Historia Kullës së Ngujimit – Ciceroni i pazakonte

Kanuni i Lekë Dukagjinit ka nisur të zbatohet në Malësinë e Veriut të Shqipërisë disa shekuj më parë. I trasmetuar me anë të fjalëve të urta, të formuluara si të thëna prej princit Lekë Dukagjini dhe të trasmetuara gojë më gojë, ai mbijetoi i pashkruar dhe u zbatua si një “ligj” në ato zona deri në kapërcyell të shekujve XIX-XX, kur prifti Shtjefën Gjeçovi vendosi ta hedhë në letër.

Për pasardhësit e banorëve të këtyre zonave Kanuni nuk mund të lexohej, por vetëm të përcillej nga ati tek biri me të thënë. Kështu beson edhe Sokol Koçeku, i cili nuk e ka lexuar kurrë “Kanunin e Lekë Dukagjinit” që njohim ne sot, por të flet me siguri për çdo nen rregullator të tij për jetën në Malësi.

Sokoli është pasardhës i familjes Koçeku, me nam të madh në zonën e Thethit, ku fati e deshi të trashëgojë një ndërtesë unike, e vetmja e mbetur në këmbë e llojit të saj, të ashtuquajturën “Kullë Ngujimi”. I pashkolluar për histori, por me një talent në aktrim dhe oratori, Sokoli, i fundmi trashëgimtar i Koçekëve, mund të jetë ciceroni më i pazakontë që keni hasur në jetë.

“Unë kam dy fakultete, të gjyshit e të babës tem. Kanuni nuk lexohet në versionin 150 faqesh, por ndihet brenda në zemër, përcillet nga baba tek djali. Kur isha 6 vjeç ma ka tregu baba dhe kur u bëra 10 ai më pyeste ndonjë gja nga kanuni dhe unë i përgjigjesha, kur u bëra 18 vjeç ai më pyet sikur vetë ta kishte harruar krejt dhe unë ia tregoja. Ja kështu përcillet kanuni”- thotë Sokoli.

Duke pasur në pronësi “Kullën e Ngujimit” në Theth, një atraksion turistik për vlerat historike që mbart, ai e ka kthyer atë në një biznes fitimprurës.

Sokoli thotë se ka refuzuar t’ia shesë ministrisë së Kulturës këtë ndërtesë për t’a kthyer në një monument të trashëgimisë kulturore dhe ka vendosur të bëhet vetë ciceron i Kanunit dhe i Kullës, e cila mbart brenda saj historitë e pajtimit të gjaqeve ndër shekuj dhe përcjell nëpërmjet atyre gurëve mënyrën se si kanë jetuar e si e kanë organizuar jetën.

Dhe puna po i ecën mjaft mirë. Fundjavën e parë të shtatorit, ora 7.00 e mbrëmjes, sapo ka nisur një shi i ftohtë prej reve të mbledhura majë bjeshkëve, në oborrin e kullës janë afro 50 turistë që presin të futen brenda. Secili prej tyre i paguan Sokolit në dorë nga 1 euro ose 100 lekë të reja pasi ka dëgjuar rrëfimin e tij brenda kanateve magjepsëse të ndërtesës 3-katëshe, ngritur mbi një gur të madh me vetëm 2 dritare të vogla, që quhen vrëngji.

Për t’a bërë më atraktiv rrëfimin e tij që i ngjan më shumë një recitimi përmendësh nga përsëritja e shpeshtë, Sokoli është veshur me veshje popullore të zonës, qeleshe dhe jelek i kuq i qëndisur, veshje e përditshmërisë për paraardhësit e tij. Një erë e fortë lagështie nga mungesa e dritës dhe me dërrasat që të kërcasin poshtë këmbëve hyrja brenda këtyre katër mureve është një magji më vete, e frikshme dhe njëkohësisht ndjellëse për historinë e legjendën që i është veshur ndër shekuj. Në këtë kullë, pajtimi i fundit i gjakut është bërë më shumë se një shekull më parë, nëse do t’i referohemi kujtimeve të udhëtares britanike Edit Durham që shkeli në këtë zonë në vitet e para të shekullit XX. Pyetjes së saj se kur ka qenë pajtimi i fundit i gjakut banorët e Thethit i thanë “10 vite më parë” dhe prej asaj kohe ndërtesa nuk ka parë më brenda saj as ngujim të fajësit dhe as pleqtë e moçëm që mblidheshin për të pajtuar familjen e gjaksit me atë të viktimës.

Shkrimtarja dhe artistja angleze nuk e ka menduar se pikërisht vizatimi i bërë prej saj në librin “Shqipëria e epërme” e ka kthyer këtë kullë në një atraksion ekzotik për mijëra turistë të huaj dhe vendas që këto 10 vitet e fundit kanë vërshuar në këtë fshat duke rizbuluar atë magji që ajo e pa me sy më shumë se një shekull më parë.

Pse “Kulla e Ngujimit” është në fakt “Kulla e Pajtimit”

“Gjyshi më ka thanë se ky është një vend i shenjtë”- thotë Sokoli dhe shenjtërinë e merr prej funksionit që kishte si vend ku pajtoheshin gjaqet dhe shuhej zemërimi i dy fiseve nga i cili mund të rridhnin një varg vrasjesh në të ardhmen. Kur nis të shpjegojë për turistët historikun e kullës ciceroni unik këmbëngul se; “Kjo kullë është për pajtim, jo për ngujim, pavarësisht emërtimit që njihet dhe faktit që në të ngujohej ai që kishte bërë një faj, një vrasje, plagosje apo dëmtim prone”. Historinë e treguar prej gjyshit të tij, Zef Kol Koceku, i fundit prej familjes që ka jetuar më afër me mënyrën e jetesës sipas urdhëresave ligjore të kanunit, ai e përcjell tash për vizitorët e kuriozuar ulur mni minderet e vjetra.

