Një histori torturash të papara, rrëfen jetën në burgun e Spaçit: Si vdisnin shokët nëpër galeri dhe ulërimat në birucë

“Më kanë lidhur, më kanë mbajtur tetë orë lidhur tek soba, në darkë më ra të fikët. Më hodhën një kovë me ujë dhe atëherë u përmenda. Më çuan në fund të shtyllës, aty më lidhën. Dëbora vu… Pas tetë orëve më zgidhën, u vesha, më lidhën përsëri dhe më çojnë në birucë…”.

Iljaz Kajo, rrëfen historinë e tij të dënimit 10 vjeçar në Spaç të Mirditës, një histori torturash të papara, siç ai e përshkruan.

Dëshmia e plotë

Unë jam arrestuar më 22 janar të 1977. Para se të më arrestonin më zunë para popullit. Pas dy muajve më arrestuan. Hetues kam patur Bujar Himçin nga Elbasani. Tortura të papara.

Unë sa kisha mbaruar shkollën 7 vjeçare. Asnjë gjë tjetër nuk dija unë. Nuk dija se ç’ishte politika. Isha një fshatar që punoja në fushë, vadisja. Mua më morën për babain, do dilte babai nga burgu do zëvendësohej babai.

Se doli vëllai mbeti babai. Babai donte dhe 6 muaj të lirohej, më kanë arrestuar. Kam bërë 6 muaj hetuesi. Hekura, dru dhe gjakë. Më dënuan 10 vjet edhe më çuan në Spaç të Mirditës. Shkoj në Spaç, unë nuk dija se ç’ishte minatori.

U futa për herë të parë në galeri, më thanë shokët mirupafshim, mirëdalsh. Atje e dëgjova atë fjalë për herë të parë. Filloji puna në galeri. Mos bëje normën të lidhte pas shtyllës me tela me gjëmba edhe hekura edhe urë, gërret. Bëje një muaj birucë. Në birucë do rrije pa këmishë, ishe me një bluz të hollë, pa çorape, zbathur, pa ëbatanie.

Temperatura jashtë mund të arrinte -20 gradë, ishte janar. Llogariteni çfarë torture! Mos bëje normën, komisari Shain Skura thoshte do dilni me barrela. Kam një rast, kur po punoja atje kur po bëja birën, vjen polici, fiku dhe ajrin. Çfarë ke i thash? Hajde tha se ka zënë galleria Kolmanin, një shkodran. Kur shkoj tek galeria ishte Martin Pjetri.

Martini ishte deri tek buza i binte minerali edhe e hiqte me dorë. Një i burgosur mori një copë dërrase ja vuri asaj ku rridhte edhe e nxorrëm. Ndërsa Kolën e kishte zënë nën të.

Nxorrëm Martinin, llogarite sa ndenjëm ne, kur nxorrëm Kolën kishte vdekur, e morën e çuan në morg pastaj. Shkonim në kamp për të ngrënë bukë, por pa ngrënë bukë do bëhej apeli se ishte shi, se ishte dëborë. Shkoje në kamp të haje ushqimin, ushqimi ishte beterr.

Fillonte preshi. Presh i thatë me krimba. Për fat të mirë, mua më vinte familja edhe disa personave të tjerë i vinte familja. Kishte njerëz që nuk kishin fare familje. Kishim një doktor një Abdulla Gashi ishte kosovar por rrinte në Elbasan, njeri i mirë. Ishte i burgosur, në ditën që kishte pushim e thërriste komanda, çohu në punë.

Jo i thoshte ai, e dorëzoj bluzën dhe shkoji në galeri. Atje ka patur intelektual që kishin mbaruar shkollën në perëndim. Në fillim fare ka qenë një Xhelal Koprencka u pushkatua në 1979. U arrestuan rreth 100 veta. Fadil Kokomani, gazetarë; Vangjel Lezho, i pushkatuan të gjithë këta. Kur i morën që i pushkatuan ndan fotografitë mbas murit dhe pastaj ranë në tokë.

Si identifikohej një bashkëpunëtor i sigurimit në burg?

Këta tipa kurvinin në fillim këta nuk njiheshin. Nga je ti? Nga Berati. E merrje atë e përkrahje i jepje dhe paketën e duhanit që e ndihmoje, thoje është djal i mirë. Këtu ka dy rrugë ose me mua ose me Komandën. Në komandë ishte spiunë. Për mua ishte galeria, bëja normën edhe vija në kamp. Kur merrje vesh që ky ishte i ligë, ishte vonë. Se do dilnin ditët aq e ka ajo, aq e kishte ai 40 ditë edhe dilte.

A keni shkruar ndonjëherë letër ankesë?

Unë nuk kam bërë. Unë rrjedh nga një familje nacionalistësh e kam patur gjyshin me komandat të Ballit me 300 ushtarë mbrapa. Kujt t’ja bëja unë? Diktatorit? Unë e dija kush ishte ai. Ata vetëm hu kishin, s’kishin gjë tjetër. Kishin njerëz që i bënin Buros politike. Ishte një rast, ky personi ishte nga Lezha aq shumë e kishin përpunuar ata sa e kishin bërë spiunë edhe bënte letra ky për lirim. Kjo punë shkoj tre vjet e ca, kishte mbaruar shkollën për teknik. Hidhet nga kati i dytë për t’u vetëvrarë, por theu këmbën shpëtoj.

Çfarë bëre i thashë unë? Më gënjyen qent, më bën spiunë. Unë kam patur një polic Lazer Koçi, ai thoshte mos i lidhni të burgosurit nuk keni të drejt t’i lidhni.

Në revoltën e Spaçit mori dallgë shumë ajo fjalë edhe erdhi puna që do dorëzonte kapelen, nuk e dorëzoji. I vdes i ati. Atë e kam ngushëlluar unë, atë Lazer Koçin. Ama policët e tjerë kanë qenë si gjermanë, nazistë. Të merrnin lidhur zvarrë dhe kur më kanë futur në birucë ka qenë 3 janar i ’69. Lidhur këmbë e duar, çdo ditë.

Si shpërndaheshin bataniet në qeli?

Na sillte në orën 6 të darkës ai edhe ta hiqte në 6 të mëngjesit. Në birucë nuk kishte batanie. Këtë gjë e kam parë në galeri, unë isha i ri sa kisha shkuar atje si minator. Unë nuk dija si bëhej bira. Më kanë lidhur më kanë mbajtur tetë orë lidhur tek soba që më ra të fikët.

Më hedhin një kovë me ujë atëherë u përmënda edhe më cojnë dhe më lidhin pas shtylle. Tetë orë, pas tetë orëve më zgidhën.

U vesha unë dhe më cojnë në birucë. Kam patur djem të mirë shumë, kam patur Fatos Lubonjën. Në burg bënin propagandë nacionaliste, të ishe dëshmitar ose spiunë nuk të pranonin ata. Ata ishin politikan intelektual si për shembull Xhelal Koprencka.

Nuk e pranonte Xhelali hakmarrjen. Ti ke gjashtë dëshmitar këtu, unë kam dhjetë. Nëse i vrasim do zhduket tërë populli kështu, thoshte Xhelali. Unë kam dal në ’79, jam arrestuar 25 vjeç edhe mezi gjeta grua. Janë disa njerëz në Berat që janë si të lëkundur edhe thoshim aq e duroj drurin ai.

Ju nuk e keni idenë se çfarë ka qenë hetuesia. Shokëve të mi i kanë futur vezë në sqetull, spica nëpër thonj.

Unë quhem Iljaz Haki Kajo, jam nga fshati Perista, Lapardha. Kam bërë 10 vjet burg.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...