Ema Andrea: Sikur mama të mos kishte hipur në atë kamion

Nga Suadela Balliu
Ishte një fëmijë, vetëm një vjeç e gjysmë, në krahët e nënës,

kur kamioni, që transportonte të internuarit, marrë prej shtëpive vetëm me teshat e trupit, u përmbys…

Ema Andrea, së bashku me një grup njerëzish u ngjitën në atë kamion që kish transportuar gra e fëmijë drejt kampit famëkeq të përqendrimit, shumë vite më pas, në ditën kur

Europa përkujtonte të gjithë ato jetë të shuara nën regjimet totalitare. Ishin vetëm dy kilometra mbi “Zis”-in, me rimorkio të hapur, por sa jetë ishin shuar prej të ftohtit e urisë mbi atë makinë vdekjeje?!
Për një ditë,

Ema Andrea nuk ishte më aktorja, që brendësonte një rol në skenë, por u bë zëri i të gjitha dhimbjeve, i të gjitha vuajtjeve, trupi i të gjithë atyre shpirtrave që duruan mizorinë e një sistemi, që desh ta zhvishte

humanizmin si një rreckë e vjetër për t’i kthyer njerëzit aparatçikë, ingranazhe kokëzbrazët që besonin tek ndërtimi i një ideali të ri, që do të lypte pamëshirë sakrificat e veta, në mënyrë që të ndërtonte “njeriun e ri”,

që do adhuronte zota të rinj, hipur mbi frone të autoritetit totalitar.
“Nuk mund të veçoj as historinë e një nënë që kërkon t’ia vrasin djalin që të shpëtojë nga vuajtjet, nga një nënë që zhvarros të birin për ta kthyer në vendlindje që ta varrosë me nder,

prej nënës që i kanë vdekur fëmijët se s’ka pasur ushqim, prej fëmijëve të mbetur pa nëna, të poshtëruar e të torturuar, prej grave që janë përdhunuar, prej atyre të varrosur të gjallë…”,

kujton Ema Andrea, disa prej historive rrëqethëse që ka dëgjuar prej kohës kur mori jetë MEMO, nisma e një grupimi qytetarësh që synon ballafaqimin me të shkuarën përmes së vërtetës, ku ajo është një prej ideatorëve dhe themeluesve.
Tragjeditë e jetuara ditë pas dite të mijëra familjeve, kumbuan edhe njëherë në atë fushë të

Tepelenës, përmes zërit të aktores, “Vizita në atë fushë, e cila mori përmasat e se vërtetës së dhimbshme njerëzore e historie, vetëm pas rrëfimeve , ishte tronditëse.” –kujton Andrea, ndërsa shton “Ishte një nga ato momente të jetës ku ndihesh krejt i pafuqishëm për të ndryshuar diçka, për të luftuar padrejtësinë, të lehtësosh dhimbje a shpëtosh një jetë”.

Më shumë se zemërimi apo indinjata, aktorja thotë se u pushtua nga një ndjenjë turpi. “Ndjeva turp për krimet që janë bërë në gjuhën time amtare, nga bashkëkombës të mi. U ndjeva në faj se, dashur padashur, kam qenë pjesë e atyre që nuk kanë folur, apo nuk kanë ngritur pyetje për këtë të kaluar.”

Koha mund të ketë fshirë gjurmët e asaj që ishte dikur eksperiment njerëzor i shfarosjes së ngadaltë, por nuk ka mundur të shuajë tragjeditë njerëzore, që edhe pse me zë të mpakur e të pafuqi, kanë mundur t’i sjellin të gjalla përjetimet- urinë, mundimet e trupit e të shpirtit, izolimin, të ftohtët, punën e rëndë, lotët dhe britmat e pashpresa drejt qiellit, asaj fuqie të padukshme, që dukej se i kishte braktisur, por jo në mëshirë të fatit.

As mëshira dhe as fati nuk ishin më pjesë e atij absurdi.
“Mitet e kohës moderne, u shpërbënë në atë fushë, bashkë me konceptet e së mirës dhe të së keqes, besimit e mosbesimit, kufijve të qenies njerëzore, përkatësisë, dimensionit njerëzor, historisë së vendit tim, energjisë së kësaj toke.

U ndjeva e vogël dhe e pamundur.”Rrëfen se angazhimi në këtë projekt ishte një ndjenjë detyre , “përballë vetes e fëmijës tim, për të bërë diçka, aq sa qenia ime mundet.”

Si një lloj zbulimi që vjen nga lart, vijon të rrëfejë, se ajo ditë e bëri të kuptojë se kjo kohë nuk bën veçse sajon heronj modernë, patetikë e sipërfaqësorë, “heronj që bërtasin si enët bosh dhe viktima që bërtasin po njësoj.

Kuptova pse nuk kemi sy me pa vepra njerëzore, me dallu’ shembujt e vërtetë, dhe pse e ardhmja e këtij vendi është e rrezikuar të mos ketë vërtetësi. Këtu thuajse asnjëherë, askush nuk ka marrë përgjegjësi për asgjë dhe koka ulet përpara çdo padrejtësie.”

