Nga Menotor Kikia

Kur ndalova në gomisteri për të kontrolluar një gomë të shfryrë të makinës, mu afrua një vajzë e më tha: Çfarë problemi ka?

-Goma, më ka rënë!

Ajo nxitoi të kontrollojë presionin e të katër gomave. Pastaj çmontoi shpejt e shpejt gomën e rënë, e kontrolloi, dhe nxitoi ta montonte.

Unë kisha mbetur në këmbë e po ndiqja veprimet e saj. Mendova se ishte ndonjë truk, por vajza për pak minuta e mbaroi punën.

Duart i kishte të nxira nga gomat, vajrat po lëndë të tjera në një servis makinash.

Edhe në fytyrë kishte disa njolla të zeza pluhuri.

I kërkova leje për t’i bërë disa foto. Dhe padyshim i thashë që do t’i publikoja. Pranoi dhe qeshi.

“E kam biznesin tim, punoj këtu me babanë. Ia kam marrë dorën mirë”.

Kjo është Xhoi, 21 vjeç, nga Bradasheshi, në Elbasan. Ajo ka zgjedhur të bëjë gomisten. Një punë burrash kudo, por ajo e ka sfiduar dhe e bën shumë mirë.

Vendosa ta ndaj me ju rastin e Xhiot, për të dëshmuar modelin e një vajze të re që ka zgjedhur të punojë. Një punë e “pisët” dhe e rëndë. Por ajo e thotë me kënaqësi: Ky është biznesi im!

Vendosa ta ndaja këtë histori, edhe si një model për një rini në krizë, që mendon se këtu nuk jetohet më.

Per një rini që referencë ka djemte dhe vajzat e që kapardisen në rrjetet sociale me makina luksi, me paratë e baballarëve, shpesh të buruara nga krimi e korrupsioni.

Edhe pse një vajzë showbizi është padyshim më e famshme, unë po u kërkoj lexuesve të këtij shënimi ta shpërndjanë këtë postim si një shembulll për t’iu referuar.

Të faleminderit Xhoi për mësimin që na jep të tërëve!