Shkruan: Dr. sc. Enver REXHA

Me gjithë hulumtimet nga ekspertët që janë bërë edhe kohëve të fundit në këtë drejtim, të cilat dihen dhe në masë edhe të publikuara, mendoj se janë të pakta dhe ende jo të plota. Rezultatet e deritanishme në këtë drejtim, njoftojnë se, një numër i monumenteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës që nga kohët e lashta të ekzistencës së tyre që janë zbuluar nuk do të kenë vetëm rëndësi kombëtare shqiptare, por ato në shumë aspekte i kapërcejnë edhe kufijtë, me ç’rast hyjnë në historinë e kulturës botërore.

Kosova, sot paraqet një burim të begatshëm të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të periudhave të ndryshme historike, duke filluar që nga parahistoria e deri në ditët tona të cilat veçohen për nga vlerat, cilësitë dhe rëndësia historike e tyre. Njëherit, ato tregojnë për rrjedhën dhe vazhdimësinë e jetës njerëzore, formacioneve kulturore, qytetërimeve etj., të popullatës së këtij vendi. Në fondin e këtyre veprave të trashëgimisë bëjnë pjesë edhe objektet sakrale, të kultit, të realizuara nëpër periudha kohore.

Ne në këtë punim do të fokusohemi kryesisht në monumentet e kultit, në kishat dhe manastiret katolike e ortodokse, në zhvillimin e tyre gjatë periudhës mesjetare dhe më pas. Po ashtu, do të përqendrohemi kryesisht në propagandën e Akademisë së Shkencave dhe historiografisë serbe të cilat duke u nisur që nga shekulli XIX-XX e në vazhdim deri në ditët e sotme, nuk zgjedhin mjete që në punimet e tyre “shkencore” të shumta të paraqesin qëndrimet, tendencat për përvetësimin e monumenteve të kultit të krishterë’kishave dhe manastireve “ortodokse” që ekzistojnë sot në Kosovë, duke u prononcuar se janë të tyre.
patriarkana_pejes-300x252Për më tepër, qëndrimet pseudoshkencore e propagandistike të historiografisë serbe paraqiten me tezat se: çdo gjë në aspektin e monumenteve dhe të trashëgimisë kulturore sot në Kosovë është kinse trashëgimi “serbe” ose “kulturë serbe”; shqiptarët nuk kanë “asnjë gjurmë të trashëgimisë kulturore”, përveç Kullave, të cilat kinse i ndërtuan pas “ardhjes” dhe “vendosjes” së tyre në trevat e Kosovës gjatë shek. XVIII-XIX; shqiptarët përjashtohen nga çdo e drejtë mbi “tokën e shenjtë serbe” të Kosovës ku gjinden “qindra” monumente “shpirtërore” të shtetit mesjetar “serb”, e plot qëndrime të afërta me këto, na shtyn që të merremi me këtë studim.

Të dhënat historike tregojnë se, trevat ilire (shqiptare) kanë hyrë në literaturën sakrale pikërisht që nga koha e Apostolit Shën Pali (shek. I), nga i cili kemi dëshminë: “Kështu prej Jerusalemit rreth e përqark deri në Ilirik e kam kryer plotësisht detyrën time të përhapjes së lajmit të gëzueshëm mbi Krishtin”. Me zyrtarizmin e krishterimit, sipas Ediktit të Milanos më 313, kur organizimi kishtar u legalizua edhe në trevën e Dardanisë (Kosovës, E.R.), kuptojmë se përmes statusit të veçantë administrativ e juridik, Dardania, do të ketë edhe qendrën e Ipeshkvisë ose Mitropolinë të sanksionuar me Koncilin e Nikesë të vitit 325.

Siç dihet, pas ndarjes së Perandorisë romake në lindje dhe në perëndim, më 395, Iliriku administrativisht bën pjesë në Perandorinë e Lindjes, ndërsa në pikëpamje kishtare do të mbetet nën influencën e Romës. Gjatë shekullit IV-VI organizimi kishtar në Iliri mori hov të madh sa që dihet se vetëm në Dardani (Kosovë, E.R.) u ngritën 5 deri në 7 ipeshkvi. Në kohën e perandorit Justinian (525-565) fillon një epokë e re në jetën e kishës Dardane.
Perandori Justinian e riorganizoi kishën dhe në këtë mënyrë krijoi një provincë të re të pavarur kishtare së cilës i dha një rol të rëndësishëm në këtë pjesë të Perandorisë. Perandori Ilir, Justiniani, gjatë vitit 535 e shpalli novelën e XI’të, me të cilën vendin e vet të lindjes, Justinianën e Parë, e shndërroi në qendër të madhe kishtare me një hapësirë të gjerë të territoreve të Perandorisë ku përfshihen: Dardania, Dacia Mediterania, Dacia Ripensis, Mysia, Prima, Prevalitana, Maqedonia e Panonia Secunda.

Në kuptimin e sotëm gjeografik, Justiniana e Parë nën ekzarkatin e saj kishte Serbinë, Sremin Lindor, Bullgarinë Perëndimore, Maqedoninë Veriore, Kosovën dhe Malin e Zi. Më pas, me invadimin e barbarëve (sllavo-avar) në trevat ballkanike do shihet se asokohe do ndërronte edhe harta kishtare e Dardanisë. Nga kjo kohë do të shohim se kisha e Dardanisë më vonë do të bëhet gjithnjë element më i fortë krishterizues edhe i ardhësve sllavë në Gadishullin Ballkanik që nga shek.VII-X’të.

Gjatë kësaj periudhe pësojnë dëme të mëdha selitë ipeshkvore e arkipeshkvore siç janë: Justiniana Prima, Shkupi, Justiniana Seconda (Ulpiana, E.R), Nishi e Remesiana. Gjatë këtyre invadimeve do të ndërpriten lidhjet përkohësisht edhe me Papatin, për t’u shkëputur për një kohë të gjatë sidomos në shekullin VIII, kur Iliriku Lindor do të shohim se do ti bashkëngjitet Konstantinopojës. Por, do dihet gjithashtu se, jashtë ndikimit të kishës bizantine mbeti edhe për një kohë Ipeshkvia e Shkupit dhe e Prizrenit. Këtej Justiniana Prima, deri në vitin 732, ishte qendër kishtare nën juridiksionin e Romës. Pas kësaj periudhe, në kohën e perandorit bizantin Leonit III’të, ipeshkvitë e Ilirikut u shkëputën nga vartësia e Romës duke iu nënshtruar qendrës së Konstantinopojës.

Ndryshime të dukshme në vijim do të ndodhin edhe gjatë kohës së sundimit bullgar (893-971) në këto treva, kur Ipeshkvia e Prizrenit do të gjendet nën përbërjen e kishës bullgare. Pas vitit 971, territori i Ipeshkvisë së Prizrenit do t”i takonte Arkipeshkvisë së Bizantit deri në vitin 976. Me formimin e Perandorisë bullgare të Samuilit, territori në fjalë, prapë do të gjendet nën juridiksion e Mitropolisë së Ohrit, që aso kohe, ishte shpallur kishë e pavarur mitropolite në rangun e Patrikanës. Pas rënies së Perandorisë së Samuilit më 1018, perandori bizantin Vasili II’të, Patrikanën e Ohrit e uli në rangun e Mitropolisit, por ia la pavarësinë mbi 31 dioqeza.

