Organizata e Kombeve të Bashkuara e renditi Shqipërinë në grupin e dhjetë vendeve që ka pësuar plakjen më të shpejtë të popullsisë gjatë periudhës 2000-2011, në Raportin e Plakjes Globale 2017.

Faktorët e keqkombinuar nga emigracioni dhe rënia e lindjeve bashkë me indiferentizmin për të përballur pasojat, do ta bëjnë të vështirë tranzicionin e popullatës.

Disa sektorë si bujqësia dhe fasoni kanë nisur të vuajnë mungesën e krahut të punës, ndërkohë që popullsia e vendit është futur në një proces të shpejtë plakje.

Divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara e renditi Shqipërinë si një ndër dhjetë vendet me procesin më të shpejtë të plakjes së popullsisë gjatë periudhës 2000-2011. Numri i të moshuarve mbi 60 vjeç është shtuar me 7.3% në këtë periudhë.

Shqipëria renditet e teta në botë pas SHBA-së, Japonisë, Guadalupe, Maltës, Martinique, Koresë së Jugut dhe Curaçaos për plakjen e shpejtë në rang global në vitet në vijim.

Në vitin 2017, shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit ishin 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 19% të gjithë totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011.

Në vitin 2030, sipas projeksionit të Kombeve të Bashkuara, popullsia mbi 60 vjeç do të jetë 26.6% të totalit të popullsisë sipas projeksioneve normale, pa goditje të forta të emigracionit.

Në disa vende në zhvillim, ndër to edhe Shqipëria, popullsia po plaket me shpejtësi me ritme më të shpejta se sa kishte ndodhur në vendet e tjera të zhvilluara.

Për shembull, në Francë, plakja e popullsisë kërkoi 115 vjet, në Suedi 85 vjet, Australi 73 vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës 45 vjet. Në këto vende, gjatë këtyre viteve, popullsia mbi 60 vjeç u rrit nga 7 në 14%.

Në vendet që sot janë në tranzicion, ky proces ka ndodhur në më pak se 23 vjet. Projeksionet tregojnë se për Brazilin dhe Kolumbinë, dyfishimi i numrit të të moshuarve do të kërkojë vetëm 22 vjet.

Kjo qasje e re e popullsisë po prodhon një tranzicion të ri demografik për këto vende që do të duhet të përshtaten shumë shpejt me një strukturë të re popullsie.

Sot vendet në zhvillim do të duhet të përshtaten shumë shpejt me situatën në një kohë që ato kanë të ardhura për frymë shumë më të ulëta se sa vendet e zhvilluara kur u përballën me këto sfida.

Numri i shteteve me moshë të re popullsie ka rënë dukshëm me kalimin e kohës. Ndërsa në vitin 2017 numëroheshin 39 shtete që kishin rreth 5% të popullsisë mbi 60 vjeç, në vitin 2050, vetëm Nigeria do të ketë në popullsinë e saj persona mbi 60 vjeç vetëm 5% të totalit.