Pranon se vetë procesi i ideimit dhe vënies në jetë të këtij projekti, ishte dhimbje. “Kjo dhimbje më ka naltësu’, në dimensione të tjera shpirtërore, ndaj është dhimbje që i ka bà nder shpirtit tim”. Sqaron se, ideja e përjetimit në vetë të parë të rrëfimeve nga kampi i internimit në

Tepelenë, përmes projektit artistik “Sikur Mama”, mund të kuptohet në dy forma: “ Len me u kuptu’ “Ashtu si mama” apo “Sikur mama të mos kish hipur në at’ kamion”. Është sërish një formë provokuese apo ftesë për të ngritur pyetje nga realiteti i sotëm.”

A mundet dhimbja, e rijetuar përmes këtyre projekteve, këtyre ditëve përkujtuese që i bëjnë protagonistë ata viktima, shpesh të harruar, të kthehet në katarsis? A munden të tilla nisma të shkundin shpirtrat e mpirë të njerëzve që jetojnë në ritmet pafre të botës konsumeriste, që e ka harruar shpejt të shkuarën apo në rastin më të keq as e ka njohur fare?

Sipas aktores, dhimbja do i bënte nder shpirtit, por katarsisi nuk ka nevojë vetëm për të ndjerë në lëkurën e empatisë dhimbjen e atyre mijërave viktimave, por më shumë se për të gjitha, ka nevojë për të drejtën. “Të gjitha aktivitetet e MEMO-s janë ndërtuar si akte konkrete në ndihmë të sensibilizimit, por edhe njohjes e ballafaqimit të ndërgjegjes së sotme me të shkuarën e afërt.” -përgjigjet Andrea “Besoj se akti më i rëndësishëm, apo fara me e rëndësishme, e jetëgjatë, që ka ndërmarrë MEMO, është kontributi për ndërtimin e Memorialit të fëmijëve të vdekur, në kampin e internimit në Tepelenë, i iniciuar nga

AIDSSH dhe znj.Gentiana Sula.”
Është e bindur se shoqëria nuk mund të bëjë përpara pa u përballur me vërtetësi me të shkuarën, në të gjitha dimensionet. “Nuk besoj se mund të ketë paqe me krimin, por besoj se pas ballafaqimit, kjo shoqëri do të dijë të vendosë me ndërgjegje se në cilën rrugë do të ndërtojë të tashmen dhe të ardhmen e saj”, thotë ndërsa nënvizon disa prej aspekteve ku, as shoqëria e as institucionet, nuk kanë bërë aq sa duhet për t’u dhënë vendin e duhur të gjithë viktimave të regjimit diktatorial, në Shqipëri.

“Për aq kohë sa periudha e diktaturës komuniste, nuk ka hyrë e plotë në sistemin e arsimimit, për sa kohë shumica e brezit që e ka lindur afër viteve ’90, nuk kanë as idenë se për çfarë bëhet fjalë, për sa kohë brezi që e ka përjetuar atë periudhë, nuk flet, përderisa ka ende njerëz që pyesin për të shuar dyshimin se ajo periudhë ka qenë e mirë e ka të tjerë që thonë se, edhe pse mungonin të drejtat elementare të njeriut ajo periudhë ka qenë “me të mirat e veta”, deri kur persekutorët do të mbrohen ende me shprehjen “ashtu ishte koha”, besoj se ka shumë për të bërë.”

Sipas Andreas, ai regjim nuk ndëshkonte thjesht ata që i etiketonte si të “pabindurit”. “Ka qenë një luftë e gjatë, e përditshme dhe e përbindshme për të shkatërruar gjenin e për të ndërtuar njeriun e frustruar e pa identitet, pasojat e të cilit ende i vuan kjo shoqëri.” Jo vetëm viktimat, thotë ajo, por ndrydhjen

dhe depersonalizimin që ai sistem i bënte individit, e kanë ndjerë të gjithë që kanë jetuar nën atë regjim, edhe kur nuk ishin të ndëshkuar drejtpërdrejt në burgje apo kampe internimi.

“Është një shumicë shqiptarësh, që kanë mbyllur sy, veshë e gojë e duan ta fshijnë nga kujtesa atë periudhë, a thua se është një tundim diabolik!”Andrea shton se të gjitha ato nisma që janë marrë me kauzën e viktimave dhe komunizmit dhe të shkuarën si;

Autoriteti i Informimit për Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit si edhe shumë iniciativa të tjera personale si Kujto.al, Jozef Radi e të tjerë, do të gjejnë tek MEMO, një aleat më shumë për ta çuar përpara kauzën.