Kështu, në bulën e Vasilit të II’të (1020) përmendet edhe Ipeshkvia e Prizrenit, që tregon se, asokohe ipeshkvia gjendet nën juridiksionin e Arkipeshkvisë së Ohrit. Ipeshkvia e Prizrenit aso kohe, ishte e rangut të tretë dhe përfshinte territore: Hvosnen, Leskovcin, Deçanin, Pejën. Selia e Peshkopatës së Prizrenit ishte kisha e Shën Prenës. Në Kartën e Stefan Deçanit (burimi shek. XIV, E.R) thuhet se, kisha e Shën Prenës (në Prizren) ka ekzistuar që nga kohërat e “mbretërve të stërlashtë”. Dëshmia e dytë e shkruar e vitit 1204 është ajo e cila tregon se, që nga koha kur perandori bullgar Kalojani (1197-1207), ripushtoi shumë territore nga sundimi bizantin, kuptohet edhe territore të Kosovës, ekzistonin ipeshkvitë e Shkupit dhe të Prizrenit.

Më pas, gjatë zgjerimit të shtetit nemanjidë të Rashkës (Sipas historiografisë serbe, Rashka është bërthama e shtetit mesjetar serb) në drejtim kah jugu prej fillimit të shekullit XIII-XIV, do të okupohen dhe territoret e sotme të Kosovës që dihet se do gjinden nën sundimin e tyre për një kohë. Në këtë drejtim, nemanjidët do të formojnë kishën ortodokse të tyre, e cila siç do të shohim do të pavarësohet në vitin 1219 prej kryepeshkopatës autoqefale të Ohrit. Duke u shpallur e pavarur ajo do të vendoset me seli në Zhiçë të Rashkës. Okupimi i trojeve të sotme të Kosovës asokohe nga nemanjidët, që pason gjatë disa decenieve në shek.e XIII’të, solli padyshim një keqësim të ndjeshëm, jo vetëm fizik, politik e ekonomik, por edhe në shkatërrimin kulturor e fetar.

Këtij përkeqësimi i kontribuoi edhe më tepër transferimi i selisë autoqefale kishtare të Rashkës nga Zhiça në Pejë, pra në trevat e Kosovës. Kjo ndodhi në fund të shekullit të XIII’të, ku pas një sulmi të vitit 1290 nga tributë tatarë dhe kumanë digjet Manastiri i Zhiçës. Kuptohet se, Peja nuk ka qenë seli e vetme ose e përhershme e Patrikanës së Rashkës qysh pretendohet.
Manastiri i Zhiçës ishte rindërtuar e dihet se patriku Spiridon dhe trashëgimtari Danillo e kanë pasur selinë atje. Aso kohe, gjithashtu kuptohet se, kishat më të hershme “serbe” ishin ndërtuar në territorin e ngushtë të Rashkës: Studenica (afër Novi Pazarit), Malisheva (afër kufirit të Bosnjës), Sopoçani (Novi Pazar) etj. Kjo shtrirje e kishave përkon me territorin e shtetit mesjetar të Rashkës, që përshkruhet nga autori bizantin i shekullit të X’të [K. Porfyrogjeneti si dhe burime të tjera].

Duke pasur parasysh pushtimin e territoreve shqiptare, gjatë dy-tre brezave të sundimit të nemanjidëve, që arrijnë të shtrihen në territorin e sotëm të Kosovës, do të kuptohet se, qendra kishtare e tyre ishte ende jashtë Kosovës. Vetëm gjatë shekullit të XIV’të, të dhënat tregojnë se, me rastin e ndërtimit të Manastirit të Graçanicës, të Deçanit dhe të Kryeengjujve (Arkangjelit) në Prizren, treva e sotme e Kosovës mund të thuhet se kishte njëfarë rëndësie si qendër e Peshkopisë së Rashkës.

Si pasojë, me forcimin e më tejmë të pushtetit Nemanjid në këtë territor, pra duke filluar nga shekulli i XIV’të, atëbotë zgjerohet edhe kisha ortodokse e Rashkës në këtë trevë, me të gjitha tiparet që i zotëronte kisha ortodokse bizantine: ligjet bizantine, veprat teologjike, literatura didaktike, artet, zejet, me të cilat jeta kishtare pasurohej me objekte të domosdoshme nga arkitektura, piktura kishtare e deri tek veshjet e etërve.
Pushteti Nemanjid në territoret e sotme të Kosovës, në veçanti gjatë shekullit të XIV’të, do të zbatojë një politikë që synonte asimilimin e popullsive vendëse të trevave të pushtuara. Si më të efektshëm në këtë drejtim zgjodhën represionin dhe persekutimet në lëmin fetar. Prandaj, edhe sundimtarët nga Dinastia e nemanjidëve mbanin lidhje të ngushtë me kishën ortodokse, për të cilën ndërtuan (rindërtuan) shumë kisha e manastire, jo vetëm në territorin e Rashkës, por edhe në ato ku shtrihej pushteti i tyre. Kuptohet se fshatrat asokohe përfshihen në prona kishtare e që pjesa më e madhe e popullsisë fshatare të Kosovës gjatë shekullit të XIV’të, ishte e detyruar ta lidhte fatin me kishën ortodokse.

Përqafimi i ortodoksisë nga vendësit-arbërit (shqiptarët), dëshmohet nga listat e banorëve, ku krahas klerit katolik të cilësuar me apelativ që përdoret edhe sot në gjuhën shqipe: prift, dom, abat, përmenden edhe klerikët ortodoks të cilësuar si: pop, pope, papas dhe kalluxher. Ndërkaq, pjesa e popullatës së qyteteve, pra jashtë pronave kishtare përmes kolonistëve raguzanë, gjermanë e italianë qe e influencuar dhe e lidhur me kishën romake.
Në dokumentin e papës Benedikti i XI’të të vitit 1303 ndër pesë famulli katolike në trojet e nemanjidëve përmenden edhe famullia e Trepçës (de Trepezo) dhe e Graçanicës (de Grazaniza). Në një dokument që pason nga Papa Kelmenti i VIII-të i vitit 1346 kuptojmë se ipeshkvi i Kotorrit ka pasur të drejtë kujdesi mbi famullinë e Prizrenit, Novobërdës, Janjevës dhe Trepçës. Po ashtu në vitin 1346 për Prizrenin përmenden se kishte dy kisha katolike “S. Marije de Prisren et S. Petri supra Prisren”. Po në këtë dokument kuptojmë se kryepeshkopi i Tivarit kishte kujdesin mbi këto.

Kështu, Prizreni si qendër e ipeshkvisë katolike sipas dokumenteve, mund të ndiqte jetën kishtare. Këtu përmenden kishat e të krishtera katolike si kisha e Shën Pjetrit, kisha e Zojës Mari dhe kisha e Shën Kollit. Duhet theksuar se, të dhënat po ashtu dëshmojnë që, pushtimi Nemanjid i territoreve, e gjeti pjesërisht popullsinë arbërore të viseve veriore e verilindore të lidhura kishtarisht me ortodoksinë bizantine (Kosovë e Maqedoni) e me katolicizmin roman (Diokle – Zetë).

