“Si e kapëm Prek Calin me 12 krerë të reaksionit në Kelmend”

Dashnor Kaloçi – Plot 73 vjet më parë, pas një rrethimi afro dymujor që iu bë krahinës së Kelmendit në malësinë e Mbishkodrës, forca të shumta partizane të Brigadës së Parë Sulmuese, që asokohe ishte nën komandën e Korpusit të III dhe kryesonin atë operacion, arrestuan Prek Calin dhe 12 burra të tjerë që e shoqëronin atë.

Kjo ngjarje bëri bujë të madhe në atë kohë jo vetëm prej emrit dhe autoritetit të jashtëzakonshëm që kishte Prek Cali, por edhe për shkak të humbjeve të mëdha që pësuan si forcat partizane të Brigadës së Parë Sulmuese, që u detyruan të marshonin edhe në viset shqiptare nën Malin e Zi për rrethimin e tij, ashtu edhe të njerëzve që e shoqëronin Prek Calin, gjatë asaj kohe afro tremujore që ai u detyrua të qëndronte maleve në arrati. Lidhur me Prek Calin apo dhe posaçërisht për këtë ngjarje, është folur

 

dhe shkruar shumë pas viteve ’90-të, por vitin e kaluar figura e Prek Calit u bë “mollë sherri” edhe në mes të dy forcave politike në vend, pas asaj që ndodhi me kullën e tij në Vermosh.

Por ndryshe nga sa më sipër cituam, në këtë shkrim po publikojmë një dokument sekret të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili tregon se si është arrestuar Prek Cali dhe njerëzit që e shoqëronin atë më 14 shkurt të vitit 1945. Këtë dokument e kemi shkëputur nga një studim i gjatë (mbi 1200 faqe), që ka qenë përgatitur nga një grup pune i

Ministrisë së Punëve të Brendshme para viteve ’90-të, (i kryesuar nga Th.B.), ku pasqyroheshin të gjitha “sukseset” e Sigurimit të Shtetit nga viti 1943, që u krijua bërthama e parë e Sigurimit të Shtetit e deri në mesin e viteve ’80-të. I gjithë fashikulli ka qenë “Tepër Sekret” dhe ai përdorej si leksion për studentët e Shkollës së Ministrisë së Punëve të Brendshme ndër vite.

Edhe pse i gjithë fashikulli është i mbushur edhe me shumë propagandë, aty ka një material të bollshëm dhe tepër të detajuar për mënyrën se si ka funksionuar “arma e Sigurimit të Shtetit” që nga krijimi i saj e deri në mesin e viteve ’80-të. Dokumenti publikohet për herë të parë ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”.

DOKUMENTI SEKRET MBI OPERACIONIN PER KAPJEN E PREK CALIT
Ndërkohë, komandant e vendit informonin se reaksionarët kishin tërhequr shumë veta nga populli, duke i frikësuar se do t’u digjnin shtëpitë dhe fëmijët po të ndihmonin Mbrojtjen. Të dhënat tregonin përgatitjen që po bënte reaksioni.

 

“Në rajonin tonë – shkruante komanda e vendit e Dukagjinit më 3 janar 1945 – gjendja është kritike. Elementë të ndryshëm gjakësorë sillen nëpër katunde! Situata po zhvillohet në mënyrë të tillë që mund të fillojë lufta. Dërgoni forca ushtarake”. Në të dhënat thuhej se krahas klerikëve reaksionarë, bajraktarët e parisë me influencë, kriminelët e luftës dhe agjenturat e huaja që ishin hedhur në luftë të armatosur kundër pushtetit popullor, reaksioni tërhiqte në këtë luftë edhe njerëz të tjerë, duke shfrytëzuar jo vetëm ata që ishin kompromentuar me reaksionin, por edhe lidhjet e tyre miqësore, tarafet dhe fiset.

Shfrytëzonin zakonet dhe traditat e vjetra. Armiqtë kishin shtënë në dorë edhe mjaft persona të këshillave të vendit dhe të këshillave të fshatrave në mjaft zonave të Veriut, duke përdorur kërcënimet e njerëzve të besuar dhe duke i zëvendësuar ata me elementët e vet.

