NGA ARDIT RADA/ Nga mishi, bulmeti dhe qumështi e deri te prodhimet e detit e pijet energjike. Këto janë produktet e bllokuara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sëpaku nga fillimi i muajit gusht të këtij viti. Bëhet fjalë për ushqimet të prodhuara në baxho jashtë standardeve, të tregtuara në mes të pluhurit, të falsifikuara apo pa vulën veterinare dhe origjina se nga vinë shpesh nuk u dihet.

 

Burime nga AKU bëjnë të ditur për JavaNews se çdo drejtori rajonale nga veriu në jug ka porosi që të ‘krehë’ tregjet, dyqanet apo edhe rrugët ku rëndom gjenden shitësit ambulantë që tregtojnë produktet e fermave dhe baxhove të tyre. Një porosi e veçantë u është dhënë kryesisht qarqeve që kanë në territor zona turistike si Shkodra,

 

Lezha, Durrësi, Vlora etj. Për këtë arsye, një pjesë e mirë e bllokimeve që AKU ka kryer kanë pasur të bëjnë me restorantet dhe baret. Por pavarësisht kontrolleve në shtim, duket se produktet e dyshimta tashmë kanë hyrë në vendin tonë dhe janë shpërndarë në tregje dhe më gjerë. Kjo është arsyeja kryesore përse çdo ditë ka raportime për produkte ushqimore të bllokuara ndërsa ‘pastrimi’ nuk dihet se kur do të mbarojë.

Çdo njoftim i AKU, krahas informacionit, është shoqëruar edhe me

foto jo pak të neveritshme. Thertore në ahur, frigoriferë të ndryshkur që mbajnë peshkun apo bidona plastikë me qumësht janë disa nga imazhet që përcjell autoriteti në fjalë, shkruan JavaNews. Megjithatë, njoftimet në fjalë ngjallin një pyetje te konsumatori: Çfarë kemi ngrënë para se të nisnin këto aksione?

“Vrulli” i marrë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit padyshim që duhet përshëndetur, por nga ana tjetër nuk duhet të ketë një finish. Duke marrë parasysh sesa e rëndësishme është siguria ushqimore, aksionet e tilla nuk mund të mbeten vetëm në nivel task-force për ‘hatër’ të sezonit turistik. JavaNews sjell mëposhtë tabelën e produkteve të bllokuara 10 ditët e fundit, për të ilustruar se çfarë kanë rrezikuar të konsumojnë qytetarët.

 

18 Gusht – Bllokohen 27 ton mish nga Brazili me prezencë salmonele.

17 Gusht – Mbyllen tre lokale në Jalë, produkte të detit jashtë kushteve higjienike.

16 Gusht – Bllokohen 120 kg djathë në Shkodër, ruhej në frigorifer me myk.

15 Gusht – Në qarqet Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë dhe Lezhë bllokohen 9 subjekte që tregtonin prodhime shtazore dhe joshtazore.

13 Gusht – Bllokohen në Memaliaj produkte të skaduara si birra, reçel, kos, salcë kosi etj. Kapen 100 kg midhje në Vlorë që tregtoheshin pa frigoriferë.

 

13 Gusht – Kapet në flagrancë një shtetas duke ushtruar barbarisht aktivitetin e therjes së kafshëve në një ambient të paregjistruar dhe në mungesë të dokumentacionit shoqërues.

13 Gusht – Bllokohen në Klos 6 subjekte që tregtonin produkte të skaduara. Bllokohen kryesisht mish, sallam, miell dhe patatina.

10 Gusht – Vendosen dy gjoba ndaj subjekteve që tregtonin qumësht të ruajtur mbi temperaturën frigoriferike të detyrueshme.

9 Gusht – Kapen në Kakavijë 27 ton miell i dyshimtë që vinte nga Greqia.