Gojëdhënat e ruajtura si fakte historike nga banorët flasin për pajtimin e më shumë se 300 konflikteve nga e gjithë zona e Shalës pikërisht në këtë vend, ku sot nipi i tij, tregon me pasionin e një aktori. E ndërtuar 4 shekuj më parë si “Kullë Mbrojtjeje” nga armiku ajo ka ndryshuar disa herë funksion, si kullë ngujimi e pajtimi, si kasolle e lënë në harresë gjatë komunizmit dhe sot si objekt turistik. Po çfarë ndodhte brenda këtyre mureve nga koha e Lekë Dukagjinit deri në fund të shekullit XIX?!

Sokoli na sjell një tablo si më poshtë;

Kur një banor i zonës kryente një vrasje ai strehohej brenda kullës për 15 ditë duke pritur “që zemërimi të zëvendësohej nga arsyeja dhe dikush të ndërmjetësonte që faji të gjykohet me drejtësi”- siç e përshkruan Durham.

Pra shërbente si një lloj paraburgimi në gjuhën e sotme juridike.

Djemtë e fshatit ndaheshin në grupe nga shtatë vetë dhe e ruanin fajtorin që mos të arratisej nga kulla dhe i çonin për të ngrënë. Pra, një lloj policie sipas termave modernë.

Gjatë kësaj kohe krijohej ajo që pa frikë mund t’a quanim “trupa gjyqësore” me disa pleq që negocionin me familjen e viktimës dhe të fajtorit për të arritur deri në një mundësi pajtimi mes tyre. Koha e lënë për këtë punë ishte 2 javë, pasi mund të refuzonte familja e viktimës negocimin nga një plak i fshatit dhe kërkohej një plak tjetër nga një fshat tjetër.

Momenti i vendimit për të falur gjakun ishte vërtet rrënqethëse!

Sokoli merr një djep, që ruhet në atë vend si relike me rëndësi të veçantë në gjithë këtë skenë gjygji të çuditshme, dhe e kthen përmbys.

“Plaku i pajtimit lidhte në djep një fëmijë të vogël të gjinisë mashkullore nga familja e fajtorit dhe e kthente djepin përmbys. Familja e viktimës kishte disa minuta kohë për të vendosur faljen e gjakut dhe vendimi i tyre kumtohej duke kthyer djepin së mbari, pasi fëmija rrezikonte të mbytej në çdo sekondë që kalonte. Në rastet kur përfaqësuesi i kësaj familje nuk e ngrinte djepin, ishte plaku i Pajtimit (gjyqtari) që e ngrinte vrik, por nëse ndodhte kjo, atëherë ishte një fyerje e madhe për pleqtë që kishin negociuar pajtimin”- tregon historinë duke e aktruar të gjithë skenën ciceroni ynë. Për ta përmbyllur tablonë e tij udhërrëfyese Sokoli ka menduar edhe t’i argëtojë turistët me aftësitë e tij vërtetë të veçanta në nxjerrjen e një melodie muzikore duke mbajtur pranë gojës vetëm një gjethe frashëri.

Kjo metodë e të bërit muzikë nga një gjethe peme është po ashtu një trashëgimi e jetës së malësorëve të vjetër dhe ky është momenti kur Sokoli bëhet i famshëm pasi videot e bëra me telefon nga turistët apo dhe emisionet e ndryshme televizive kanë bërë të mundur që kjo melodi të përcillet nga kjo kullë e vjetër në gjithë botën e internetit.

Ai e thotë me krenari që si personazh është bërë pjesë e guidave turistike në gjermanisht e frëngjisht.

Fati i kullës

Në vend të themeleve ajo qëndron mbi një gur të madh, duke i mbijetuar shekujve dhe të gjitha fenomeneve natyrore, por sot mbi fatin e saj flitet shumë. E ngjashmja e saj në Curraj të Epërm në Tropojë u shemb e lënë në harresë vetëm disa vite më parë dhe kjo e bën kullën e Thethit edhe më unike e të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

I vetmi rikonstruksion që i është bërë është çatia e re e financuar nga ambasada hollandeze, siç tregon Sokoli.

Por ai nuk ka besim tek shteti shqiptar, mendon se ata nuk do të dinë të kujdesen për këtë vepër siç bën ai, ndaj refuzon të bashkëpunojë për t’a kthyer në një monument kulture, ku ndoshta Sokoli nuk do t’a kishte më “punën” si ciceron.

Në kohën e komunizmit babai e deklaroi kullën si “kasolle”, të vetmen pronë te veten, për t’i shpëtuar ndonje vale shembjeje, por dhe në atë kohë njerëzit që ia dinin historinë vinin fshehurazi e bënin foto para saj.

Duke besuar se kjo është koha e dytë e lavdishme e jetës së Kullës, Sokoli po bën përpjekje për ta vendosur atë nën mbrojtjen e UNESCO-s, duke e lënë si testament të trashëgimisë botërore./Marrë nga Revista Mapo me lejen e editorit.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...