KF Vllaznia sh.a konstaton se që prej momentit të emërimit të z. Engin Firat në postin e drejtorit sportiv të klubit tonë, në adresë të tij ka patur sulme nga më të ndryshmet. Më së fundmi, në media pretendohet se nuk ka liçensën e duhur për të kryer këtë funksion.

KF Vllaznia sh.a bën të ditur se që përpara zyrtarizimit të tij në këtë post, ka komunikuar me FSHF-në prej së cilës ka marrë konfirmimin se me liçensat që z. Firat disponon, ka të drejtë të kryejë funksionin e drejtorit sportiv.

Liçensat dhe kualifikimet që ai disponon dhe që KF Vllaznia i ka bërë publike në momentin e emërimit të tij, ia bëjnë të mundur kryerjen e të gjitha detyrave që përfshin ky post, duke futur këtu menaxhimin sportiv të klubit, hartimin e politikave sportive, drejtimin e Akademisë, madje edhe futjen në dhomat e zhveshjes në ndeshjet zyrtare dhe “pengesa” e vetme është pamundësia për të qëndruar në pankinë gjatë zhvillimit të ndeshjeve zyrtare.

Një gjë e tillë sigurisht që nuk është e nevojshme sepse njeriu që qëndron në pankinë është trajneri. Në këto rrethana, KF Vllaznia kërkon nga ana e mediave dhe gjithë opinionit sportiv mirëkuptim për të na lejuar të vazhdojmë punën që kemi nisur.
Klubi i Futbollit “Vllaznia” sh.a