Asokohe shumë kisha vendëse u uzurpuan ose mbi to u rindërtuan manastire ortodokse të Rashkës, siç janë të njohura faktet për kishën e krye’engjëjve Mihail e Gabriel si dhe kisha e Shën Prenës në Prizren. Këto fakte i paraqet letra e Papa Klementit të V’të, i cili i drejtohet Millutinit (Mbretit të Rashkës, E.R.) duke kërkuar që t’i lirojë kishat latine, të cilat i kishte okupuar ai ose të tjerët. Në kohën e sundimit të Uroshit të II’të – Millutinit (1282-1321), gjendja e katolikëve në Kosovë u keqësua shumë.

Ai i ndiqte katolikët dhe e kishte ndaluar ritin e tyre. Këtë keqësim të gjendjes së të krishterëve katolikë e vërteton shkrimtari anonim, përndryshe i njoftuar mirë me kushtet dhe vendin që për Stefan Uroshin e II’të, thotë: “Po i ndjek shumë katolikët dhe i urren”. Po ashtu ai njofton se: “Po rrënon kishat dhe sulmon prelatët”, ndërsa katolikët në këtë vend “i dogji deri në thua” (Gasper Gjini). Për keqtrajtimin e popullatës katolike në vitin 1319, krerët arbërorë i dërguan përfaqësuesit e vet me letra përcjellëse te Papa Gjoni i XXII-të në Avinjon, me ç’rast e njoftojnë atë me ndjekjet e ashpra në vendin e tyre që bëhen nga Uroshi i II’të Millutini.

Letrën e kishin nënshkruar shumë zotërinj arbërorë. Në mesin e këtyre zotërinjve arbërorë si kryengritës është i shënuar edhe një nga Prizreni. Ndjekjet dhe persekutimet e popullatës katolike do të vazhdojnë më fuqishëm gjatë periudhës së Stefan Dushanit (1331-1355). Për të, thuhet se, ka qenë “mjaft jo tolerant ndaj katolikëve” sepse “katolicizmin në popull dhe në masë nuk e duronte”. Masat e ashpra të tij pasqyrohen edhe nga arkipeshkvi i Tivarit G. Adami, në një relacion të drejtuar Dukës së Burgonjës, Filipit të VII’të Valua më 1332.

Ai thekson se, po shkruan atë “që vetë e ka parë dhe përjetuar”. Duke përshkruar gjendjen thekson se: “në pjesën bregdetare edhe latinët dhe arbërit gjenden në pozitë jashtëzakonisht të vështirë sepse populli është nën pranga, priftërinj të thyer, të shkelur dhe të poshtëruar, ipeshkvitë dhe abatët shpeshherë burgosen… kishat, si ato katedrale po ashtu edhe të tjerat, rrënohen dhe u merren të gjitha të drejtat, zhduken dhe shkatërrohen kuvendet”.
Dokumentet e kohës dëshmojnë se Stefan Dushani, përdori tërë aparatin e forcës për zbrazjen e trojeve shqiptare me pretekstin se, po i ndiqte katolikët e padëgjueshëm arbërorë. Edhe pse në kushte të tilla, arbërit, i bën qëndresë të vendosur pushtimit dhe shtypjes së Nemanjidëve. Ajo shprehet sidomos me kryengritjen e madhe të vitit 1332 që përfshiu trevat e lumit Buna (Barbana).

Kryengritjes do t’i bashkëngjitet edhe bujari Dhimitër Suma, e në vazhdim në vitin 1334 shohim kryengritjen edhe në rrethin e Prizrenit. Presioni dhe dhuna e egër që ushtrohej në trevat arbërore do të merret vesh edhe në zyrën e Papatit. Këtej, Papa Klementi i VI-të në vitin 1346, i shkruante Stefan Dushanit se: “disa mbretër të Rashkës, paraardhës të juaj, kuvendet dhe kishat… i përvetësuan në kohën e vet e që edhe tani ju i mbani të pushtuara”.
Prandaj, Papa kërkonte nga Dushani, që t’i lejojë ipeshkvit të Kotorrit për t’i mbledhur kontributet e caktuara kishtare në … famulli (krishtere). Politika diskriminuese e pushtetit të Rashkës e sidomos e periudhës së Dushanit ndaj popullsisë arbërore dhe të tjerëve të konfesionit katolik mori përmasa të gjera, dhe u institucionalizua e u sanksionua edhe me ligj. Konkretisht, një politikë e tillë u fiksua në të drejtën mesjetare, në Kodin e Stefan Dushanit, të vitit 1349.

Mjafton të shikohen dispozitat e neneve 6, 7, 8 dhe 9, dhe të konstatohet diskriminimi drejtuar kundër popullatave jo’rashkase. Katolicizmi sipas Kodit në fjalë, është “herezi latine”. Më tej mund të lexohet: “… në qoftë se ndokush nuk dëgjon të konvertohet e të kthehet në besimin e vërtetë (siç e quanin ata ortodoksinë) ai do të dënohet me vdekje”.

“Klerikët heretikë (të konfesionit katolik) të një komuniteti të huaj që përpiqen të bëjnë predikimin do të kapen, do të dërgohen në miniera ose do të dëbohen”. “Kishat heretike (katolike) … do t’u besohen klerikëve të besimit të vërtetë…”. “Në rast se gjendet një klerik latin që përpiqet ta konvertojë një të krishterë (ortodoks) në besimin latin, ai do të dënohet me vdekje…”.

“Në rast se gjendet një besimtar latin që është martuar fshehurazi me një grua ortodokse, ai duhet të pagëzohet sipas mënyrës ortodokse, e në rast se nuk dëgjon të pagëzohet, atij do t’i merret gruaja, fëmijët e shtëpia, do të katandiset në mjerim e do të detyrohet të emigrojë…” (M.Purkoviq). Të ashtuquajturit “nene antiheretike” të këtij Kodi, sanksionojnë që të gjithë shtetasit e mbretërisë rashkase, anëtarët e komunitetit të huaj duhej të ripagëzoheshin në kishën e tyre.

Veprimtarinë e tillë antikatolike të Dushanit e përshkruan edhe G. de Boulogne, legat i Papës në Padovë, në letrën e dërguar mbretit të Hungarisë dhe të Venedikut, ku shkruan: “Stefan Dushani me dhunë i kthen në fenë e vet besimtarët e tij katolikë, se i pagëzon me kundërshtim dhe jashtë ç’do dispozite dhe ligji të kishës” (Gasper Gjini).

Por siç theksuam dhe më lart, edhe përkundër të gjitha masave ndëshkuese dhe ndjekjeve të shumëllojta e keqpërdorimeve që ushtrohen ndaj popullatës dhe kishës katolike sidomos gjatë shek. të XIV-të, ajo do të rezistojë dhe qëndrojë. Autorët serbë M. Joviq, V. Koraq dhe të tjerë na tregojnë se gjatë shek. të XIV-të, në territorin e sotëm të Kosovës gjinden ose ekzistojnë komunat katolike dhe qytetet me kishat e tyre.
Komuna katolike numërohen: Prizreni (tri kisha katolike), Trepça (dy kisha katolike), Novobërda (dy kisha katolike), Janjeva (një kishë katolike). Ndërsa vendet që kishin kishë katolike ishin: Graçanica, Belasica (Vrh Lab – sot vendburimi i lumit Llap në veri të Podjevës) dhe Prishtina.

