E kush nuk i mban mend biskotat pjeshkë? Mirela e Papares është e sigurtë që të paktën një herë i keni provuar, por shijen e keni të largët ! Ndaj ajo në numrin e ri të revistës Living na kujton recetën e biskotave pjeshkë

Përbërësit për 20 copë:
400 g miell • 75 ml vaj • 75 ml qumësht • 1 kokërr vezë • 120 g sheqer • vanilje • pak kripë • 1 pako fryrës për ëmbëlsira • 100 g reçel pjeshke • disa gjethe mente • ngjyrues i kuq • ngjyrues i blertë • sheqer
Përgatitja:

Rrahim për disa minuta vezën me sheqerin, shtojmë vajin, qumështin, pak kripë dhe vanilje. Përziejmë miellin me fryrësin dhe e shtojmë te masa e lëngshme. Punojmë për disa minuta brumin dhe e ndajmë në 40 topa të vegjël. I pjekim në temperaturën 180° celsius për rreth 10-15 minuta.

Presim sa të ftohen, marrim dy biskota, i lyejmë me reçel nga pjesa e sheshtë dhe i bashkojmë. Të njëjtën gjë bëjmë për të gjitha biskotat. Tretim ngjyruesit në ujë dhe pjesëpjesë i zhytim biskotat aty.

Ashtu të lagura i lyejmë me sheqer. I vendosim në pjatë dhe i zbukurojmë me disa gjethe mente.

 

LIVING.AL