Punimet e brendshme të Xhamisë së re të Erdoganit po shkojnë drejt fundit dhe kryebashkiaku Veliaj premtoi që vitin e ardhshëm festa e Bajramit do t’i gjejë besimtarët me xhami të re.

Kryebashkiaku e cilësoi ndërtimin e xhamisë si vepër të dobishme, jo vetëm për besimtarët myslimanë, por edhe si një stoli për qytetin.

“Jam shumë i lumtur që inspektuam këtë vepër të dobishme. E quaj një vepër të dobishme për disa arsye: së pari, për të gjithë besimtarët myslimanë sepse pasja e një shtëpie të madhe të Zotit,

për të ofruar shërbesat, jo vetëm në ditën e xhumasë, por edhe në ditët e tjera të veçanta, apo për të pasur një qendër kulturore,

aktivitete të tjera të komunitetit, si ato që kanë të bëjnë me doktrinën fetare, me ndihmën dhe solidaritetin në komunitet, i sjell Tiranës një stoli”, tha Veliaj.

Për kryebashkiakun, ndërtimi i xhamisë është një e mirë edhe për qytetarët apo turistët e huaj, të cilët brenda 1 km2 mund të vizitojnë tempujt fetarë të myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve.

“Në 1 km2 kemi të gjitha shtëpitë e besimit, si atë të vëllezërve myslimanë, të atyre ortodoksë dhe atyre katolikë, ku mjafton të shikosh nga parvazi i Xhamisë së Namazgjasë dy majat e objekteve të tjera të kultit. Do të thotë se edhe për një turist që është i tërhequr nga Shqipëria për turizmin fetar, për vëllazërinë religjioze që kemi me

njëri-tjetrin, e ka kollaj sepse brenda Unazës së Vogël mund t’i shohë të tre këta tempuj”, tha Veliaj.

Punimet në Xhaminë e Namazgjasë janë në fazën e tyre përmbyllëse të rifiniturave, instalimeve elektrike, mekanike, si edhe veshjes me gurë, të cilat pritet të mbyllen brenda 2 muajsh.

Ndërsa, një grup që do të vijë nga Turqia do të kryejë dhe punimet e kaligrafisë, të vizatimeve dhe punimet e allçisë për t’i dhënë kështu dorën e fundit shtëpisë së re të besimtarëve myslimanë.