Në këtë drejtim edhe pas vdekjes së Dushanit, ngjarjet nuk rridhnin aspak në të mirë për banorët e atëhershëm të Kosovës.
Në skenën politike në territoret e Kosovës do të mbizotërojë për të mirë situata për arbërit – shqiptarët, tek kur këta do të përfshihen në shtetin mesjetar arbëror të Balshajve. Është fakt i njohur në literaturën historiografike, që territori i sotëm i Kosovës njohu sundimin e Balshajve nga viti 1372-1385. Pasi që e forcuan pushtetin e tyre, Balshajt në vitin 1369 nëpërmjet peshkopit të Shasit i kërkuan Papa Urbanit të V-të miratimin për konvertimin e tyre nga feja ortodokse në atë katolike.

Pjesa dërmuese e popullsisë së zotërimeve të tyre që shtriheshin në trevat e Shqipërisë (L. Maltezi) ishte katolike. Me këtë hap, Balshajt, synonin t’i përshtateshin edhe në pikëpamje fetare mjedisit shoqëror të arbërve, duke hedhur tej çdo mbeturinë të sundimit të nemanjidëve që i largonte nga popullsia vendëse arbërore.

Arsyet e tilla, na bëjnë të mund të konstatohet se, për Balshajt, ortodoksia kishte qenë një fe e imponuar në kushtet kur kanë qenë nën presionin dhe okupimin sllav. Ata vepruan nën maskën e saj derisa arritën kulmin e fuqisë së tyre politike për të shmangur çdo goditje të mundshme nga ata dhe kisha e tyre (P. Bogdani). Sundimi i Balshajve në Kosovë pati pasoja të drejtpërdrejta edhe në drejtim të kishës së Rashkës.

Të dhënat tregojnë gjendjen e rëndë të kishës së Rashkës, institucion ky ideologjik dhe politik i shtetit në fjalë. Klerikët rashkas këtë periudhë e cilësuan si një “furtunë” të vërtetë, sepse në mënyrën “banditeske dhe me sulme” u rrëmbyen pasuritë e saj deri tek froni i shenjtë “i patrikut dhe ofiqet apostolike”. Kisha e Rashkës gjatë kësaj periudhe ishte e anatemuar (për shkak të shpalljes së Patrikut të Rashkës në vitin 1346 nga Stefan Dushani në mënyrë të pa ligjshme, pra pa lejen e Patrikanës së Bizantit në Kostantinopojë, E.R.).

Për të penguar asgjësimin që i kanosej, kisha e Rashkës, u orvat të pajtohet me Patrikanën Bizantine. Edhe pse si duket u njoh si kishë e pavarur nga Patrikana Bizantine, çështje diskutabile për të cilën flitet se a ishte krejt e pa varur ose jo, pozita e saj në trevën e Kosovës aso kohe ishte e dobësuar shumë. Për shumë arsye Balshajt nuk lejuan që qendra e saj të mbetet si më parë në Pejë dhe as nuk pranuan që kuvendi i kishës së Rashkës të mblidhej aty (1375).

Prizreni u konsiderua si qyteti nga ku mund të kontrollohej më mirë veprimtaria e saj, ndaj edhe këtu u caktua qendra e re. Madje, për herë të parë në historinë e kishës së Rashkës u vë në postin e udhëheqësit kishtar jo një klerik i tyre pra rashkas, por një klerik bullgar, Jefreni. Masat e tjera radikale që lidhen gjatë sundimit të Balshajve në pjesë të territorit të Kosovës bën që kisha rashkase e dobësuar të ketë bërë zhvendosjen e qendrës së “Patrikanës” nga Prizreni në Zhiçë të Rashkës. Kjo ka ndodhur sigurisht para Betejës së Kosovës të vitit 1389.

Po ashtu dihet se nga fundi i shek. të XIV-të dhe fillimi i atij të XV-të, përveç familjes Balshaj që zotëronte toka arbërore, krahas tyre do fuqizohen dhe familjet arbërore të Kastriotëve dhe Dukagjinëve, të cilat do shohim se do zotëronin territore të tyre. Këto dy familje do shihet që do të veprojnë dhe sundojnë edhe treva arbërore të territorit të sotëm të Kosovës (sidomos Rrafshin e Dukagjinit dhe Prizrenin) gjithnjë deri nën rënien e gjithë vendit nën Perandorinë Osmane (1455-1461).

Në këtë drejtim aspiratat e historiografisë, Akademisë së Shkencave, Kishës Ortodokse dhe Qeverisë Serbe, edhe në ditët e sotme, pretendojnë për përvetësimin e monumenteve arkitektonike të trashëgimisë kulturore të Kosovës – objekteve të kultit të krishterë kishave dhe manastireve. Këto objekte i quajnë të tyre, me pretekst se, kinse ato janë ndërtuar nga mbretërit e tyre gjatë mesjetës, kur ata paskan sunduar territoret e sotme të Kosovës.
Dihet dhe nuk është çështje kontestuese se, që nga sundimi nemanjidas, sidomos nga koha mbretërve: Millutinit (1282-1321), Stefan Deçanit (1321-1331), Stefan Dushanit (1331-1355), dhe në kohën e sundimtarit të fundit të kësaj Dinastie Uroshit të V’të (1355-1371), territori i sotëm i Kosovës do të gjendet nën pushtimin nemanjid të shtetit të Rashkë, pra nën pushtetin politik e fetar të tyre.

Sundimtarët në fjalë duke forcuar pushtetin politik të tyre, njëkohësisht forcuan edhe atë kishtar, bënë që edhe disa qytete mesjetare të Kosovës t’i përdorin si seli të përhershme të tyre. Në këtë drejtim edhe objektet e kultit, siç do të shohim, në masë të madhe do t’i adaptojnë për vete. Në anën tjetër, duke punuar në këtë drejtim, sidomos duke iu referuar burimeve historike dhe studimeve serioze që kanë të bëjnë me këtë çështje, del dhe është mirë e qartë se, këtu kemi të bëjmë me përvetësimin nemanjidas të monumenteve të kultit të krishterë iliro-arbëror si dhe ato romake e bizantine.

Monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha ose manastire ortodokse nemanjidase “serbe”, siç pretendohet pothuajse në të gjitha shkrimet e historiografisë serbe, siç është: Manastiri i Deçanit, Graçanicës, Kisha e Shenjtorëve Mihail e Gabriel dhe kisha e Zojës Prene në Prizren, Patrikana e Pejës, Kisha e Shtjefnit në Banjë të Mitrovicës, del të jenë monumente të moçme iliro-arbërore. Duke pasur parasysh këtë që u tha, nga studiues seriozë, askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret në fjalë janë ndërtuar, rindërtuar ose meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine.

