Avioni i parë i “Air Albania”, kompania e parë ajrore shqiptare, u ul pasditen e së premtes në aeroportin e Rinasit, Airbus 319, që si stemë ka flamurin shqiptar.
Fluturimet e para do të jenë drejt Stambollit,

ndërsa “Air Albania” do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane si Roma, Londra apo Milano.
Në qershor të këtij viti, qeveria nisi procedurat për krijimin e shoqërisë “Air Albania”.

Tre ortakët e saj janë “Albcontrol” me 10%, që përfaqëson palën shqiptare, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investment”, përkatësisht me 49 dhe 41%. Sipas qeverisë, krijimi i kompanisë “Air Albania” do të ofronte më shumë mundësi për fluturime “low cost” nga Shqipëria.

“Me meritë, pa paterica pushteti, “Air Albania” mban flamurin shqiptar dhe përfaqëson çdo shqiptar.

Në fokus do të jetë udhëtari dhe nevojat e tij”, u shpreh Drejtoresha e Albcontrol, Belinda Balluku.