Më 6 janar 1945, komanda e vendit të Vermoshit dhe Kelmendit informonte komandën e qarkut të Shkodrës, se: “Në fshatrat Nikç e Ranca e Shnikut po strehoheshin reaksionarë shqiptarë dhe jugosllavë si Preng Cali, Sali Nikçaj etj. (Arkivi i M.M.P., Fondi i Korpusit të III, dosja 3, shkresa nr.70, dt.3.1.1945, i Komandës së Vendit Dukagjin dhe i Komandës së Qarkut të Shkodrës, dërguar Korparmatës së III).

Megjithëse e shihte se forcat reaksionare ishin të shumta, ajo theksonte se kishte marrë masa duke organizuar roje partizane me fshatarë. Ajo kërkonte forca ushtarake për asgjësimin e reaksionarëve, pasi ata ishin të shumtë.

 

 

 

 

Në këtë mënyrë, komandat e vendit krahas organeve të tjera të mbrojtjes së popullit, nuk kryenin vetëm detyrën e informimit dhe ruajtjen e rendit dhe të qetësisë, por merrnin edhe masa për kërkimin, ndjekjen dhe asgjësimin e kriminelëve.
Në të njëjtën kohë, duke parë se kriminelët kishin mashtruar shumë njerëz të pafajshëm, të cilët si rezultat i punës së reaksionit kishin dalë në arrati, komandat e vendit krahas asgjësimit me forca të armatosura, përdornin edhe forma pune bindëse, duke u bërë thirrje për dorëzimin e të arratisurve, nëpërmjet takimeve me të arratisurit që kishin influencë, ku bëhej “marrëveshja” për dorëzim.

 

Gjithashtu, komandat e vendit bënin edhe listat e të arratisurve. Këto lista ua dërgonin komandave të qarqeve – oficerit të mbrojtjes së popullit, i cili ia përcillte seksionit të mbrojtjes së popullit të krahinës. Kjo ndikonte që operacioni i spastrimit të kryhej me sukses.

 

Në përshtatje me veçoritë që paraqiste lufta kundër reaksionit të brendshëm, operacioni në këto krahina nuk u bë njëlloj. Në Veri reaksioni vepronte me grupe të mëdha kriminelësh nga 50 deri në 400 veta të armatosur dhe të organizuar mirë, ndërsa në jug dhe në Shqipërinë e Mesme, në grupe të vogla, të shkëputura. Në Veri, reaksioni përgatitej të rezistonte duke luftuar me armë, kurse në Jug, organizonte akte terrori, diversioni e sabotazhi.

Kjo bënte të domosdoshme që edhe taktika e veprimeve të forcave tona, t’i përshtatej asaj të armikut – veprimit me grupe të vogla, duhej përgjigjur po kështu. Nuk kishte kuptim që për organizimin, rrethimin e asgjësimin e një grupi të vogël, të angazhohej divizion ose brigadë e tërë.

 

Për këtë arsye, ndërsa në Veri vepronin formacione të mëdha të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, në zonat e Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme u organizuan grupe të vogla me partizanë trima, të shkathët dhe besnikë, të cilët së bashku me popullin, komandat e vendit, këshillat nacional-çlirimtare, komandat e vendit, repartet e ndjekjes dhe mbrojtjes së popullit, organizonin prita, kapnin ose asgjësonin grupet e kriminelëve të arratisur.

 

“Këtu të përdoren dhe ata që kanë armiqësi të vjetra personale, për informata”, – theksonte shoku Hysni Kapo, komisar i Korpusit të Parë, në udhëzimet që u dërgonte organeve dhe reparteve më 24.1.1945.
Në disa krahina të Veriut, si Hoti Kelmendi, Gruda, si rezultat i mashtrimit që kishte bërë armiku, shumë persona ishin ngritur në rezistencë të hapur dhe refuzonin të merrnin pjesë në radhët e U.N.Ç.SH. Ndër ta si në Malësinë e Shkodrës, Gjakovës etj., mbanin qëndrim indiferent ndaj pushtetit popullor.

 

Mbeturinat e reaksionit në këto zona ishin të armatosura me pushkë e mitraloza dhe prisnin rastin për t’u hedhur në aktivitet kundërrevolucionar. Në këto zona si dhe në të tjera ku reaksioni kishte baza, armiku lëshonte parulla për të krijuar mosbesim ndaj qeverisë demokratike, pakënaqësi dhe përçarje në popull.