Nga e gjithë kjo që u tha, dhe për më tepër duhet të dihet edhe se, monumenti i parë kishtarë i rindërtuar nga nemanjët e Rashkës në territoret e sotme të Kosovës është kisha e Pejës. Në gjysmën e shekullit të XIII’të, thuhet se, u ndërtua kisha e apostujve në Pejë.
Kjo kishë sot gjendet në kuadër të kompleksit të Patrikanës së Pejës. Edhe kjo kishë siç do shohim më poshtë, del të jetë rikonstruktuar në ndërtim të vjetër, së cilës iu dha forma e ndonjë kishe të kohës. Në fasadat e kësaj kishe shihet mënyra romanike e punimit, me gurë të imtë e të gdhendur, elemente këto të stilit perëndimor romanik, stili romaniko-gotik, që mund të themi se stili në fjalë do të paraqitet edhe tek të gjitha objektet e karakterit sakral të ndërtuara në Kosovë gjatë mesjetës së zhvilluar.

Për ndërtimin e kishës së Shenjtorëve të Apostolit në Pejë, e cila ndërtohet diku në gjysmën e shekullit të XIII’të, të dhënat tregojnë se me të ndërtuar, në të vërtetë, vazhdohet një kishë e vjetër dhe e ruajtur mirë e tipit të ashtuquajtur bazilikë trekishtare, që koha e ekzistimit të saj nuk dihet. Ndërtuesit e punojnë atë sipas programit të kishave të Rashkës. Që kisha në fjalë u rindërtua njoftojnë këta autorë: Gj. Boshkoviq, M. Qanak’Mediq, B. J. Gjuriq, S. Qirkoviq, V. Koraq dhe Gj. Jankoviq.

Të dhënat tregojnë edhe se, Manastiri i Graçanicës, sipas njoftimeve burimore historike dhe gjetjeve arkeologjike gjatë viteve 1957, 1963 dhe 1964 të zhvilluara nga ekspertë serbë, është një bazilikë e ndërtuar midis shekullit të VI-të dhe XI-të. Kjo bazilikë ishte qendër e ipeshkvisë së Ulpianës Dardane. Pas rrënimit të saj, mbi themelet e Anijatës së Mesme u rindërtua një kishë kushtuar zojës së bekuar të Graçanicës.

Ka të ngjarë se po kjo kishë të përmendet në letrën e Papa Benediktit të XI’të, të vitit 1303, si kishë famullitare katolike. Mbi këtë kishë, kuptohet se mbreti nemanjid Millutini, rindërtoi Manastirin e Graçanicës rreth vitit 1316. Se kjo kishë u ndërtua në themelet e vjetra të një bazilike bizantine, që themelet e saja nuk janë shfrytëzuar tërësisht, na njofton studiuesi serbë V. Koraç. Njoftime se kjo kishë ishte rindërtuar gjejmë edhe tek punime të autorëve të tjerë si: V. Vuliq, P. Mijoviq, D. Bogdanoviq, V. Markoviq, M. Kashanin dhe Gj. Jankoviq.
Gjithashtu edhe për Manastirin e shenjtorëve Mihail dhe Gabriel të Prizrenit, gjejmë dëshmi nga autori S. Nenadoviq dhe nga libri i botuar prej grup autorësh “Kosovo nekad i danas”, se ai është ndërtuar mbi një kishë të moçme Dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348-1352.

Në kompleksin e Manastirit gjendet Kështjella e Epërme, Kisha e Shën Kollit dhe Kisha e Shenjtorëve. S’do mend se këtë kompleks të kultit e shfrytëzuan banorët e ritit ortodoks, si arbërit ashtu edhe “serbët”. Arkeologët në rrënojat e këtij Manastiri kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romakë dhe gotikë (F. Drançolli). Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është mozaiku, që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e Katedrales Santa Maria të Firencës (J. Drançolli).
Në kishën e këtij Manastiri dihet se ruhet edhe varri i kryezotëriut arbëror, Strazimir Balsha nga viti 1372 (G. Tomoviq dhe R. Grujiq). Edhe me ndërtimin e manastirit të Kryeengjujve (Arkangjelit) afër Prizrenit, që do të ngrihet nga mbreti Stefan Dushani (1331-1355), të dhënat tregojnë se, aty ekzistonte një objekt fetar i vjetër dhe se në rrënojat e tij u ngrit manastiri i ri. Pra, manastiri ekzistonte edhe para se Dushani ta rindërtonte. Mbështetje për këtë dhanë: revista e sipër theksuar “Pravoslavlje”, S. Novakoviq dhe Vl. Çoroviq.

Në këtë drejtim, është e njohur se mbreti Millutin në vitin 1307 përvetësoi edhe kishën katedrale Zoja Prene në Prizren. Sipas hulumtimeve arkeologjike e historike të materialit relevant, supozohet se kisha e Shën Prenës në Prizren kishte katër faza të zhvillimit. Hulumtimet e para u bënë nga S. Nenadoviq, i cili konstaton ripërtëritjen e bazilikës së vjetër e cila ngrihet në themelet e një kishe bizantine të shekullit të IX’të ose X-të.
Ai ka konstatuar dy faza të ndërtimeve para kohës së rindërtimit të shekullit të XIV’të dhe fazën e rindërtimit të vitit 1306-1307. Se kjo, ishte ndërtuar mbi themelet e objektit të vjetër njofton edhe autori Gj. Jankoviq. Edhe në Kartën e Stefan Deçanit (burim mesjetar serb i shek. të XIV-të) thuhet se: “Kisha e Shën Prenës ka ekzistuar që nga kohërat e mbretërve të stërlashtë”.

Hulumtuesi S. Nenadoviq që udhëhoqi punët rreth restaurimit dhe konservimit të saj (1950-1952) thekson prezencën e fragmenteve më të vjetra dhe të monumenteve të krishterimit të hershëm: “… duhet të parashohim se kjo kishë ndoshta është ndërtuar mbi një tempull edhe më të vjetër, sepse nuk janë zhvilluar hulumtimet në atë masë që të jemi të sigurt se nën këtë kishë të vjetër nuk ekzistojnë themele edhe më të vjetra”.
Po ashtu edhe J. Jastrebov, konfirmon faktin se, ky manastir është i kohës para “serbe”. Për rindërtimin e kishës së Prenës mbi themelet e një tempulli pagan duhet cekur se, kryepeshkopi Danillo (jetoi në shek. e XIV’të) e quan mbretin Millutin “ndërtimtar dhe ripërtërirës të tempujve të rrëzuar dhe të rrënuar”. Fakti mbi ekzistimin e kishës së mëhershme, tregohet nga mbishkrimi i vendosur aty “…e ripërtëriu që nga themelet mbreti Stefan Uroshi…” (S. Nenadoviq).

Ndikimet e stilit të ndërtimit perëndimor do të shihen më së miri edhe në Kishën e Manastirit të Deçanit ose siç edhe quhet Pandakratori, e rindërtuar ose ndërtuar gjatë sundimit të Stefan Deçanit dhe Dushanit (1327-1335). Karakteristika kryesore e këtij objekti është stili romanik i ndërtimit që tregon A. Stefanoviq. Sipas të dhënave, Manastirin e Deçanit e ndërtoi arkitekti shqiptar At Vita Kuçi – Cuci me 18 skulptorë e gurskalitës. Manastiri i Shën Stefanit ose Bajska që gjendet në Banjë të Mitrovicës, u rindërtua nga mbreti Millutin. Murimi i tij u realizua gjatë viteve 1312-1317.

