Vllaznia, Eraldo Çinari dhe Deportivo Alaves është trekëndëshi i një skandali që pritet të zgjidhet nga Zyra e Konflikteve të FIFA-s, me shkodranët që pretendojnë mashtrim dhe shkelje të rregullave për transferimin e lojtarëve nga këto të fundit.

 

Ndërkohë pas akuzave të hedhura nga Vllaznia ndaj lojtarit dhe ekipit spanjoll, ka qenë ky i fundit që ka reaguar në lidhje me këtë çështje. Në një deklaratë të dhënë për mediat spanjolle, përfaqësues të klubit të La Liga-s kanë deklaruar se nuk është shkelur asnjë procedurë në transferimin e lojtarit shkodran, ndërkohë që kanë aluduar se Vllaznia po mashtrohet nga ish-drejtuesit e saj.

 

Alaves e quan të mbyllur transferimin ndërkohë që shprehet besimplotë se çështja do të zgjidhet një herë e mirë nga FIFA shumë shpejt. Shkodranët kërkojnë dëmshpërblim 100 mijë euro nga klubi spanjoll, ndërkohë që raportohet se Alaves ka paguar 20 mijë euro për shërbimet e Çinarit.