Para pak ditëve, trajneri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci paditi në gjykatë ish-presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

 

Tekniku italian ngriti padi ndaj Nishanit pas deklaratave ofenduese që ky i fundit bëri ndaj tij.

Një ditë para ndeshjes me Izraelin, Panucci ka dalë në konferencë për shtyp ku ka sqaruar dhe arsyen pse ngriti padinë.

 

“Njerëzit duhet të flasin me edukatë. Janë punët e mia personale, nuk ka rëndësi nëse flas apo jo me presidentin Duka,” u shpreh fillimisht tekniku i kuqezinjve.

 

Në lidhje me ndeshjen, e cila do të luhet nesër, Panucci shpreson që të fitojë, pasi sic tha ai janë të përgatitur.

 

“Në dy ndeshjet e fundit kemi bërë jo pak eksperimente ndaj këtë herë zgjodha eksperiencën e tyre. Natyrisht që për shkak të emergjencës, kam thirrur edhe lojtarë me pak minuta. Për sa i përket, Bashës, Lilës dhe Ramadanit, unë kam zgjedhur eksperiencën.

Kaçe nuk ka luajtur shumë. Skuadra ndihet mirë, kemi punuar mirë. Jemi të gatshëm për të përballuar një ndeshje, ditën e nesërme. Uroj që të kthehemi dhe të fitojmë. Jemi përgatitur shumë këtë“, shtoi Panucci.

 

I pyetur nëse ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë do të vendosin për të ardhmen e tij, italiani u përgjigj:

Kjo nuk është një pyetje për mua, unë jam këtu për të përgatitur skuadrën. Është pyetje për presidentin./Ora News.tv