Sipas autorit D. Bogdanoviq, është e mundur që këtu edhe më herët të kishte ekzistuar një manastir. Se ky objekt ishte rindërtuar mbi themelet e një tempulli të vjetër mbështetet dhe nga autorët V. Markoviq, A. Stefanoviq e po ashtu dhe nga revista e Patrikanës Serbe “Pravoslavlje” që botohet në Beograd. Po ashtu, kemi të dhënat që tregojnë edhe për një numër mjeshtërish – skulptorësh të shquar shqiptarë të ndërtimit të kishave që veçoheshin asaj kohe, siç janë: Miho (Mikel) Tivarasi i shekullit të XIV’të, Gjin Aleksi dhe Mark Nikollë Gega etj.

Mbështetje për qëndrimet tona që paraqiten gjatë gjithë këtij punimi, se kishat dhe manastiret ortodokse u rindërtuan ose më mirë të themi, u adaptuan me ndërhyrje gjatë ri-ndërtimeve për t’u transformuar nga stili katolik në at ortodoks, siç kuptohet nga shumica e rasteve të sipërtheksuara, do të gjejmë edhe tek disa studiues serbë që shquhen me punimet e tyre për këto çështje. Gj. Sljepçeviq, tregon se: nemanjidët, sundimtar të Rashkës nuk patën dije për ndërtime as të kishave e as të manastireve, ata vetëm i shfrytëzuan objektet dhe kulturën bizantine duke qenë një herët kopjues dhe imitues të tyre.

Kjo, sipas autorit, tregohet edhe me selit (rezidencat) e përkohshme të mbretërve të tyre që do të lëvizin gjatë gjithë periudhës së sundimit. Ata, nuk kishin një vend (qendër, qytet apo pallat) të përhershëm. Shefi i katedrës për arkeologji mesjetare në Beograd, Dr. Gj.Jankoviq, thekson se, sa është e ditur Kosova, Mali i Zi dhe Hercegovina janë territoret që më së shumti kanë kisha që shërbenin në vazhdimësi që prej njëmijë (1000) vjetësh.

Nga këto, kemi objekte të ndërtuara qysh gjatë shek. të VI’të dhe të VII’të ose ato të shek. të IX’të dhe të XI’të, siç janë edhe kisha në Lipjan, Graçanicë dhe Zonja Prene (Ljevishka) në Prizren. Akademiku, D.Bogdanoviq, tregon se, dy qytete bizantine që i okupoi Stefan Nemanja, Prizreni dhe Lipjani, që aso kohe ishin qendra fetare. Kur arkimandriti Sava e organizoi kishën autoqefale “rashkase”, at e ndan në dhjetë (10) ipeshkvi, e nga ato tri(3) gjendeshin në territoret e sotme të Kosovës. Zhvillimi i territorit të sotëm të Kosovës, sipas autorit, si “qendër shpirtërore” e popullit “serb” gjatë mesjetës mbështetet me përqendrimin e madh të kishave dhe manastireve.

Ai vazhdon, deri sot nuk mund të dihet se sa kisha kanë qenë ose janë ruajtur nga epoka para-nemanjide, sepse kërkime, hulumtime sistematike si dhe arkeologjike nuk janë kryer, duke shtuar, numër bukur i madh i kishave nemanjide (rashkase) sigurt se janë ngritur në themelet e vjetër të tempujve bizantinë. Njohësi i mirë i këtyre çështjeve, V. Markoviq, na tregon se, historia e kishave dhe manastireve ortodokse siç shkruhet dhe përshkruhet nga tradita dhe historiografia serbe, nuk lënë tjetër, veç të kuptohet se, veprat-ndërtimet e fundit, ato nemanjide, të janë ngritur mbi llogarinë e të parave.

Kështu, nemanjidëve i përshkruhen shumë manastire, të cilat janë shumë ma të vjetra se koha e tyre. V. Markoviq, tregon edhe se, mbreti Millutini (1282-1321) nuk ndërtoi asnjë manastir të ri, ai vetëm i rindërtoi manastiret e vjetra e të lëna. Për këtë, historiografia jonë e vjetër dhe e re e paraqesin Millutinin si themelues-ndërtues i shumë manastireve. Karakteristikë e kohës së tij është se, Millutini rindërtoi shumë manastire në territoret që okupoi nga Bizanti, më shumë se sa në territoret e vjetra “serbe”.

Historiani, St. Stanojeviq, thekson që edhe para Stefan Nemanjës, në kufijtë me Rashkën kishte bukur shumë manastire dhe udhëheqës fetarë dhe nuk fillon krejt me Nemanjën, siç donë ta paraqesin historiografët tanë… Autori, V. Petkoviq, vjen në përfundime se, fiset “serbe” (sllave, E. R.) që nga ardhja dhe vendosja e tyre në këto territore (ballkanike) e deri në shek. e XVIII’të, shënuan lëvizje të mëdha. U ndërtuan dhe rindërtuan kisha e manastire e për çka “ nuk mundemi të pohojmë e vërtetojmë se këto vepra janë ekskluzive serbe”.
Në këtë drejtim, siç potencuam edhe më sipër, kemi të bëjmë me propagandën pseudoshkencore serbe e cila tenton që territorin e Kosovës ta paraqet si

“qendër shpirtërore të popullit serb” gjatë mesjetës, që sipas tyre, mbahet me numrin e madh të konceptuar të kishave serbe dhe manastireve në këtë territor. Duhet theksuar edhe tendencat e një pjese të madhe të autorëve të historiografisë serbe, që tentojnë me të dhëna të argumentojnë se, selia e kishës ortodokse e Rashkës do të bartet në Pejë gjatë gjysmës së shekullit të XIII’të, më konkretisht kinse që në vitin 1253, nga Zhiça, selia e arkipeshkvisë kalon në Pejë. Mirëpo, në këtë drejtim duke iu referuar po të dhënave të autorëve serbë, theksohet që Peja tek në decenien e fundit të shekullit të XIII’të bëhet qendër ose seli e arkipeshkvisë së Rashkës.
Sipas tyre, selia e arkipeshkopatës pas sulmeve mongole dhe djegies së Zhiçës më 1284 bartet në Pejë. Sipas të tjerëve, selia e kishës kalon nga Zhiça në Pejë tek në decenien e fundit të shekullit të XIII’të kur sulmohet nga tatarët dhe kumanët që e plaçkitin dhe e djegin, të cilët i hakmerren Rashkës për një sulm që udhëhoqi ndaj tyre mbreti Millutin (V. Jankoviq). Po ashtu, edhe autorë të tjerë mbështesin faktin se tek në fund të shekullit të XIII’të, pas pësimit të Zhiçës, Peja bëhet seli e re e arkipeshkopatës rashkase (V. Boshkoviq, S. Qirkoviq).

Në këtë drejtim tendencat janë që pjesët e territorit të Kosovës së sotme, konkretisht treva e Drenicës paraqitet si “Drenica mali i dytë i shenjtë serb”. Lidhur me këtë është interesant të përmendim se, autori thekson që në shekullin e XIV’të në trevën e Drenicës gjendeshin 13 manastire dhe 5 kisha (T.Vukanoviq). Po ky autor më pas, duke theksuar se kinse me rezultatet e tija hulumtuese të vendbanimeve, të cilat “bazohen në të vërtetën shkencore” nxjerr përfundime se: në trevën e Drenicës së sotme kanë ekzistuar gjithsej 9 manastire dhe 42 kisha, d.m.th. bie në konfuzion në librin e njëjtë.

