Nga Albert Vataj

Më 31 korrik, kisha katolike, por jo vetëm ajo, kujtojmë përvjetorin e vrasjes së dy klerikëve martirë, dom Aleksandër Sirdanit (1892-1948) e dom Pjetër Çunit (1914-1948). Arrestimi dhe dhuna e ushtruar nga Sigurimi i Shtetit është e pashembullt përnga mizoria.

Panorama e kësaj masakre nuk është e ndryshme nga ato të mëparmet dhe të mëpasmet që në tërësinë e vet përbëjnë perndjekjen e përnishme të diktaturës komuniste ndaj klerit katolik në veçanti dhe fesë në përgjithësi. Ndërsa e shkuara ka mbetur pas, kujtesa rreket të zgjojë në vetëdijen e të gjithëve makabritetin që ka ndërzyer ndaj shërbestarëve të Zotit, të përulurve dhe të përkushtuarve të dijes dhe besimit, regjimi i bërbindshëm dhe despotik diktatorial.

Ajo që hoqën këto dy klerikë dhe të tjerë më pas tyre, në tortura deri në eliminimin fizik është vetë tmerri që mbeti si një stampë ferri në jetën dhe besimin e shqiptarëve. Një praktikë ndjellakeqe hodhi rrënjë bashkë me komunizmin në Shqipërinë e asaj kohe. 70 vite më parë dhe 70 vite më pas, secili ka diçka për të thënë, diçka për t’i shtuar këtyre radhëve që sjellim në nderim të emrit dhe kontributit të këtyre martirëve.

Xhelatët e diktaturës komuniste të Shqipërisë, pikërisht 70 vjet më parë i mbytën të dy Martirët për së gjalli në një gropë gjirizi, në Koplik, ku zhvillohej hetuesia e meshtarëve, shkruan RV.

Dom Aleksandër Sirdani e dom Pjetër Çuni qenë dy figura të shquara, jo vetëm të Kishës katolike, por edhe të kulturës, sidomos dom Sirdani, një nga firmat më të njohura, që botoi në shumë organe të shtypit të kohës, veçanërisht në revistën famëmadhe të jezuitëve ‘LEKA’.

Dom Lekë Sirdani

Ndaj Dom Lekë Sirdani nuk kishin akuza për t’i bërë Dom Lekës dhe, prandaj, nuk i bënë as gjyq dhe as nuk e dënuan, por vetëm e keqtrajtuan mizorisht, dhe ai megjithëse i sfilitur fizikisht, si Krishti, mbajti deri në fund një pamje të kthjellët dhe…heshtte. Në përvojën e vet njerëzore dhe të krishterë kishte pasur gjithmonë parasysh se “ bota është plot me lot”, dhe një herë pati shtuar: “ Kjo botë , meqenëse quhet plot me lot, ka nevojë edhe për lotët e mi”.

Tortura më shtazarakë qe ajo e hedhjes në gropën e hapur të ujërave të zeza ku, pasi e shtynë në fund me një sfurk, vdiq i mbytur së bashku me dom Pjetër Çunin, ndërsa xhelatët i shanin dhe i provokonin duke u thënë: “ Ku është Krishti juaj? Pse nuk ju ndihmon?”.

I lindur në Bogë në vitin 1891, i bëri studimet e para në Seminarin shqiptar e teologjinë në Insbruk, në Austri. U shugurua meshtar më 24 prill 1916. Ka punuar për fe e për atdhe. Kreu shërbimin në famullitë e maleve të kryeipeshkvisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm e i devotshëm. U torturua në mënyrë barbare e të pashpirtshme. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 31 korrik 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin.

Dom Pjetër Çuni

Dom Pjetër Çuni ishte bariu i mirë i grigjës së vet dhe kudo që ushtroi mbarështimin e vet e vlerësuan dhe e deshën. Ishte një njeri dhe një meshtar i bindur se në lutje gjente bashkimin e tij intim me Hyjin dhe burimet për t’u përballuar me vështirësitë e panumerta që ndeshte gjatë mbarështimit.

Dom Pjetri , ashtu si edhe Krishti, u torturua mizorisht deri në vdekje; nuk iu kursyen shqelmat, grushtet dhe të rrahurat me çdo lloj mjeti. Mes të tjerash pësoi torturën me energji eletrike duke ia vënë dy fijet e korrentit në veshë, gjë vërtet e tmerrshme. Gjatë torturave u la të vdiste me turp, së bashku me dom Lek Sirdanin. Ende i gjallë, megjithëse pa ndjenja, sepse ishte i sfilitur prej torturave, u hodh në gropën e zezë të kazermës. Dom Pjetri përsëriste shpesh: “ Sikurse Krishti pësoi për fe, po vjen koha që do të pësojmë të gjithë ne, por duhet të qëndrojmë sikurse qëndroi Ai”.

Lindi në Shkodër, më 9 korrik 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel). U arrestua pa arsye në Rrjol më 27 korrik 1948. Egërsisht i torturuar, u fut për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 31 korrik 1948. Të atit iu dha lajmi i vdekjes më 26 dhjetor 1948.

Qe meshtar shembullor, i zellshëm dhe bari i mirë për grigjën e vet. Qe i paluhatshëm kundër diktaturës. Ai dhe dom Aleksandër Sirdani janë shpallur të lum nga Kisha Katolike universale, së bashku me 36 martirë të tjerë shqiptarë të diktaturës komuniste.