“Mbeturinat e reaksionit në Shqipëri kanë mbledhur veten dhe zhvillojnë aktivitet të shumanshëm”, theksonte shoku Enver Hoxha në urdhrin e operacionit të 19 janarit 1945 dërguar Shtabit të Korparmatës së III.

 

Pushteti popullor në zonën e Shkodrës dhe Kukësit nuk i kishte forcuar ende bazat e tij, ai kërcënohej përherë nga reaksioni. Kjo rridhte pasi forcat partizane të Korparmatës së III ende nuk kishin kaluar në të gjitha fshatrat. “Nëse nuk do të merren masat – udhëzonte shoku Enver Hoxha – këto forca reaksionare dhe çerdhe të reaksionit mund të bëhen vatër e lëvizjes reaksionare dhe të kërcënohet pushteti”.

 

Duke studiuar këtë gjendje, shoku Enver Hoxha urdhëroi që forcat e Korparmatës së III të kalonin në të gjitha nënprefekturat e Qarkut të Shkodrës dhe të Kukësit, nënprefekturës së Peshkopisë, të zhduknin dhe asgjësonin çdo forcë reaksionare të organizuar apo jo.

Zhvillimi i operacionit të spastrimit
Operacioni i spastrimit filloi në të gjitha krahinat. Ai u zhvillua në dy faza: Faza e parë filloi më 14 janar 1945 deri më 31 janar 1945. Në këtë fazë u përshkuan të gjitha fshatrat e zonës së Veriut, duke asgjësuar çdo rezistencë. U kapën pikat strategjike, që dominonin në krahinë dhe u bë mobilizimi.

Kudo që shkonin forcat partizane, riorganizonin dhe rrjetën informative, duke u bazuar edhe në fshatarët që nuk implikoheshin rëndë me reaksionin, qoftë kjo edhe me anë premtimesh, me qëllim që të mblidhnin të dhëna të sakta mbi qëllimet dhe lëvizjet e armikut.
Taktika e luftë kundër reaksionit duhet të çonte në realizimin e qëllimit strategjik: asgjësimin e plotë të reaksionit. Për këtë arsye, gjatë operacionit u përdor taktika e luftës-manovër rrethonjëse.

 

Gjatë fazës së parë, si rezultat i mospasjes së një organizimi të mirë të shërbimit të kundërzbulimit dhe i mungesës së të dhënave mbi gjendjen, qëllimin dhe lëvizjen e reaksionit, forcat tona ushtarake patën humbje të mëdha! Nga mosmarrja e masave zbuluese, ranë shpeshherë në prita të befasishme.

1.(Urdhrin që shoku Enver dërgoi më 19 janar 1945 për të shkelur e spastruar të gjitha fshatrat e Veriut, Shtabi i Korparmatës së III nuk e kishte zbatuar).

 

Kjo vinte për faktin se reaksioni u nënvleftësua dhe se numri i forcave tona që u dërguan për ndjekjen dhe asgjësimin e tij në këto zona qe më i pakët se numri i kriminelëve të arratisur: terreni strategjik i panjohur nga forcat tona nuk evidentonte dot pritat dhe befasitë që banditët e armatosur u bënin forcave tona. Armiku, duke e njohur mirë terrenin, kishte mundur të zinte të gjitha pikat dominuese e rrugët.

Gjithashtu, mungesa e njohurive taktike të përgjegjësve që drejtonin operacionin në këto zona shpinte në moskombinimin e veprimtarisë së forcave të tyre me forcat e tjera, që këto të shkonin paralel. Të gjitha këto vinin edhe nga mungesa dhe mosvlerësimi i rrjetës informative.

Kjo dobësi si dhe humbjet që pësuan forcat tona në fazën e parë, u korrigjuan në fazën e dytë, që filloi prej 1 deri më 14 shkurt 1945. Gjatë kësaj faze, forcat e U.N.Ç.SH. (Ushtria Nacional-Çlirimtare Shqiptare), duke kaluar pengesat e mëdha natyrore, duke përshkuar majat, qafat e grykat e mbuluara me borë, në mbështetje të të dhënave të sigurta që kishin mbledhur nga shërbimi informativ i terrenit,

nga fshatarët dhe zbuluesit që u dërguan në zonat e thella, bënë goditjet e armikut që gjendej në zonën e Kelmendit, nga pesë drejtime.

