Biçikletat e Shkodrës, një atraksion turistik

Turizëm me biçikleta?! Pse jo. Nisma vjen nga një grup të rinjsh të qytetit me traditën më të konsoliduar të përdorimit të biçikletave: plot 29% çka është ndër më të lartat jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin dhe në Europën Juglindore.

Ata mendojnë ta çojnë më tej këtë traditë, duke mos e parë biçikletën vetëm si një mjet transporti në respekt të ambientit, në kohën kur botës po i merret fryma nga gazi karbonik i makinave, por duke e shfrytëzuar këtë trashëgimi të kulturës jomateriale të Shkodrës në funksion të turizmit të qëndrueshëm.

Prej kohësh, të rinjtë e “GO2” organizojnë guida turistike me biçikleta, duke e ndërthurur pedalimin me atraksionet e shumta turistike të këtij qyteti. Kështu, grupet e organizuara të pasionantëve vendas e të huaj, thuajse çdo javë kanë pedaluar drejt Kalasë së Drishtit, Kishës së Shirqit, vendbanimit të Mjedës në Kukël, por edhe drejt Velipojës, Shasit, Gajtanit, Jubanit, etj.

Ata ia kanë dalë të bëhen koordinatorë të projektit europian Eurovelo, që përbëhet nga 14 korridore rrugore me gjatësi totale prej 70.000 km tej për tej kontinentit të vjetër, duke përfshirë edhe Shqipërinë në rrugën Mesdhetar të këtij projekti të mbështetur fuqishëm nga vetë Komisioni Europian.

Këtij qëllimi i shërbyen dy ditët e aktiviteteve të “Turizmit me biçikleta” që GO2 mbajti në Shkodër, me pjesëmarrjen e ekspertëve të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrisë së Kulturës, GIZ-it gjerman, institucioneve më të larta lokale, por edhe të vendeve të rajonit që nuk kanë mundur të përfshihen në Eurovelo, si: Mali i Zi dhe Kosova.

Përveç ekspertëve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, si z.Genc Metohu, z.Kujtim Onuzi, z.Elton Noti, znj.Saranda Shala dhe z. Gëzim Çoboviç në workshop-in kombëtar u prezantua edhe përvoja daneze e biçikletave, nëpërmjet pjesëmarrjes të z. Jens Erik Larsen, që solli në Shqipëri punën e kompanisë “Frie Fugle” me 32 vjet traditë në këtë drejtim. Nga ky workshop doli edhe rezoluta që do t’u shpërndahet qeverisjeve lokale, institucioneve pjesëmarrëse, Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe shoqërisë civile, një qasje që e rendit Shqipërinë në mesin e 42 vendeve europiane që dinë ta ndërtojnë vetë të ardhmen.

Në të vërtetë “Dita e Biçikletave” mori jetë prej një serie aktivitetesh brenda një ansambli muzeal, si rruga “Gjuhadol” në Shkodër, që synoi përfshirjen e të gjitha moshave, qysh nga fëmijët e kopshteve e deri te të moshuarit e pasionuar pas biçikletave. Ekspozita me foto të Fototekës “Marubi” që dëshmojnë marrëdhënien shekullore të shkodranëve me biçikletën ishte pika kulmore e “Ditës së Biçikletave”.

Ndërkaq, për herë të parë në Shkodër u organizua “Critical Mass”, një lëvizje globale për sensibilizimin e komunitetit dhe politikës për të drejtat e pedalimit. Të prirë nga artistë, sportistë e specialistë të fushave të ndryshme, për dy orë, qindra shkodranë vërshuan nëpër rrugë me biçikleta, duke filluar nga sheshi “Nënë Tereza” drejt pedonales së Urës së Bunës, për të vazhduar më pas në lagjet e brendshme të qytetit të Shkodrës.

Kështu, përveçse lehtësojnë jetën duke mos u bllokuar në trafikun e modernizmit kaotik shqiptar, shkodranët, të cilët besojnë se qyteti i tyre është qendra, atraksioneve unike të turizmit në Shkodër po u shtojnë edhe “dyrrotaken”. Mirësevini pra, në qytetin e biçikletave!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...