Misteri Vijon. Një studim i ri mbi Sindonen e Shenjtë, çarçafi prej linoje që mendohet se u mbështoll trupi i Krishtit, sugjeron se gjysma e njollave të gjakut që ndodhen në të nuk janë autentike. Sipas studimit, vetëm disa prej tyre përshtaten me pozicionimin e trupit të kryqëzuar dhe gjurmët që mund të linte, ndërsa të tjerat duket sikur nuk kanë asnjë përputhje.

Autorët e kërkimit thonë se ende nuk është analizuar substanca që i ka krijuar njollat, pra nëse është gjak dhe i përputhshëm me njollat e tjera, por thjesht janë fokusuar tek verifikimi i tyre në bazë të pozicionit. Nga të gjitha eksperimentet e kryera, njolla që ndodhet në toraks përputhet plotësisht, sikurse edhe ato të parakrahëve. Por pozicioni i shumë të tjerave lë vend për dyshime. Për kërkuesit, këto të fundit janë bërë në mënyrë artificiale, me gisht apo penel.

Edhe analiza të tjera të mëparshme, si datimi me radiocarbon etj, thonë se Sindone është një produkt artistik i krijuar gjatë Mesjetës dhe jo çarçafi real me të cilin u mbështoll Jezu Krishti pas kryqëzimit.

Sindone që vjen nga greqishtja e lashtë do të thotë pëlhurë e madhe, ruhet në Torino të Italisë dhe në të dallohet silueta e një mashkulli dhe shenjat e keqtrajtimit, dhe për traditën kristiane bëhet fjalë për Jezusin.