Nga shtatori nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe gjimnazeve nuk do të lejohen të përdorin celularët gjatë procesit mësimor. Urdhri i ndalimit është firmosur pak ditë më parë nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.

 

Edhe pse nuk dihet ende se si do të zbatohet ky urdhër apo sa efektiv do të jetë, prindërit janë mbështetësit e parë. Ata e kanë pritur me entuziazëm këtë vendim me shpresën se fëmijët do të përqendrohen më tepër në mësim.

Viti i ri shkollor vjen me një risi për nxënësit dhe mësuesit e arsimit parauniversitar, nga cikli fillor e deri tek ai i mesëm. Telefonat celular nuk do lejohen të përdoren gjatë procesit mësimor.

 

Ky është urdhri i firmosur nga ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, Nisma parashikon fokusimin e nxënësve por edhe të mësuesve në funksion të procesit mësimor, ndërsa vlen të theksohet se është hera e parë në vendin tonë që tentohet zbatimi i një mase të tillë të fortë.

 

Ministria e Arsimit është kujdesur të parashikojë edhe rastet e shkeljes së urdhrit për të cilin do ketë masa penalizuese si për nxënësit ashtu edhe mësuesit. Shkelësit e këtij urdhri rrezikojnë deri në përjashtim nga shkolla për rastin e nxënësve si dhe pezullim e shkarkim nga puna mësuesve.

 

Parashikohet që në fillim të mësimit, nxënësit të dorëzojnë telefonat celularë në dollapët e klasave respektive dhe do t’i marrin ato vetëm në përfundim të procesit mësimor. Mbetet për t’u parë si do ta presin nxënësit dhe mësuesit urdhrin e ri dhe ndër më të fortët të Ministrisë së Arsimit