Analisti Fatos Lubonja i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 është shprehur se opozita duhet të djegë mandatet për t’i dhënë një mesazh të mirë qeverisë, e cila është e lidhur me krimin.

Lubonja ka ngritur alarmin se Tirana po shkatërrohet nga kullat dhe pallatet, ndërsa ka shtuar se të tjerat janë vetëm fasada të qeverisë.

Më tej ai nuk ka kursyer edhe opozitën. Sipas tij opozita nën udhëheqjen e Bashës duhet të ecë me hapa konkretë, duke nisur nga bojkoti i Parlamentit e më tej tek djegia e mandateve.

“Po shkatërrohet Tirana me pallate dhe kulla absurde. Kjo lë të kuptosh se aty është pushteti i vërtetë dhe interesat. Të tjerat janë fasada. Shërbimi më i mirë që mund të bëjë opozita është një mbledhje më radikale. Ndoshta nuk mbledh dot njerëz, por më e mira që mund të bëjë është të mos shkojë në Parlament.

Me këtë nënkuptoj që kjo opozitë duhet të djegë mandatet që të japë një mesazh kombëtar dhe ndërkombëtar sepse nuk mund të bëjë fasadë. Duke mos bërë një hap konkret duket sikur edhe opozita bëhet fasadë me krimin. Ne po ikim nga Parlamenti sepse nuk mund të jemi fasadë. Këtë pres”,-ka thënë Lubonja.

Analisti ka theksuar se opozita duhet të bëjë një analizë për gjendjen dhe të gjejë zgjidhjen e saj, sepse në të kundërt kur të vijë në qeveri do të jetë thjeshtë një bashkëpunuese me krimin, sikurse Rama sot.

“Lekët e krimit zbresin nga lartë-poshtë dhe në një farë mënyre i kërkoj opozitës të bëjë një analizë dhe të gjejë terapinë. Ngelet demagogji dhe nesër vjen në qeveri dhe bashkëpunon me krimin siç bashkëpunoi Rama, luajnë me rotacion”,- u shpreh Lubonja.