Të sjellësh Indonezinë në shtëpi, një vilë balineze në Shqiperi

Nga Elona Jaçellari / Fotografia Armand Habazaj

Bali dhe ishujt e panumërt, natyra dhe bukuria që ofrojnë ato, e bëjnë Indonezinë të duket një vend përrallor. Ndaj dhe është një ndër vendet më ekzotike që tani për tani po tërheq shumë turistë. Deri një dekadë më parë ishte thuajse i panjohur për shqiptarët, por, së fundmi, shumë syresh po zgjedhin të eksplorojnë Indonezinë,

 

e veçanërisht Balin, ishullin më të njohur hindu. Aq magjepsës është ky vend, saqë ndihesh i paplotësuar po të kthehesh prej andej vetëm me një suvenir. Në Tiranë, “Living” ka zbuluar dy shtëpi të mobiluara kryesisht me materiale të importuara prej andej. Vilat janë të stilit kolonial, të ndërthurura me interier minimalist. Zotëruesit e tyre kanë guxuar që arredimin ta bëjnë jo vetëm sipas stilit balinez, por me materiale të sjella prej vetë zemrës së Indonezisë.

 

Sapo futesh në një prej oborreve, në fund të hapësirës së gjelbëruar, përcepi, syri të rrok një statujë, pjesë e ceremonive në tempujt Hindu. Është një gur masiv i gdhendur, i ardhur nga Bali dhe që simbolizon ciklin e jetës dhe të fertilitetit.

 

Pak më tutje, oborrin e dekorojnë tre gurë të tjerë, të madhësive të ndryshme. Të gdhendur nga brenda, por me formën e tyre natyrale, ata mund të shërbejnë si vazo ose ndriçues. Në këtë shtëpi nuk mungon as pishina dhe për ta afruar atë me pamjen ekzotike indoneziane. Përkrah saj është vendosur një belvedere prej kashte, krijuar nga kulmi i një shtëpie të vjetër javanese (Joglo), që është edhe një vend shumë i mirë për t’u çlodhur dhe medituar. Grilat e saj janë bërë prej dru bambuje, dhe mbrojnë si nga shiu, ashtu edhe nga dielli. Si dekor i bukur në këtë hapësirë çlodhëse, qëndron edhe një shilarës i thurur në ratan (një lloj

 

dege peme, e cila më shumë ngjan si litar, sesa si dru). Lë pas oborrin, për t’u futur në mjedisin e ndenjjes. Sapo hyn këtu, ta tërheq vëmendjen tavolina e mesit me një formë të pazakontë dhe të çrregullt. Ajo është krijuar nga rrënja e drurit tik (një dru shumë cilësor, e në shumë vende të botës prerja e tij ndalohet me ligj). Mjafton të shohësh atë dhe ndjen se një copë pylli indonezian të ka pushtuar zemrën.

 

Në dhomën e ngrënies, tavolina minimaliste e realizuar në formë moderne, është bërë gjithashtu me dru masiv tik të sjellë nga provinca e Javas. Mënyra e lidhjes së këmbëve me sipërfaqen, të krijojnë idenë e natyrshmërisë të drurit, pavarësisht konceptit modern të saj. Pra, që nga oborri, mjediset e brendshme, dhomat e gjumit, tualetet, e deri te parketi i kësaj shtëpie, çdokush ndjen Indonezinë në të.

 

Merret me mend se çfarë rrugëtimi të gjatë ka bërë kjo fantazi ekzotike, për të mbërritur deri në Tiranë. Sa për kostot, kjo mbetet për t’u diskutuar. Mjafton të gjesh rrugët e duhura që të çojnë aty, pastaj mund t’i bësh të tuat gjithë këto mrekulli. Andi është një prej sipërmarrësve që në fillimet e vitit 2000 ka çarë rrugët e kontinenteve të largëta ekzotike, për t’i sjellë në njëfarë mënyre ato në Shqipëri. Materialet, dekoret dhe gjithë mobiliet e kësaj shtëpie në Tiranë, janë sjellë nëpërmjet aktivitetit të këtij sipërmarrësi.

 

“Jam munduar që 100 për qind e konceptit të shtëpisë, të jetë aziatike dhe 50 për qind e mobilimit është realizuar me artikuj nga Bali. Ka shumë gjëra që janë prodhuar në Shqipëri, por një pjesë të materialeve dhe drurin e kam sjellë prej andej, kuptohet, për shkak të përmasave të mobilieve, – thotë Andi. –

 

Asgjë nuk është e shtrenjtë, sa u takon mobilieve, ndërsa për materialin e parketeve nuk është kursyer. Parketi është dru masiv, e po ashtu edhe tavolinat. Duhet të kesh pak fantazi që objekte e mobilie, të cilat nuk i shikon brenda shtëpisë tënde, t’i fantazosh aty. Po të kesh pak interes për vendet dhe popujt e huaj, arrin ta marrësh me vete kulturën e tyre. Të tërheq diçka që ti nuk e njeh, por është e bukur dhe të përcjell mistiken. Pasi e njeh fillon ta eksplorosh.”