Po ashtu, vlen të theksojmë propagandën nacionaliste të kishës ortodokse serbe që gjithherë ishte veçuar dhe veçohet për kah falsifikimi dhe spekulimet lidhur me çështjen në fjalë. Sipas hartuesve të librit “Memorandumi për Kosovë e Metohi” i botuar nga kisha ortodokse serbe, theksohet se: “Kosova e Metohija”, “Tokë e shenjtë” e “popullit serb”, për ne paraqet atë, që për popullin “hebre paraqet Jerusalemi”. Për këtë, më së miri dhe më së forti dëshmojnë më se 1300 kisha dhe manastire që gjenden atje.

Po kështu edhe autorë të tjerë mbështesin këto qëndrime duke theksuar se: “Hapësira e krahinës jugore të Serbisë mbulohet me 1300 kisha dhe manastire me emrin zyrtar “Kosovo” (me Metohinë e cila që nga viti 1968, me dëshirën e shqiptarëve kosovarë hiqet nga zyrtariteti, dhe më pastaj nga komunikimi politik ditor), që në gjuhën serbe është simbolike, fjala më me rëndësi e cila pas emrit të Zotit, emrit të Shën Savës (themeluesit të kishës ortodokse serbe në shekullin e XIII’të), shënon njëkohësisht edhe identitetin kulturor e nacional të të gjithë popullit serb” (D. Bogdanoviq).

Propaganda në këtë drejtim vazhdohet: “… në territorin e Kosovë e Metohisë…, populli ortodoks serbë dhe kisha e saj kanë 1300 kisha e manastire nga shekulli i XII-të deri në atë të XX’të, të punuara gjatë tetë shekujve…” (Novosti, Beograd, 2004). Po ashtu theksohet se sipas evidencave në trevën e Kosovës duhet të ketë aty afër 200 objekte të ruajtura ose të shkatërruara, por në të vërtetë ka më shumë sikur të numëroheshin dhe hulumtoheshin lokalitetet arkeologjike të paidentifikuara (gërmadhat e kishave).

Sipas A. Urosheviq, gjendja e të pamurit të kësaj treve (është fjala për Kosovën) në mesjetë flet për një numër të madh gërmadhash të kishave, mbetje të kishave të vjetra dhe sipas tij, shenja të tilla kishte pothuajse në të gjitha fshatrat, edhe serbe e shqiptare, ndërsa në disa fshatra janë edhe nga dy e më shumë gërmadha të kishave (A.Urosheviq). Edhe D.Bogdanoviq, shprehet se, sipas hulumtimeve arkeologjike vërtetohet se në territorin e Kosovës ishin 1300 kisha e manastire e monumente tjera serbe.

Të dhënat e tilla si më lart, të ndërtuara dhe të udhëhequra nga historiografia e edhe nga politika ditore e qeverisë serbe, pra, mundohen të mbështesin konceptin mbi monumentet e kultit të krishterë që ekzistojnë në Kosovë duke rritur numrin impozant që shihet, për çka dhe Kosova sipas tyre paraqet vlera të “jashtëzakonshme”. Për të sqaruar më mirë çështjen lidhur me ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve fetare në territorin e Kosovës në periudhën nemanjide, ofrojmë dhe të dhënat që tregojnë se, mbreti Millutin (1282-1321) rindërtoi afër 30 manastire, në mes të cilave në territorin e Koso

vës vetëm tri, në Prizren, Bajskë dhe Graçanicë.
Mbreti Stefan Deçani (1321-1332) ndërtoi vetëm Deçanin. Gjatë periudhës së Dushanit u ndërtua Manastiri i Shën Arkangjelit (M. Kashanin, revista “Pravoslavlje”). Gjatë periudhës Osmane, burimeve që dalin aso kohe, të cilat i paraqesim nga M.Kashanin, tregohet se, që nga periudha e patrikut Makarije në gjysmën e shek. të XVI’të, u ngritën nga gërmadhat dhe u rishkruan-vizatuan përsëri me qindra kisha në territoret e sunduara nga Osmanët (mendon në Kosovë, Serbi dhe Sanxhak).

D. T. Batakoviq duke u thirrur në burime osmane (regjistrat osmanë) tregon se gjatë shek. të XV’të dhe XVI’të ekzistonin dhjetë deri katërmbëdhjetë tempuj ortodoksë që ishin aktiv. Udhëheqësit e kishës ortodokse të Pejës (1557-1766) duke u mbështetur në traditën mesjetare të sundimtarëve nemanjid dhe shtetit të Rashkës, tani me një territor më të madh se i tyre, rindërtuan kultet e vjetra dhe vendosën edhe të reja.

U bë jetësimi – funksionimi i kishave dhe manastireve, ku vetëm në Kosovë u ndërtuan njëzetë (20) kisha të reja, ndërsa shumë nga të vjetrat u aftësuan duke edhe u rishkruar-vizatuar (D. T. Batakoviq, R.Samargjiq, Gj.Sljepçeviq).

Defterët osmanë për Sanxhakun e Vushtrrisë – Prishtinës (njësi administrativo-politike territoriale në Perandorinë Osmane), të viteve 1490-1491, 1525-1526, 1530-1531, 1544-1545 dhe 1561 tregojnë se ishin të evidentuar 42 manastire dhe 11 kisha, ndërsa në at të Prizrenit shënohen 2 manastire dhe 15 kisha (D. Batakoviq). Do të jetë interesante të paraqesim të dhënat që na ofron episkopi Artemije (Radosavljeviq) i Prizrenit, i cili në shkrimet e tija publikuar në “Raspeto Kosovo”, kur flet për rrezikun dhe dëmet e kishave dhe manastireve që gjinden në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999, paraqet edhe regjistrin mbi një numër të tyre. Nga ky regjistër del të jenë kisha dhe manastire të ndërtuara gjatë periudhave: nëntë të shek. të XIV’të; nëntë të shek. të XV’të dhe XVI’të; pesë të shek. të XIX’të dhe pesëdhjetë e tri (53) që janë ndërtuar në shek. e XX’të.

Këto të dhëna nga ky regjistër i paraqitëm me qëllim që të tregojmë se një numër i kishave janë të periudhës Osmane e çka është ma me rëndësi, këtu qartë shihen se pesëdhjetë e tri (53) kisha janë të evidentuara që janë ndërtuar në shek. e XX’të. Këtu, shohim që kishat e shekullit të XX’të, janë kisha thjesht “politike”. Këto kisha politike do të ndërtohen nga Serbia me qëllimin për të arsyetuar para botës se, Kosova është “tokë e tyre”. Por gjithë bota tani e dinë se, Kosova u pushtua nga Serbia në vitin 1912-1913 dhe Serbisë ju qel rruga për ndërtimin e numrit kaq të madh të kishave gjithnjë deri në vitin 1999, kur Kosova do të jetë jashtë saj.