Veprimet në këtë fazë u kombinuan mirë dhe bënë që brenda pesëmbëdhjetëditëshit të parë të muajit shkurt 1945, të sigurohej çdo e papritur, goditje të befasishme në prita dhe të asgjësoheshin forcat e reaksionit, të spastrohej Kelmendi krejt dhe të kapej i gjallë Preng Cali me 12 krerë të reaksionit që kryesonin forcat reaksionare.

Krahas kësaj, u bë çarmatimi i të gjithë atyre që implikoheshin me reaksionin, u organizua pushteti dhe bë mobilizimi i detyrueshëm ushtarak.

Gjatë operacionit në Kelmend, forcat tona patën 39 të vrarë e 48 të plagosur. Nga këta, 30 të vrarë dhe 34 të plagosur ishin partizanë të Brigadës së Parë, kurse nga ana e armikut, pati 44 të vrarë dhe 21 të plagosur. (1. Arkivi i M.M.P. dhe Fondi i Qarkorit të Shkodrës dhe i Brigadës së Parë 1944-1946).

Gjatë kësaj faze Shërbimi Informativ theksoi se kushtrimin e luftës kundër forcave partizane e kishin dhënë Zef Nika, Ujk Lula dhe Preng Doda nga Vukli, të cilët u kapën. Gjithashtu u kapën dhe u ekzekutuan Nikoll Tona dhe Nik Marashi, që kishin vrarë korrierët e Brigadës së Parë, të cilët u dërguan me shërbim në Vukël.
Veç këtyre, u internuan familjet e reaksionarëve, u arrestuan 12 nxitësit dhe shkaktarët kryesorë të reaksionit në Kelmend.

Si gjithmonë, edhe gjatë operacionit në Kelmend, Partia i kushtoi kujdes të madh punës politike bindëse, edukative në masat e popullit për t’i sqaruar ato rreth veprimeve të forcave ushtarake dhe veprimeve të kriminelit Preng Cali.

Kështu, Kelmendi në këtë operacion njohu mirë drejtësinë e vijës së Partisë Komuniste Shqiptare. Kelmendi, që kishte qenë vazhdimisht nën influencën e reaksionit, që ishte i vetmi vend pa u shkelur nga forcat e U.N.Ç.SH. deri në fillimin e operacionit, u bë një vatër e rëndësishme për asgjësimin e kriminelëve.
Reaksioni dhe rezistenca më e ashpër qe në dy bajraqet e Kelmendit, Nikç dhe Vukël.

 

Në luftën për asgjësimin e forcave të armatosura të reaksionit, forcat e repartet e U.N.Ç.SH. përdorën taktikën – manovrën rrethonjëse e goditjen e rrufeshme. Për këtë, më parë grumbulloheshin të dhëna, shoshiteshin ato, bëhej rrethimi, dërgoheshin grupe sulmuesish dhe bëhej goditja në të njëjtën kohë nga të gjitha drejtimet.

Këtu filluan të grumbullohen dhe të organizohen të gjitha mbeturinat e reaksionit. I ashpër qe reaksioni sidomos në Brojë, Ura e Tamarës etj. Por këtu edhe ata u asgjësuan plotësisht.

Hyrja e forcave të U.N.Ç.SH. në mënyrë të papritur nga drejtime të ndryshme ngjalli panik në të gjithë reaksionin. Kjo bëri që çdo rezistencë të shuhet me të parë forcat e U.N.Ç.SH. Të gjithë burrat e fshatrave të Kelmendit, sidomos Brojës dhe Rahovicës, që ishin larguar nga familjet si rezultat i punës së reaksionit, u kthyen.

Veprimet e drejta, të matura dhe korrektësia me popullin si dhe kapja gjallë e krerëve të reaksionit, bëri që populli të afrohet më shumë me SEMP-ve (Seksionet e Mbrojtjes së Popullit) dhe u bë baza e mbështetja kryesore për zbulimin e të gjithë kriminelëve e tradhtarëve të tjerë të fshehur.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...