Shqiptarët e duan të bukurën po aq sa duan të ‘shesin’ mend. Bizneset kryesore në Tiranë pohojnë se femrat që frekuentojnë palestrën janë në rritje por pjesa më e madhe e tyre nuk shkojnë për rezultate se sa për t’u dukur.

Tendenca e frekuentimit është në rritje, teksa promocionet dhe rritja e numrit të tyre kanë ulur çmimet. Shifrat nga Dogana tregojnë për rritje të importeve të pajisjeve për palestra, që dëshmon zgjerimin e tyre në treg

“E kërkojnë kryesisht përpara sezonit veror. Femrat duan të dobësohen shpejt dhe kjo mani qarkullon prej kohësh në të gjitha palestrat në qytet”, – thotë instruktorja e palestrës “Angels”.

Jurgen Hakani, instruktor profesionist pranë “Flex Gym”, thotë se grupmosha që frekuentojnë palestrën nisin nga adoleshentët deri te moshat 50-60 vjeç, duke provuar kështu se nuk ka më limite dhe se kërkesat janë të shumta, në varësi të asaj çfarë duan të arrijnë nëpërmjet stërvitjes.

Përfshirja kaq e gjerë e moshave në frekuentimin e palestrave është në fakt një trend botëror, që e ka nxitur më tepër zhvillimin e këtij tregu.

Në Tiranë ka mbi 50 qendra moderne që ofrojnë shërbime fitnesi. Përveç ushtrimeve fizike të drejtuara nga instruktorët, në këto qendra ofrohen edhe shërbime shtesë, si sauna, masazhe, hidromasazhe.

Për klientët e rregullt, një pjesë e tyre i ofrojnë falas, ndërsa të tjerë aplikojnë pagesa shtesë. Profesionistët në treg këshillojnë që duhet të bëni kujdes në zgjedhjen e asaj që bën vërtet për ju dhe t’i besoni përvojës së drejtuesve të seancave të dobësimit apo fitnesit.