se me punë pak xanë qëllova.

3.

Gjithsekush të ket’ kujdes,
edhe fjalën mos me e ndrye,
disa bejte unë po i qes,
ishalla kanë me ju pëlqye.

4.

Në dynja ka dhe horllek,
askërkund nuk ndihet kiza,
janë ba makinat shtatë një lek,
shkojnë e vijnë porsi miza.

5.

Dojnë me i dhanë vedit kyvet,
tanë bërtasin prej nji zanit,
ministra e deputetë,
janë si qejtë e Ymer Canit.

6.

Çdo dasëm bahet me lodër,
më vjen keq që jam plakë,
bejtexhinjtë që janë në Shkodër,
asnjëherë s’kanë pasë nafakë.

Qit e prit…

Në traditën e bejtarëve ka qenë zakon “dyluftimi” me anë të bejteve. Në këtë rast shquhej bejtja e improvizuar. Dhe “sheshet” ku shfaqej talenti i bejtarëve ishin: mjedisi publik, ceremonitë e fejesave, të martesave, ceremoni të ndryshme, mejhane, etj. etj. Pak a shumë “dyluftimi” kishte këtë ecuri: Ia fillonte njëri dhe ngacmonte shokun me një strofë të improvizuar (katër vargje ose një distik), “kundërshtari” i përgjigjej aty për aty. Kësaj udhe nuk i ka “dredhuar” edhe bejtexhiu Shaban Rrjolli. Në këto “ndeshje” shfaqen disa tipare karakteristike, të cilat Prof. Ramadan Sokoli i evidenton në këtë mënyrë:

“… Biramela prej natyre, me një shikim të shpejtë ata dijnë me vrejtë ambientin e me i kapë shpejt e shpejt tiparet karakteristike të secilit për t’i qitë në bejte me lehtësi të madhe. Ata kërkojnë anët qesharake dhe i përshkruajnë në qetësi, tue i paraqitë të metat dhe shëmtimet trupore të zmadhueme ose të zvoglueme si në karikaturë… Mbrendia e bejteve asht mjaft e larmishme: përmbajnë thërime përvojësh, gjykime morale, përshtypje dhe mendime rreth ndonjë problemi për t’u zgjidhë. Kryesisht përmbajnë tallje tipash dhe individësh…” [5]

Qit e prit… në mes Shaban Rrjollit e Kolë Tivarit [6]

Shabani: Kush i dyti, kush i pari,
ta tham fjalën flakë për flakë,
po ku je, mor Kolë Tivari,
a ke mujt me rrejt ndoj plakë.

Kola: Të tanë bejtet i kam n’krye,
me kët’ fjalë ti po më tutë,
nuk kam kohë m’u marrë me ty,
se qes bejtet n’pesë minutë.

Qit e prit… në mes Shaban Rrjollit e Ndoc Temalit (Bildja) [7]

Shabani: Du me i folë dy fjalë boshe,
m’duket vetja si midil,
rroftë e qoftë vllaznia n’qoshe
bashkë me Ndocin ndën kandil.

Ndoci: Me kët’ bejtë më ke habitë,
por diçka në mend m’u duk,
jam kandil që baj dritë,
e nuk jam si ti bishtuk.

Shabani: Njiksaj pune t’i dalë lezeti,
do t’jesh rritë me bukë e shllinë,
bishtukun mbaje për veti,
ka me t’u dasht me e ndez n’kuzhinë.

Ndoci: Unë po flas la e pa la,
e kërkuat, s’ia kam nxjerrë bojën,
unë nuk deshta për me t’sha,
pata qejf me ta çilë gojën.

Qit e prit… në mes Shaban Rrjollit e Pjetër Gjinit [8]

Pjetri: Gjithkush ka hallet e veta
jam tuj folë hir e pa hir,
ti, Shaban mundohesh me qit bejta,
por nuk din me i qitë mirë.

Shabani: Ban shyqyr që je i kshtenë,
po s’ke din e s’ke iman,
topall je, topall ke kenë
topall ke me kenë gjithmonë.

Qit e prit… në nderim të humoristit Mërgim Muhja [9]

Shabani: Pak prej qefit, shum’ prej gzimit,
unë qes bejta ditë e natë,
falenderoj familjen e Mërgimit,
e paçin jetën e gjatë!

Qit e prit… Hasije Rrjolli [10]

Hasija: Unë gjithmonë flas të vërtetën,
motrës sime i kanë thanë Leqe,
Shabani ma qiti nji bejte
sigurisht po i jap përgjegje…

Djemtë na qofshin me nafakë,
për çdo gja kena nevojë,
Shabani tash asht plakë,
kot sa ban luftë me gojë.

Shabani: Si me kenë tas hashafit
për me i dhanë punës shyret,
kto janë bejta mbas pilafit,
me qit shumë nuk ka lezet.

Hasija: Ndigjo mirë çka thotë Hasija,
veç të lutem me m’ndigjue,
ti ke msu n’lagjen “Liria”
e po qet bejta me mue.

Shabani: Rrnoftë e qoftë gjithmonë shoqnia,
si zagari që del me gjue,
ndigjoji mirë bejtat e mia
që hala ti si ke msue…

Hasija: Na qofshim faqebardhë,
nji e nji na bajnë dy,
qysh se ktu kam ardhë
kam qit bejta me ty…

Shabani: A ke kenë ndoj herë te plepat
aty njerëzit qajnë me pecë,
unë me bejta t’i mbush xhepat,
nuk sheh rrugën ka me ecë…

Hasija: Çdo gja n’zemër e mbaj t’ndryme,
me ju flas e jam tuj qeshë,
derisa kam moshë të thyeme
ma s’po mundem me qit vjershë…

Kujtesë…

Shaban Rrjolli vdiq, më 23 korrik 2001, në Shkodër. Ashtu siç e thamë edhe në fillim të shkrimit: ishte përfaqësuesi i fundit që i mbeti fanatik traditës së bukur të bejtes shkodrane, traditë që duhet njohur, mbledhur e studiuar, sepse kemi të bëjmë me një thesar që është pjesë e identitetit shkodran, pa të cilën nuk mund të kuptohet Shkodra.

Për të nderuar figurën e Shaban Rrjollit, një bejtexhi tjetër i njohur shkodran, i një brezi paksa më të ri, Isa Teli (edhe ky tashmë ka ndërruar jetë), e ka “portretizuar” Shabanin kështu përmes vargjeve:

Ju përshëndes në përgjithësi,
po kam qejf me fol taman,
po kujtoj një bejtexhi,
Shaban Rrjollin, veteran…

Koha ban punën e vet,
e ndër ne ishte ma plaku,
të gjithë i thonë: rahmet pastë,
në farë e fis ma qesharaku.

Njikshtu, pra, ç’asht e vërteta,
ishin t’rrallë shokët e tij,
nëpër gëzime nxirrte bejta,
çdo ambienti i jepte gjallëri.

Bejtexhi hangri bukë veç,
ja kish dhanë Zoti dhunti,
gati ishte 90 vjeç,
mendjen top si djalë i ri.