Çuditë shqiptare nuk kanë të sosur. Pa hyrë në shtëpinë e re, qytetarit i vjen një faturë e energjisë elektrike me vlerë prej gati 20 milionë lekësh.

Jako Blani me kursimet e një jete dhe punës në Greqi si emigrant, prenotoi për të blerë një shtëpi të re në zonën e Qesarakës, në Tiranë.

“Në 2015-ën më thotë ndërtuesi që të ka ardhur një gjobë prej 19 milionë lekësh. Kur shkova tek zyrat e OSHEE-së, më thonë që kam edhe një afrofe prej 1 milionë lekësh të vjetra. Faturën ma anuluan, ndërsa afrofenë jo”, shprehet qytetari.

Jako i kërkon ndërtuesit t’i ndërpresë punimet deri në zgjidhjen e problemit.
“Po jetoj prej 3 vjetësh në një shtëpi me qira, me 200 mijë lekë muaji, pasi siç e shikoni, shtëpia nuk po përfundon. Kam 3 vjet që sorollatem. Për një lidhje të paligjshme, këta të futin në burg”, thotë qytetari.

Aktualisht Jako paguan tarifën e shërbimit prej 3400 lekësh të vjetra.
Teksa zbresim shkallët, takojmë lexuesin e sahatit që po mat energjinë e harxhuar nga banorët e pallatit ku do të jetojë edhe Jako.

“Nuk ka energji të konsumuar nga ky konsumator”, na thotë lexuesi i sahatit.
Abonenti u prit sot në OSHEE dhe drejtori i zyrës së shtëpi, Ardi Kola pohoi se problemi i qytetarit do të gjejë zgjidhje brenda ditës së premte.