Për të vërtetuar se me të vërtetë qëllimet, qëndrimet dhe të dhënat e historiografisë serbe, janë pretenduese, qëllim-këqija e nacionaliste, tregon numri i madh e i pa argumentuar i paraqitur për monumentet e krishtera ortodokse – kishave dhe manastireve që kinse kanë ekzistuar në Kosovë, që sipas tyre sillen prej 1300 e herë-herë deri në 1500 objekte. Për këtë mendojmë sigurt se, nuk ka as burime historike e as studime që mbështeten në fakte, se kishte aq shumë kisha në këtë trevë aso kohe e as sot, përveç konstruksioneve me prapavijë politike. Për këtë, lirisht vijmë në përfundime se, shkrimet e tilla janë falsifikim i qindpërqindtë i realitetit historik e shkencor.

Për fund, si bazë të fortë e argumentuese e gjithë qëndrimeve tona të paraqitura në këtë punim, ofrojmë dëshmitë mbi gjendjen reale të monumenteve të trashëgimisë kulturore, që tregojnë saktësisht se sa është numri i kishave dhe manastireve të krishtera në Kosovë që karakterizohen në radhën e monumenteve kulturore’historike. Po paraqesim të dhënat e sakta që ruhen në dokumentacionin e Entit Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Prishtinë, të vitit 1990 (sot, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës).

Të dhënat nga arkiva e këtij institucioni, na tregojnë dhe vërtetojnë që: në territorin e Kosovës sot, janë të evidentuara 183 objekte (të tipave dhe gjinive të ndryshme), kisha të krishtera, kryesisht ortodokse, prej të cilave 126 sosh kanë tretman monumenti, ndërsa 57 objekte janë vetëm të evidentuara (të dhënat marrë nga Dr. Fejaz Drançolli). Objektet në fjalë janë të regjistruara në regjistrin qendror të monumenteve në këtë institucion dhe nga këto monumente, mund të themi se, një numër i tyre i takojnë stilit bizantino-kosovar, posbizantin si dhe të karakterit lokal (F. Drançolli).

Këto të dhëna të fundit i theksuam me qëllim, sepse tregojnë se treva e Kosovës gjatë mesjetës e më vonë, nuk ishte epiqendra e veprimtarisë së kishës ortodokse të Rashkës – “Serbisë” siç pretendohet nga historiografia serbe, çështje që dëshmohet nga të dhënat e sipërpërmendura. Si përfundim, theksojmë se, kultura materiale e arbërve gjatë mesjetës e më pas shqiptarëve në territoret e Kosovës ishte pre e sundimeve të huaja, në rastin tonë atij më ekstrem – të Rashkës gjatë mesjetës.

Theksuam se, në Kosovë gjatë kohës kanë bashkëjetuar shumë monumente të kultit, si katolike, ortodokse që shërbenin aso kohe si për arbërit-shqiptarët ashtu edhe për popullatën tjetër që asokohe dhe sot jeton në këtë vend. Nga të dhënat që theksuam shihet se kisha ortodokse rashkase – “serbe”, përvetësoi shumë nga këto monumente të kulturës, kisha e manastire vendëse iliro-arbërore ku ndërtoi dhe rindërtoi mbi to, siç u pa sidomos gjatë shekullit të XIV’të, kisha të quajtura më vonë të veta, duke i shndërruar ato në kisha ortodokse. Këtej kultura materiale e Kosovës ndër shekuj u shkatërrua, u plaçkit duke vazhduar me tendencat (që nuk ndalën as në ditët e sotme) për t’u përvetësuar në forma të ndryshme siç i paraqitëm.

Këto qëndrime i paraqesim, me qëllim të tregojmë se, Serbia dhe historiografia e saj pothuajse pa përjashtime, pretendon edhe sot të qëndrojë me këto parime: që Kosova është “Djep i serbizimit”, “Tokë e shenjtë serbe”, “selia e kishës ortodokse serbe” dhe qëndrime të tjera antishkencore e jo humane, që sipas argumenteve shkencore nuk qëndrojnë, e për më tepër lënë pasoja të dëmshme në raportet e së ardhmes ndërmjet popujve. Sot numri i objekteve sakrale mesjetare, të kishave katolike, bizantine e ortodokse paraqesin gjurmë të kulturës materiale të dikurshme që e karakterizojnë kulturën materiale të popullit të Kosovës e më gjerë.

Duke i hedhur poshtë qëndrimet dhe tendencat që paraqiten prej historiografisë serbe, nga të dhënat e sipërshënuara, sot mund të themi se, në Kosovë kemi monumente të kultit të krishterë që janë ndërtuar nëpër kohë që nga antika e deri më sot, dhe jo vetëm ato të krishtera, katolike e ortodokse të mesjetës, por edhe duke vazhduar me monumentet kulturore islame që sot i kemi një numër të madh të tyre, sot i trajtojmë për trashëgimi të kulturës vendëse dhe ato i takojnë popullit dhe qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, pa bërë dallime të trashëgimisë kulturore në asnjë aspekt.

Në këtë drejtim do të shtojmë edhe mendimin se, është obligim shoqëror, intelektual, institucional e shtetëror, që monumentet e trashëgimisë kulturore, çfarëdo qofshin ato, të mbrohen, konservohen, restaurohen etj., të mbahen në jetë, sepse i takojnë kulturës materiale dhe shpirtërore të njerëzimit, në rastin t

onë popullatës vendëse të Kosovës dhe kulturës universale botërore.
Për fund, kishte me qenë mirë t’i tregojmë edhe historishkruesve serbë, çështje për të cilën jam i bindur që e dinë por nuk e theksojnë dhe shkruajnë, se, të dhënat historike dëshmojnë që iliro ’arbërit’ shqiptarët, gjatë historisë jetuan dhe vepruan në këto treva dhe më gjerë që nga kohët e vjetra, dhe mundën të mbijetonin pushtuesit dhe sunduesit e ndryshëm, si ata romakë, bizantinë, sllavë, osmanë dhe serbë deri në kohën e sotme.
Gjatë kësaj kohe, dëshmohet se, mbijetoi dhe një pjesë e monumenteve të trashëgimisë kulturore’historike e tyre (duke përfshirë në këtë kuadër edhe, kishat e krishtera, kishat dhe manastiret ortodokse si dhe objektet e kulturës islame – xhamitë, teqetë etj.) të cilat qenë ndërtuar nëpër kohë e që një pjesë mbijetuan deri më sot. Po këta, iliro’arbërit’shqiptarët, gjatë kohës, kanë pranuar kulturën fetare të besimit të krishterë më se dhjetë shekuj (prej shek.të I’rë deri në shek. e X’të).

Më pas, ata do të gjinden pjesërisht edhe nën ndikimin e krishterë ortodoks bizantin për afro tre shekuj (shek. i X’të dhe i XIII’të), afër dy shekuj nën trysninë e kishës ortodokse sllave’rashkase (XIII’të e XIV’të) e që vazhdon me pranimin e fesë islame që nga (shek. i XV’të dhe i XIX’të). Gjatë këtyre shekujve rrugëtimi, populli shqiptar përqafoi tri konfesione si, atë katolike, ortodokse dhe islame. Konfesionet që bashkëjetuan tek populli shqiptar e që i besojnë dhe sot, i bëjnë që edhe monumentet fetare të trashëguara gjatë historisë t’i respektojnë, mirëmbajnë dhe vlerësojnë si pjesë e pa ndarë e kulturës së tyre.
Autori është Koordinator Shkencor në Institutin Arkeologjik të Kosovës. Burimi:

frontidemokristian.blogspot.co.at