Kafja e Madhe, Kafe-Park-Shkodër. Ndërtim me karakter shoqëror i periudhës së gjysmës së dytë së shek.XIX,19. Kati i parë ka shërbyer si lokal ndërsa kati i sipërm hotel.
Kafja është pjesë e atij kompleksi ndërtimesh që mbushin rrugën e pjacës të projektuara edhe ato nga Idromeno.

 

Vërehet një gërshetim i traditës së ndërtimit të godinave qytetare me stile të ndryshme , veçanërisht të fasadave, dekoracioneve,korniza, bordura, mensola, ballkone të stisura dhe dritare me grila.

 

Është i dukshëm në këtë drejtim, ndikimi i arkitekturës së qyteteve të përparuara të mesdheut.Kafja e Madhe ishte në ato vite shprehja tipike e zhvillimit të kapitalizmit në fushën e tregëtise dhe veçanërisht në atë të hotelerisë.

 

Kolë Idromeno, artisti shumë dimensional la gjurmë të pashlyeshme, që edhe sot lartësohen krenarisht në qytetin e artit dhe kulturës. “Kafja e Madhe” ishte një prej këtyre objekteve, ku të gjithë vizitorët që preknin Shkodrën e atyre viteve, gjendeshin përballë një godine luksi për kohën, ku përfshihej argëtimi, teatri, muzika dhe ballot elegante të kohës.

“Kafja e Madhe” ishte edhe vend lajmesh, lidhjesh me botën, vend bisedash e argëtimesh. Pa “Kafen e Madhe” Shkodra në fillim të shekullit ndoshta nuk do të mbetej aq gjatë në kujtesën e të huajve dhe nuk do të konsiderohej si qyteti më grishës i Ballkanit.

Austriakët madje në 1914, pasi u larguan nga Shkodra, foton me Kafen e Madhe e shtypën në kartolina, imazhet e së cilës ua dërgonin miqve si kujtim nga Shqipëria.

Kafja e Madhe ishte një barrier psikologjike ku nuk mund të hynte kushdo.Ishte një vend ku e gjenin veten muzikantët, intelektualët, shkrimtarët.U desh viti 1997 që ajo për tiparet e veçanta tipologjike e morfologjike të shpallej monument kulture i kategorisë së parë. Por për ironi të fatit ky status i dhënë, në vend që të shënonte një kthese, ndodhi e kundërta dhe vitet e mëvonshme sollën degradimin e saj, gati deri në shkatërrim.

Shumë shpejt falë projektit të qeverise në bashkëpunim me Bashkinë, objekti do të kthehet në identitet. Rrugëtimi i kësaj godine historike merr një tjetër rrjedhë, pas nisjes së punimeve për rikonstruksionin e saj.