Po s’më bëre mik, ajri nuk më thithet, uji nuk më pihet, buka nuk më hahet, gjumi nuk më flihet…

Nga Edison Ypi

Po s’më bëre mik, ajri nuk më thithet, uji nuk më pihet, buka nuk më hahet, gjumi nuk më flihet, ëndrra s’më fanepset, djersët nuk më dalin, qurrat nuk më bien, kolla s’më ngacmon, teshtima nuk më vjen, mishi s’më rrënqethet, piruni nuk më ngulet, çiçi nuk më bëhet, qumshti nuk më derdhet, jeta nuk më duhet.

Po s’më bëre mik, më sill një pikë ujë ku të mbytem dhe të qaj. Qaj unë e qaj ti, brenda pikave të lotit do mbytemi të dy. Në mos, më braktis në një pyll ku korbat do më çukisin kërrmën, bishat do më lënë skeletin. Ose hidhmë në një pus të mbytem duke bërtitur dhe askush të mos më dëgjojë. Ndiz një zjarr e më digj. Kur flakët të prekin qiellin të habitet Zoti që më dogje pse s’më bëre mik. Më gjej një shpellë ku të gdhihem e ngrysem duke u lodhur të gjej arsyen pse s’më bën mik. Kur të vish në shpellë për vizitë do të mahnis duke të rrëfyer misteret e errësirës aq sa nuk do duash të dalësh më nga shpella por do rrish me mua përgjithmonë.

Pra do më bësh mik. Por do jetë vonë, se ndërkohë do jem bërë mik me shpellën dhe miqësia jote nuk do më duhet. Nëse nuk gjen dot një hon ku të më gremisësh, më hap një varr ku të më groposësh. Po përtove të gërmosh varrin, më sill një ambulancë që të më çojë në një spital ku të më kurojnë me ilaçe të gabuara nga një sëmundje inekzistente. Ose më vendos para një televizori ku po çfaqet një soc-film, që do më mërzisi sa do më vdesi.

Për të më varrosur për së gjalli, më detyro të dëgjoj një bisedë televizive ku një idiot thotë “jam artist”. Ose thuam që Roma është më e bukur se Tirana, të ta ngul një sqepar në kurriz dhe ta shtyj në burg reston e jetës. Apo thuam se bota ka bukuri më mahnitëse se muzgu në Kepin e Rodonit, të vi të ta çaj gurrmazin me biçak. Provo të më bindësh se Kalifornia është më e bukur se Myzeqeja, të t’i nxjerr sytë me pirua. Flakmë në një furrë ku të digjem, ose në një gropë gëlqereje ku të tretem. Hidhmë në një mulli të më bluash. Nuk do ta refuzoj një mur ku të ma përplasësh kokën.

Një semafor ku të hyj me të kuqe dhe një kamion përballë të më coptojë, do ta di për nder deri në amshim. Me kënaqësi do pranoj të më hedhësh nga një grataçiel. Po më godite në kokë me varre që të vdes në çast, do të falenderoj me gjithë shpirt. Një kazan me ujë të valuar ku të zjehem me gjith lecka do ishte po aq mrekulli sa edhe një tigan gjigand ku të fërgohem. Një grirëse ku të coptohem do ta paguaj me flori. Dy shina treni ku të ndahem më tresh si Anna Karenina do ishte ndihmë që s’llogaritet. Flakja në cilindo qiell sado të largët do më kënaqte sa do më çmendëte. Më hidh në një luna që të më trishtojë a një liqer të tharë që ta mbush me lot. Më trego një xhami pa hoxhë dhe pa minare ku të falem s’di se pse. Më thuaj ku ndodhet një kishë pa prift dhe pa altar ku të rrëfehem për mëkate që s’i kam bërë. Vetëm më bëj mik.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...