“Një nga pikat më të forta, në të cilat mbështetet kjo nismë janë veprat dhe aktet konkrete.Nuk është e lehtë, sepse pas shumë vitesh heshtje -nuk mund të them e rastësishme – përpjekjet vështirësohen jo vetëm prej kohës, por edhe prej reagimeve direkte e indirekte nga grupet shoqërore, të cilëve po u tronditet rehatia e heshtjes, përmes së cilës kanë mundur të jetojnë e të forcojnë pozitat e tyre.”

Ballafaqimin me këta të fundit, mendon se nuk do ta kenë aspak të lehtë, sepse “kanë pasur kohën e duhur për t’u bashkuar e për të siguruar mjete të forta, mbrojtjeje dhe sulmi. Por kanë filluar të tremben, ndërsa rruga drejt nxjerrjes në pah të së vërtetës ka bërë bashkë shumë elementë. MEMO nuk është vetëm! ”Edhe pse e vështirë, mendon se rruga drejt së vërtetës dhe gjetja e së drejtës, është e domosdoshme për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.

Megjithëse pranon se ka pasur njerëz, të afërm dhe të njohur, që kanë vuajtur përndjekjen nga regjimi diktatorial, Ema Andrea thotë se nuk ishte kjo arsyeja që e shtyu të përqafojë këtë kauzë duke i dhënë zë, përmes artit dhe qytetarisë “Personalisht, ka qenë dhe mbetet përgjegjësia sociale.

E ndiej detyrim social për të qenë pjesë e kësaj kauze apo çdo të tille, që mbron dhe lufton për të drejtat e njeriut dhe bën ndryshimin në shoqëri.”

Revolta e fillimit, reagim gati-gati instinktiv kur përballesh me ato rrëfime të vuajtjeve dhe trajtimeve çnjerëzore, u shndërrua në dëshirë për të bërë diçka konkrete. “Kur dëgjon reagimin e atyre që kanë pësuar kalvarin e vuajtjeve ekstreme, se si flasin për persekutorët e tyre, kur sheh fisnikërinë me të cilën ata përballen me historinë e jetës se tyre të shkatërruar nga sistemi, forcën e besimit e dashurinë për këtë vend, kupton që zemërimi nuk të çon askund përveç zvogëlimit të përmasës njerëzore e sociale. Zemërata do të ishte pikënisja më e gabuar në këtë mision, si për çdo akt të thjeshtë në jetën e gjithsecilit.”
Arsyeja pse

shoqëria shqiptare nuk gjen dot paqen, mendon Ema Andrea, duke cituar thënien e Nënë Terezës, që është edhe lajtmotiv i nismës, është “se kemi harruar se “I përkasim njëri-tjetrit”. Paqja merr kuptimin e plotë vetëm nëse ke kurajën të dëgjosh deri në fund këto histori e ta lejosh veten të rritet përmes së vërtetës, cilado të jetë ajo në raport me veten.”
Thirrja apo ngacmimi brenda ndërgjegjes njerëzore përmes shprehjes “Kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit” është sipas Andreas një motiv

që bën bashkë qytetarë dhe organizata, tashmë pjesë e rrugëtimit të MEMO, duke dhënë edhe kontributin e tyre. A do t’i përfshijë ajo të gjitha ato histori që ka dëgjuar në një projekt teatror? “Patjetër, do të jetë bukur kur dy misione bëhen bashkë’, përgjigjet aktorja.

Janë të pafund ato histori që ta gërvishtin shpirtin e ta bëjnë plagë, duke zgjuar empati edhe tek ata më indiferentët. Në atë fushë, që sistemi i dikurshëm totalitar e vendosi ta shndërrojë në një kamp internimi, kthehen sërish shpirtrat e atyre që vuajtën. Ka dëgjuar aq sa nuk di t’i ndajë, cila i ka lënë shenja më të mëdha. “Nuk di të veçoj mes atyre që u kanë vrarë babanë përpara syve, prej atyre që i kanë lënë zhytur në ujë derisa u kanë rënë thonjtë, prej atyre që i kanë torturuar deri në vdekje e ua kanë zhdukur familjet, prej atyre që s’kanë pasur dot as shokë, sepse ishin reaksionarë,

prej klerikëve që janë torturuar e vrarë, prej djaloshit që tërhiqet zvarrë në qytet, prej atij që lidhet në shtyllë për t’u pështyrë, prej atij që gjen vdekjen si shpëtim prej poshtërimit, prej atij që mbetet cung për një kapriçio perverse të persekutorit. Të gjitha janë, të shprehem tronditëse nuk mjafton.”

Sipas aktores, muze si ai i Tepelenës, duhet të ishin ndërtuar në këta 27 vjet pas përmbysjes së regjimit, por sipas saj, edhe nëse debati i madh, i munguar i ballafaqimit me të shkuarën, do të ndodhë njëherë e mirë, kjo nuk do të ishte e mjaftë që ata shpirtra të harruar të shkonin në paqe.

“Nuk mund të ketë paqe për shpirtin e një fëmije, që as emër nuk arriti të ketë. Nuk mund të jetë harresa paqe për ata shpirtra…”

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...