Në Tiranë, gjen edhe një oazë që ka pak nga zemra indoneziane, tajlandeze, indiane, vietnameze dhe nga këto kultura të largëta. Ai është “Aromë Indie”, dyqani i cili që prej vitit 2000, së bashku me aksesorët, dekoret dhe mobiliet ka importuar edhe shpirtin ekzotik të këtyre vendeve. Andi është një prej dy ortakëve të këtij aktiviteti. Ai tregon se këtë punë e ka nisur, sepse e ka pasion dhe e tërheqin shumë këto vende e kultura. “Në fillim, artikujt indianë, indonezianë dhe tajlandezë, i sillnim nga Italia. Më pas morëm pjesë në një panair ku u prezantuam me prodhuesit dhe

 

menduam që ishte më mirë, për çështje kostosh dhe shumëllojshmërie materialesh, që të shkonim vetë atje, – rrëfen Andi. – Është shumë e lodhshme të shkosh vetë, sepse do shumë kohë. Për të sjellë dy ngarkesa duhet të rrish një muaj e gjysmë, gati dy, sepse ne marrim sende dhe objekte artizanale, të punuara nëpër shtëpi, dhe jo të fabrikuara.

 

Kështu, një familje bën një artikull, një tjetër një artikull tjetër, dhe duhet të shkojmë shtëpi më shtëpi që t’i mbledhim”. Andi tregon se indonezianët e konsiderojnë si detyrë ndaj Zotit punën artizanale artistike, por, duke parë se turistët i pëlqenin punimet që ata bënin për tempujt e tyre, filluan ta shisnin artin e ta kthenin në mënyrë jetese. “Punët dhe rafiniturat që bëjnë ata janë shumë origjinale, shumë të bukura, – rrëfen sipërmarrësi. – Janë tërësisht punime dore. Në një mobilie nuk gjen gozhdë. Janë të gjitha të punuara me dru dhe të montuara”. Por të sjellësh gjithë stilin indonezian në shtëpi, është tërësisht e pamundur, për shkak të klimës dhe mënyrës sesi ata e ndërtojnë jetën brenda një strehe banimi.

Sipërmarrësi i dyqanit “Aromë Indie”, tregon se këto mobilie, nuk mund të mbushin gjithë shtëpinë tonë. Hapësirat tona janë të mëdha për mobiliet e tyre. “Ata kanë dollapë shumë të vegjël, sepse mbajnë pak veshje, por në shtëpitë tona mund të mbajmë fare mirë artikuj të punuar prej tyre. Dekoret e tyre janë shumë të bukura dhe mund të kombinohen me çdolloj mobilimi, – vazhdon Andi. –

 

Përveç pjesës minimaliste dhe utilitare, indonezianët kanë edhe gjëra ekstravagante që frymëzohen nga natyra. Si për shembull, të përdorësh një rrënjë peme në vend të tavolinës; gjëra që mund t’i kemi përditë para syve, por që nuk na shkon mendja se mund t’i përdorim. Ata përpiqen të shfrytëzojnë çdo gjë që marrin prej natyrës e të mos e lënë të shkojë dëm.”

 

Ekzotizmi i rrallë i një shtëpie balineze

Shtëpitë në Bali janë minimaliste, por në asnjë rast nuk mungojnë zbukurimet, gdhendjet e pikturat, sado të varfër të jenë të zotët e shtëpisë. Në përgjithësi, balinezët janë njerëz minimalistë dhe praktikë. Nga ata është frymëzuar minimalizmi në art, në veshje dhe muzikë, pasi janë munduar ta ndërtojnë çdo gjë me pak; me atë që u ofron natyra. Shtëpia e tyre ideale është një ambient me pesë shtëpi dhe dy tempuj brenda saj. Një tempull duhet të jetë në hyrje, pastaj duhet të jetë shtëpia e çiftit –

 

dhoma e pritjes, e gatimit dhe e ngrënies janë veç – pastaj është shtëpia e fëmijëve dhe ajo e miqve. Në fund të hapësirës, duhet të jetë tempulli tjetër. Pra, secila nga këto shtëpi duhet të ketë një kulm më vete brenda shtëpisë së madhe e të jenë të ndara nga njëra-tjetra. Mjaftojnë edhe vetëm dy centimetra ndarje nga secili kulm dhe shtëpia konsiderohet e realizuar, sepse jo të gjithë kanë mundësi ekonomike për të pasur hapësira të mëdha në banesat e tyre. Sa u takon tempujve, ata variojnë nga një pëllëmbë, 20 centimetra, deri në 500 metra katrorë.

 

Klima shumë e mirë, thuajse 26 gradë gjithë vitin dhe kërkesat minimale që kanë për jetën, kanë bërë që edhe shtëpitë balineze të jenë minimaliste. Ato nuk para kanë mure dhe kryesisht shtëpia përbëhet nga çatia dhe kolonat. Mund të ketë një ose dy faqe muri dhe pjesa tjetër, mbulohet me grila bambuje.

Për të kompletuar një shtëpi, këta njerëz përdorin vetëm materiale natyrore. Elemente e materiale që mbledhin nga oborri apo pylli, duke u dhënë më pas formën që duan. Kjo, sepse hindutë balinezë, për shkak të besimit dhe devotshmërisë që kanë, kanë zhvilluar jashtëzakonisht aftësitë e tyre dekoruese.

 

 

 

 

 

 

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...